PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

SI MOS TË DUHET ALLAHU?

Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Done Allahun për arsye të atyre begative që ju ushqen me to”.

O ju robërit e Allahut, dashuria zhvillohet nga bamirësia dhe njohja e begative. Zemrat janë të krijuara që ta dojnë atë që sillet mirë me të dhe ta urrejnë atë sillet keq me të dhe a ka më bamirës se Allahu i Madhëruar. Bamirësia e Tij ndaj robit është prezente në çdo kohë dhe moment dhe robi ato bamirësi i shfrytëzon në të gjitha gjendjet e tij.  Nuk ka asnjë mundësi që llojet dhe format e bamirësisë të numërohen dhe mjafton të ceket se një nga llojet e saj është begatia e frymëmarrjes. Njeriu brenda një dite dhe një nate i merr njëzet e katër mijë frymëmarrje e mos të flasim për begatitë tjera që janë më të larta dhe më të mëdha: Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot”. Ibrahim 34.

Robi i Allahut nuk ka ndjenja për plot nga begatitë e dhuruara që e rrethojnë dhe për këtë shpesh i bën padrejtësi vetvetes dhe i mohon begatitë e Allahut dhe prapë Allahu e ruan dhe e mbron nga çdo e keqe dhe nga çdo dëm: “Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?”. Enbija 42.

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Askush nuk mund te jetë më i durueshëm sesa Allahu për të keqën që ka dëgjuar për vete; pretendojnë se Ai ka fëmijë ndërsa Ai i furnizon dhe iu jep shëndet (apo i mbron nga të këqijat)”.

Allahu nga bamirësia dhe dashuria ndaj robërve të Tij krijoi çdo gjë në qiej dhe tokë dhe në dynja dhe ahiret, pastaj i banoi në të dhe i fisnikëroi, u dërgoi të Dërguar, u zbriti libra, u ligjësoi ligje, ua lejoi që t’i drejtohen Atij në çdo kohë, u caktoi shpërblim për çdo të mirë që e shumëfishon atë prej dhjetë e deri në shtatëqind herë më tepër dhe më shumë, kurse për çdo vepër të ligë ua shkruan vetëm se një të keqe, e nëse pendohen nga ato të liga ua fal dhe shndërron në të mira, dhe nëse gjynahet e robit e arrijnë qiellin e pastaj bën istigfar Allahu ia fal, dhe nëse e takon Allahun me mëkate të mëdha sa toka, pastaj e takon Allahun duke mos i bërë ortak në adhurim Ai do të dhuroj falje po aq të madhe.

Për robërit e Vet e ligjësoi Haxhin që ua fshin të gjitha mëkatet e mëhershme, i mbarësoi për kryerjen e tij dhe nëpërmjet tij ua fali gjynahet, dhe poashtu ligjësoi adhurime dhe nënshtrime dhe për kryerjen e tyre caktoi shumë shpërblime. I dhuroi robit të Vet pasuri dhe i tha: O robi Im, afrohu kah Unë nëpërmjet saj që ta pranoj. Robi është i Veti, pasuria është e Tij, shpërblimi është nga Ai dhe Ai është dhuruesi fillimisht dhe përfundimisht.

Si mos të duhet Allahu kur ia dhuroi robit këto mirësi dhe si nuk i vjen robit turp që të harxhon diçka nga dashuria e tij për dikë tjetër jashtë Allahut. Kush është më meritor që të falënderohet, të madhështohet dhe të duhet se sa Allahu? A ka më fisnik dhe bujar se sa Allahu?

Allahu gëzohet shumë me pendimin e robit kur i pendohet Atij dhe ia fal gjynahet dhe ia detyron Vetes dashurinë e tij, Ai është i Cili e frymëzoi të pendohet dhe e mbarësoi dhe i ndihmoi në të. I lartësuar është Allahu i Cili i mbushi qiejt e Tij me melek të cilët i përdor në kërkimin e istigfarit për banorët e tokës dhe i përdori nga to bartësit e Arshit në lutje për robërit e Tij besimtar dhe për kërkimin e istigfarit për gjynahet e tyre dhe mbrojtjen e tyre nga zjarri i xhehenemit dhe ndërmjetësimin për ta tek Allahu që të futen në xhenetet e Tij.

Shikoni këtë përkujdesje, këtë bamirësi, këtë dashuri dhe butësi të plotë të Allahut ndaj robërve të Tij.

Megjithatë pasi që ua dërgoi të Dërguarit e Tij dhe ua zbriti librat e Tij dhe ua mësoi emrat dhe cilësitë e Tij, Ai zbret për çdo natë në qiellin e dynjasë dhe interesohet për ta, Vet i shqyrton nevojat e tyre dhe i thërret që t’i kërkojnë Atij, e thërret gjynahqarin që të pendohet, të sëmurin që të kërkon shërim, të varfrin që të kërkon nga pasuria e Tij dhe nevojtarin që të kërkon nga Ai çdo natë që t’ia lehtëson nevojat.

 I thërret në pendim edhe pse i luftuan dhe torturuan dhe i djegën me zjarr evlijat e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie. Buruxh 10.

Kurse disa nga selefi thanë se shikoni fisnikërinë e Allahut se si i thërret në pendim edhe pse ata i torturuan evlijat e Tij dhe i djegën me zjarr.

Nuk ka rob me zemër të shëndoshë e mos ta donë Allahun kur e di këtë dhe vetëm se ai që ka zemër të sëmurë dhe të ligë dhe të largët nga çdo e mirë nuk ka mundësi ta donë Allahun e tij. Allahu i krijoi zemrat që ta dojnë bamirësin e përsosur në cilësitë dhe moralin e tij dhe askush nuk mundet dhe nuk ekziston asnjë mundësi t’i afrohet bamirësisë së Allahut të Madhëruar dhe nuk ka gjë më të përsosur dhe më bukur se sa Ai. Çdo përsosmëri dhe bukuri në krijim është rezultat i gjurmëve të Tij dhe aludues mbi përsosmërinë e Krijuesit të tij. Si dhe çdo dituri në univers është rezultat i gjurmëve të diturisë së Tij dhe çdo fuqi është rezultat i gjurmëve të fuqisë së Tij.

Duhet që dashuria e robit ndaj Allahut të jetë më e madhe se çdo gjë tjetër dhe ajo dashuri të jetë aq e fortë sa që mos të ketë mundësi që t’i afrohet asnjë dashuri tjetër. Kush nuk e realizon dashurinë ndaj Tij me dituri dhe vepra nuk e ka realizuar dëshminë se nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç se Allahut. Allahu është Ai që adhurohet dhe duhet dhe të Cilin e adhurojnë zemrat me dashuri dhe i nënshtrohen dhe i përulen Atij, i frikohen dhe e shpresojnë Atë, i mbështeten në gjendje vështirësie Atij, i luten dhe qetësohen me përmendjen e Tij dhe rehatohen me dashurinë ndaj Tij dhe kjo nuk ka mundësi të bëhet vetëm se për Allahun dhe askënd tjetër. Për këtë fjala la ilahe il-lallah është fjala më e sinqertë, ata që e shqiptojnë dhe veprojnë me të dhe i besojnë janë evlijat e Allahut dhe partia e Tij, kurse mohuesit e saj janë armikët e Tij.

O ju robërit e Allahut, dashuria e vërtetë shfaqet në katër gjendje:

Gjendja e parë: Kur robi bie në shtratin e tij dhe është i lirë nga preokupimet tjera, ai nuk fle vetëm se duke e përmendur atë që e donë dhe zemrën e tij me të e preokupon.

Gjendja e dytë: Kur zgjohet nda gjumi. Gjëja e parë që robi e vepron kur zgjohet nga gjumi është përmendja e të dashurit të tij që i mungoi gjatë kohës së gjumit së tij.

Gjendja e tretë: Kur hyn në namaz. Namazi është peshorja e besimit me të cilin peshohet besimi dhe vërtetohet gjendja e tij dhe afërsia e tij me Allahun. Kur ngrihet për në namaz dhe qetësohet në të dhe i kënaqen sytë dhe zemra para qëndrimit të Tij dhe i zgjerohet dhe i qetësohet gjoksi dhe zemra e tij, kjo aludon në dashuri të vërtet.

Gjendja e katërt: Gjatë vështirësive dhe sprovave. Zemra në këto gjendje nuk i përmend vetëm se ato gjëra që janë të dashura tek ai dhe nuk ik vetëm se kah ai që e do më së shumti.

I dashuruari qetësohet me të dashurin e tij në çdo musibet që e godet jashtë tij. Për këtë arsye  kur doli ajo grua nga Ensarët në luftën e Uhudit të shikon se ç’ndodhi me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kaloi pranë prindit dhe vëllaut të saj të vrarë në luftë dhe nuk u ndal tek ata dhe i kaloi duke thënë se çka bëri i Dërguari i Allahut dhe si është ai? I thanë se ai është mirë dhe i gjallë dhe kur shikoi kah ai tha: O i Dërguar i Allahut, çdo musibet jashtë tëndit është i vogël dhe nuk më intereson për të.

E njëjta vlen edhe për sprovat e vdekjes dhe asaj që vjen pas saj nga sprovat e Ditës së Kiametit. Të gjitha ato lehtësohen me dashuri kurse sprova dhe musibeti më i madh është sprova e zjarrit të xhehenemit dhe atë nuk e largon vetëm se dashuria e Allahut të vetëm dhe pasimi i të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Dashuria pra është baza e çdo të mire në dynja dhe ahiret siç e cek edhe Sehnuni: “Na tejkaluan të dashuruarit në nderin e dynjasë dhe ahiretit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, përcillet se ka thënë: “Njeriu është me atë qe e donë”, dhe ata janë me Allahun”.

Allahu i Madhëruar thotë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër”. Bekare 165.

O Zot, bëje dashurinë ndaj teje të jetë më e dashur se sa edhe dashuria ndaj shpirtrave tanë dhe se sa dashuria ndaj ujit të ftohët gjatë etjes së madhe.

 Nga arabishtja. Irfan JAHIU

BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT ALEJHI SALATU UE SELAM

Lavd-falënderimi i takon vetëm se Allahut. Atë e lavdërojmë dhe nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon me të drejtë adhurimi përveç se Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi, i biri i Abdullahit dhe rob i Allahut është i Dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata me të mira deri ditën e Kiametit.

O ju musliman, dijeni se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me cilësi më të larta, më i miri dhe më i dashuri në mesin e njerëzve dhe Allahu me dërgimin e tij e plotësoi begatinë mbi ne dhe tha: Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”. Teube 128. 

Nga butësia dhe durimi i tij na mjafton të dimë nga ajo që ditën e Uhudit ia përgjakën faqen e tij të bekuar dhe ia thyen dhëmbët dhe shokëve të tij kur e panë në këtë gjendje u erdhi shumë keq deri sa i than: O i Dërguar i Allahut, lutju Allahut kundër tyre? Iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar si mallkues po jam dërguar si mëshirë”. Dhe pastaj tha: “O Zot udhëzoje popullin tim për arsye se ata nuk e din të vërtetën”.

O ju robërit e Allahut shikoni këtë fjalë se çfarë mirësie ka përmbledhur në vetvete dhe shikoni gradat e mirësisë dhe moralit të lartë. Ata e lënduan dhe ai jo vetëm që nuk foli kundër tyre po ua fali dhe i mëshiroi dhe u lut për ta dhe pastaj e paraqiti shkakun e mëshirës dhe butësisë së tij me thënien e tij:”Populli im”, e pastaj kërkoi ndjesë për ta duke i arsyetuar me injorancë dhe tha: “Ata nuk e din të vërtetën”.         

Pas një beteje iu drejtua njëri dhe i tha: “Shpërndaji plaçkat me drejtësi o Muhamed, se me këtë ndarje nuk është i kënaqur Allahu”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Mjerë për ty, nëse unë nuk jam i drejtë kush do të jetë i drejtë. Allahu më bëri besnik në tokë mbi pasuritë e Tij e ti nuk më beson”.

Disa nga sahabët thanë: “Nuk e kemi parë ndonjëherë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, t’i bënte ndokujt padrejtësi apo t’i bie ndokujt me dorë, përveç se nëse ishte në luftë në rrugë të Allahut dhe asnjëherë nuk i ka ra shërbëtore apo grua”.

Ishte njeriu më i butë deri në skaj të mundësive të tij dhe durimtar ndaj asaj që shkaktonte neveritje dhe pakënaqësi dhe i përulur ndaj urdhrave të Allahut deri sa i tha atij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit”. Earaf 199, dhe poashtu i tha: Pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit”. Maide 13.

Sa i përket modestisë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, edhe pse kishte pozitë të lartë dhe ishte Pejgamber, ishte njeriu më modest dhe nuk ishte  mendjemadh. Mjafton ta dimë atë se Allahu ia mundësoi të zgjedhë mes Profecisë dhe mbretërisë apo mes Profecisë dhe të qenurit rob i Allahut, dhe ai e zgjodhi që të jetë Pejgamber dhe rob i Allahut.

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, një ditë doli duke qenë i mbështetur mbi shkop dhe kur e pamë u ngritëm të gjithë dhe na tha: “Mos u ngritni ashtu si ngritën jobesimtarët, të cilët e madhështojnë njeri tjetrin”.

Dhe tha: “Unë jam rob dhe ha ashtu siç ha robi dhe ulem ashtu siç ulet robi”.

Ai, alejhi salatu ue selam, hipte mbi gomar dhe i ulte të tjerët pas tij, i vizitonte të mjerët, u ulte me fukarat, iu përgjigjej ftesës së skllevërve, u ulte me shokët e tij dhe i shoqëronte nëpër ndeje.

Ai, alejhi salatu ue selam, me një hadith tha: “Mos e teproni me lavdërime ndaj meje siç e tejkaluan të krishterët me birin e Merjemes, pasi unë jam rob i Allahut (siç qe edhe Isai, biri i Merjemes), kështu që më thirrni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij”.

Kur u thërriste të han bukë nga elbi dhe yndyrë (dhjamë të shkrirë) asnjëherë nuk e refuzonte ftesën. Punonte në shtëpinë e vet, i shërbente familjes, i pastronte rrobat, e melte kafshën, i kryente nevojat e veta dhe ato familjare dhe hante me shërbëtorin.

Sa i takon moralit të tij, na mjafton thënia e Allahut të Madhëruar: “Ti je me virtyte madhore.Kalem 4.

Sad ibën Hisham, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: E pyeta Aishen, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, se si ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut dhe më tha: Ti a nuk lexon Kuran? I thash: Po. Atëherë më tha: Morali i tij ishte Kurani.

Kuptimi i fjalës së Aishes se morali i tij ishte Kurani është se pa marrë parasysh se çka e urdhëronte Kurani ai e vepronte dhe çka e ndalonte ai u largonte nga ajo. Nuk ka pasur njeri para tij dhe as nuk do të ketë njeri pas tij i cili është stolisur me cilësitë dhe moralin që e kishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam. Iu ligjësua Feja më madhështore që nuk iu kishte ligjësuar askujt para tij. Është i Dërguari dhe Lajmëtari i fundit dhe nuk ka të Dërguar dhe Lajmëtar pas tij. Ishte i turpshëm, fisnik, bujar, mëshirues, trim, i butë dhe posedonte cilësi që nuk  mundet të përshkruhen.

Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me fytyrë më të bukur dhe me moral më të mirë.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thonte se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, asnjëherë askujt nuk i ka ra me dorë, as gruas, as shërbëtorit, as skllavit, përveç se kur luftonte në rrugë të Allahut dhe kur i tejkalonte ndonjëri kufijtë e Allahut atëherë hakmerrej për hir të Allahut.

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre shënojnë një hadith nga Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili tha: “Nuk ishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i degjeneruar dhe i pamoralshëm dhe gjithmonë na porosiste dhe na thonte: “Me të mirët nga jush janë ata që janë të mirë me familjet e tyre”.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Unë i kam shërbyer Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, për dhjetë vjet, por kurrë nuk më tha: “Eh! (fjala më të lehtë për të treguar pakënaqësi) dhe as nuk më fajësoi për ndonjë gjë e të më thoshte: “Pse e bëre këtë?” Ose: “Pse nuk e bëre kështu?”.

Kurse sa i takon drejtësisë, sinqeritetit, besnikërisë dhe fjalorit të tij, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu më i drejtë, më i sinqertë, më i ndershëm dhe me fjalor më të pastër.

Këtë e pohuan të gjithë dhe në mesin e tyre edhe armiqtë e tij. Para shpalljes u emërtonte Besniku (Emin) për arsye të moralit të lartë që ia kishte pas dhuruar Allahu të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kur Kurejshit e ndërtuan Qabenë ranë në mospajtim se cili ta vendon Gurin e Zi në vendin e vet dhe propozuan mes tyre që i pari i cili hyn tek ata ai ta vendon Gurin në vendin e vet. Në ato momente hyri Muhamedi,  alejhi salatu ue selam, dhe të gjithë thanë ky është Muhamedi, ky është Besniku, dhe të gjithë u pajtuam që ky të vendon Gurin në vendin e vet, kurse kjo e tëra ishte para shpalljes.

Kur u takua Ahnes ibën Shurejk me Ebu Xhehlin ditën e Bedrit dhe të dy ishin armiqtë dhe kundërshtarët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e pyeti dhe i tha: O Ebu Xhehl, me ne nuk është askush prezent që ta dëgjon atë që e flasim, më trego sinqerisht Muhamedi a është rrenacak apo i sinqertë? Ebu Xhehli iu përgjigj: “Pasha Allahun, Muhamedi është i sinqertë dhe asnjëherë në jetën e tij nuk ka gënjyer”.

Armiqtë e tij i pohuan virtytet e tij dhe nuk kanë mundësi që të mohojnë asnjë nga vlerat e tij.

Argument rreth drejtësisë dhe modestisë së tij të madhe është se mbretërit iu nënshtroheshin, armiqtë e tij u shpartalloheshin, kurse ai, alejhi salatu ue selam, çdonjërit ia jepte kahun e vet dhe respektin e vet që e meritonte dhe nuk i bënte padrejtësi, deri sa thonte: “Unë dua që ta takoj Allahun duke mos më kërkuar asnjëri nga jush ndonjë hak për padrejtësinë që ia kam bërë në familje apo pasuri”.

Sa i takon bujarisë dhe fisnikërisë së tij, përcillen shumë argumente se ishte më bujari dhe fisniku.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin. Ai me të në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kuranin. Prandaj i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ishte më bujar se era e dërguar me mirësi të shumta.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “Nuk ka lypur ndonjëri prej Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, diçka vetëm se ia ka dhënë. Njëherë i erdhi një njeri, e Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i dha një tufë të madhe dhensh sa mund të zinte hapësira mes dy kodrave, e pastaj kthehet te populli i tij dhe iu thotë: o njerëz! Pranojeni Islamin sepse Muhamedi jep sikur ai i cili nuk i frikohet skamjes. Enesi thotë: edhe pse njeriu pranonte Islamin për shkaqe të dunjasë, nuk kalonte përveç një kohës së shkurtër dhe Islami bëhej më i dashur për të se sa tërë dynjaja dhe ajo që është në të”.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdoherë kur u kërkonte diçka nga ai asnjëherë nuk dinte të thotë, jo.

Ndodhte që i Dërguari i Allahut, alejhi salatu e selam, kur iu kërkonte diçka të mos posedon asgjë në atë moment, dhe shkonte merrte borxh dhe ia jepte atij që i kërkonte dhe asnjëherë dorën e askujt nuk e refuzonte.

Kjo ishte cilësi e njohur e tij edhe para shpalljes derisa Hatixhja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, i tha se ti i viziton të afërmit, po u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.

Sa i takon trimërisë së tij, ai, alejhi salatu ue selam, ka prezantuar në raste të vështira të njohura, nga të cilat raste kanë ikur trimat e mëdhenj më shumë se një herë. Ndërsa ai ka qëndruar aty, nuk është kthyer, ka mbetur në vendin e tij, ka ndejtur përballë tyre, nuk ka kthyer shpinën, as nuk është dridhur. Ai nuk ka ikur asnjëherë. Ai (Allahu) e ka mbrojtur nga kjo.

Ali ibën Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcillet se ka thënë: Kur lufta vështirësohej të skuqeshin sytë mbroheshim me Pejgamberin, alejhi salatu selam, asnjëri nuk ishte me afër armikut se ai! Po të më shihnit ditën e Bedrit se si neve strehoheshim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ishte më së afërmi me armikun. Ai atë dite ishte njeriu më i vështirë në luftë.

Përcillet nga Ebi Is’hak Sebiji se ka thënë: Një njeri e pyeti Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me ta, a ka ikur nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam?. Berau tha: Mirëpo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka ikur, fisi Heuazin atë ditë ishin gjuajtës, ne nuk i sulmuam ata, ata u ndalën, pastaj shkuan të marrin plaçkën, ata na pritën me shigjeta. E kam parë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, mbi mushkën e tij të bardhë, Ebu Sufjan ibën Harithi e kishte kapur prej litari, ai thoshte: Unë jam Pejgamber nuk jam gënjeshtar, une jam biri i Abdul Mutalibit.

Përcillet nga Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,  se ai ka thënë për trimërinë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në ditën e Hunejnit: Kur u takuan muslimanët me mushrikët, muslimanët filluan të ikin, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, filloi të nxisë mushkën e tij kah mushrikët. Unë e kapja prej litari që ta ndali nga dëshira që të mos shpejtonte.

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, se ka thënë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka qenë njeriu më i mirë, ai ishte më fisniku, ai ishte më trimi nga njerëzit! Një natë banorët e Medinës u trishtuan nga një zë. Disa njerëz u nisën kah ana e zërit, ata e takuan Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, ai i kishte parakaluar tek vendi i zërit. Ai ishte mbi një kalë të Ebu Talhasë, pa samarë në qafën e tij, kishte varur shpatën, ai tha: “Nuk jeni kujdesur, nuk jeni kujdesur”.

Këto ishin disa nga virtytet e shtrenjta dhe cilësitë e larta dhe të ndershme me të cilat e zbukuroi Allahu i Madhëruar të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT ALEJHI SALATU UE SELAM DHE EMRAT E TIJ

Detyrim i çdo muslimani është që ta njohë të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, ta njohë prejardhjen e tij fisnike, vendlindjen e tij fisnike, pamjen e tij të bukur, virtytet e tij bujare, etj, dhe çdo herë që shtohet dija e muslimanit mbi të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, aq më shumë i shtohet dashuria ndaj të Dërguarit të tij, alejhi salatu ue selam, e pason më shumë traditën e tij dhe i nënshtrohet sheriatit të tij. Në këtë na nxiti dhe na këshilloi Allahu i Madhëruar dhe tha: Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur”. Sebe 46.

Allahu i Madhëruar na lajmëroi se jobesimtarët po të kishin gjykuar në sinqeritetin dhe besnikërinë e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe në atë që u dallonte ai nga besnikëria para shpalljes  dhe po ta kishin njohur fisnikërinë e  prejardhjes dhe vendlindjes së tij, do t’i besonin atij, dhe për këtë arsye Allahu tha: “Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre, prandaj e mohojnë atë?”. Muminun 69.

Mjaftonte që vetëm ta shikosh një herë në fytyrën e tij fisnike dhe të bindesh në sinqeritetin e tij. Kjo edhe ndodhi me Abdullah ibën Selam kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: “Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari”.

Nëse shenjat e devotshmërisë dhe dritës së besimit paraqiten në fytyrat e njerëzve të mirë dhe të devotshmëve, atëherë si është me më të mirin e të devotshmëve dhe imamin e tyre, Muhamedin, alejhi salatu ue selam. Për këtë arsye muslimani detyrohet ta njeh të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, derisa ta njeh vlerën e tij dhe të vepron me atë që detyrohet ndaj tij, alejhi salatu ue selam.

Imam Tahaviu, Allahu e mëshiroftë, duke e qartësuar se si duhet të jetë besimi i muslimanit në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Muslimani duhet të beson se Muhamedi është robi i Allahut i zgjedhur, Lajmëtari i Tij dhe i Dërguari i Tij i  dalluar, vula e Pejgamberëve, imam i të devotshmëve, zotëria i të Dërguarve, i dashuri i Zotit të botëve, dhe çdo pretendim i Profecisë pas tij është e kotë dhe pabazë dhe ai është i Dërguar i njerëzve dhe xhindeve me të vërtetën dhe udhëzim  dhe me dritë dhe me shkëlqim”.

Çdo gjë në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thërret në dashurinë e tij, ai është njeriu me prejardhje më të ndershme dhe poashtu të Dërguarit, ata janë me prejardhje më të ndershme në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thonte: “Allahu dalloi fisin Kinan nga bijtë e Ismailit, dalloi fisin Kurejsh nga Kinanët, nga Kurejshët dalloi lozën e Hashimit, kurse mua më dalloi nga familja Beni Hashim”.

Ibën Halduni, Allahu e mëshiroftë, e cek në fjalimin e tij rreth shenjave të Profecisë se nga shenjat e tyre poashtu është të jenë me origjinë më fisnike në mesin e popujve të tyre.

Hirakli kur e pyeti Ebu Sufjanin për origjinën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Sufjani iu përgjigj se ai në mesin tonë është me prejardhje më të ndershme. Atëherë Hirakli i tha se unë të pyeta për origjinën e tij dhe e përmende se ai është me i miri në mesin e juaj, kështu janë të Dërguarit e Allahut, më të mirët me origjinë në mesin e popujve të tyre.

Baballarët e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, ose kanë qenë Pejgamber si Ibrahim dhe Ismaili, alejhim selam, ose burra me pozita dhe me nder të lartë në mesin e popujve të tyre.

Umu Hani, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu i dalloi Kurejshët nga të tjerët me shtatë veçori që nuk i janë dhënë askujt para tyre dhe as do t’i jepen dikujt pas tyre: Pejgamberia është tek ata, hilafeti është tek ata, veshja e Qabesë është tek ata, dhënia ujë haxhilerëve është tek ata, ngadhënjyen me ndihmën e Allahut ndaj ushtrisë së pronarëve të elefantëve dhe të vetmit ata e adhuruan Zotin për shatë vjet, (në një transmetim tjetër për dhjetë vjet), kur të tjerët nuk e adhuronin (fjala është për të parët në Islam si Ebu Bekri, Aliu, etj.), dhe enkas për ta, pra Kurejshët, ka zbritur një kaptinë e posaçme nga Kurani, në të cilën nuk përmendet askush tjetër përveç tyre: “(Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh”. Kurejsh 1.

Ai, alejhi salatu ue selam, është Ebu Kasim Muhamed ibën Abdullah ibën Abdul Mutalib ibën Hashim ibën Abdumenaf  ibën Kusaj ibën Kilab ibën Mureh ibën Kab ibën Luej ibën Galib ibën Fahër – i quajtur Kurejsh, sipas tij, fisi mori emrin, ibën Malik ibën Nadar ibën Kenaneh ibën Huzejme ibën Mudrikeh ibën Ilijas ibën Mudar ibën Nazar ibën Mead ibën Adnan. Kurse Adnani padyshim se është prej bijve të Ismailit birit të Ibrahimit, alejhim selam.

Vendlindja e tij është Mekja, vendi më fisnik në tokë dhe vendi më i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam, dhe namazi në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze në xhamitë tjera përveç xhamisë së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në Medine dhe xhamisë së Aksas.

Kurse sa i takon emrave të tij, alejhi salatu ue selam, thuhet se i ka nëntëdhjetë e nëntë emra.

Xhubejr ibën Mutim përcjell nga baba i tij, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Unë i kam pesë emra. Unë jam Muhamed, Ahmed, El-Mahi- Ai me të cilin Allahu e fshin kufrin, El-Hashir- personi në shenjat e këmbëve të të cilit Allahu do t’i ngjallë njerëzimin, El-Akib-pas të cilit nuk ka profet tjetër”.

Nga emrat e tij që janë përmendur në Kuran janë. “I mëshirshëm, pishtarë ndriçues, përgëzues, qortues, thirrës kah Allahu, besnik, i mbuluar, i mbështjellur, udhëzues, i sinqertë, i Dërguar i pendimit, i Dërguar i mëshirës, etj”.

Nofka e tij ishte Ebu Kasim (Baba i Kasimit) sipas emrit të djalit të tij të madh i cili ishte më i madhi nga fëmijët dhe i cili vdiq para shpalljes dhe kjo nofkë nuk futet në mesin e emrave të tij.

Përcjell Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte në treg dhe një njeri i tha: O Ebu Kasim. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u kthye dhe i tha. “Vini emrin tim, por mos vini nofkën time”.

Kurse sa i takon grave të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, numri i dakorduar rreth grave të tij është njëmbëdhjete. Dy prej tyre kanë vdekur duke qenë i gjallë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe emrat e tyre janë : Hatixhe, Seuda, Aishe, Umu Habibe, Umu Seleme, Zejneb bint Xhehsh, Mejmuneh, Xhuvejrijeh, Safijeh, dhe dy ishin robëresha Marija dhe Rejhaneh bint Zejd dhe thuhet bint Shemun, Allahu qoftë i kënaqur nga ato.  

Kurse sa i takon fëmijëve të tij, alejhi salatu ue selam, ai i kishte shtatë fëmi, tre djem e katër vajza.

Djemtë ishin: Kasimi i cili ka qenë djali i parë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur përpara se t’i zbriste shpallja dhe ka vdekur duke qenë fëmijë, ndërsa disa thonë se ka jetuar deri në atë moshë kur ka mundur të kalërojë.

Abdullahu, ka qenë djali i dytë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur pas shpalljes së Islamit, dha ka vdekur qysh duke qenë fëmijë.

Ibrahimi, është djali i tretë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur në vitin e tetë hixhrij, dhe i cili ka vdekur si foshnje shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muajsh.

Vajzat ishin: Zejnebi, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ka qenë vajza më e madhe e Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Ka lindur pesë vite pas martesës së tij, ndërsa ka vdekur në fillim të vitit të tetë të hixhrij. Dhe e martoi Ebu As ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.  

Rukija, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ka lindur tre vite pas Zejnebit, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ndërsa ka vdekur në kohën e Betejës së Bedrit dhe ishte gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.

Umu Kulthumi, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ka lindur pas Rukijes dhe ka vdekur në vitin e nëntë hixhrij dhe poashtu ka qenë gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai. .

Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ka lindur pesë vite para shpalljes së Islamit, ndërsa ka vdekur gjashtë muaj pas vdekjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, dhe është martuar me Aliun, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.

Kurse sa i takon fizionomisë së tij të bukur dhe virtyteve të tij larta:

Ai, alejhi salatu ue selam, ishte i bukur dhe tërheqës. Me sy të zi, me shikim të thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata. Në zërin e tij ndihej ngjirje. Me qafë të gjatë. Symadh. Sysurmë. Me vetulla të gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Me flokë shumë të zeza. Kur heshte, u shquante qëndrimi i tij dinjitoz dhe maturia, e kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. Ka pasur gojë të bukur dhe sy të mëdhenj. Nuk ka qenë i trashë. Ka qenë shtat mesatar, shpatullgjerë. Flokët i kishte të gjata gjer te pulpat e veshëve. I kishte flokët gjysmë kaçurrela të zeza, si dhe mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte Pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “As ambrit as miskut nuk i vinte erë më e këndshme se e lëkurës së Muhamedit, alejhi salatu ue selam“.

Allahu i Madhëruar e ruajti dhe e mbrojti të Dërguarin e Tij, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, para shpalljes në fëmijërinë e tij nga fëlliqësirat e injorancës. U kujdes për të, e zgjodhi në mesin e njerëzve, ia ngriti vlerën dhe emrin dhe nga ajo mbrojtje ishte mbrojtja e tij nga idhujtaria dhe ai nuk e adhuroi askënd tjetër përveç Allahut. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i kishte pas thënë Hatixhes: “Oj Hatixhe, pasha Allahun nuk e adhuroj Latin dhe Uzën( dy idhuj që adhuroheshin nga Kurejshët)”.

Poashtu ai, alejhi salatu ue selam, nuk i hante kafshët të cilat thershin për idhujt e jo për Allahun.

Poashtu ai, alejhi salatu ue selam, para shpalljes qëndronte ditën e Arafatit në Arafat në kundërshtim me atë që e shpikën populli i tij nga mos qëndrimi i tyre në Arafat dhe më vonë edhe sheriati i Muhamedit, alejhi salatu ue selam, erdhi me ligjin e qëndrimit në Arafat ditën e Arafatit ashtu siç tha edhe Allahu i Madhëruar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët”. Bekare 199.

Xhubejr ibën Mutim, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,  tregon: “Ditën e Arafatit më humbi deveja dhe dola për ta kërkuar, kur pashë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam,  duke qëndruar në Arafat. Thashë me vete: “Për Allah! Ai është nga Hums. Ç’do ai këtu? Ç’e ka sjellë atë këtu?”.

Poashtu Allahu e mbrojti nga shpalosja e pjesëve të turpshme apo të paraqitet lakuriq.

Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell dhe thotë: “Kur është rindërtuar Qabeja, ka shkuar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam,  dhe Abbasi të bartin gurë, dhe Abbasi i ka thënë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Vëre një teshë në qafë”. Ai pastaj është rrëzuar për tokë i trullosur, me sy të drejtuar kah qielli dhe ka thënë: “Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia. Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia”. Pastaj e shtrëngoi rreth vetes”.

Kurse sa i takon lindjes së tij, alejhi salatu ue selam: u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë rebiul evel, thuhet poashtu tetë, dhjetë, dymbëdhjetë, dhe në këtë të fundit anojnë shumica e dijetarëve, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras.

Gruaja që ndihmoi në lindjen e tij emërtoheshe me emrin Umu Ejmen kurse gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvejbia, e mbrojtura e Ebu Lehebit.

I është thënë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, se si është fillimi i çështjes tënde?

Është përgjigjur, alejhi salatu ue selam: “Unë jam lutja e Ibrahimit, përgëzimi i Isait, dhe nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”.

Thënia e tij lutja e Ibrahimit, alejhi selam, është thënia e Allahut: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”. Bekare 129.

Përgëzimi i Isait, alejhi selam, është ai që na e tregoi Allahu në Kuran: “Dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas mej”. Saf 6.

Kurse për thënien e tij “nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”, ibën Rexheb el Hanbeli thotë: “Dalja e kësaj drite në momentin e lindjes është argument i ardhjes së tij me dritë që do të udhëzohen  banorët e tokës dhe do të largohet nga ajo errësira e shirkut ashtu siç thotë Allahu në Kuran: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (I Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë”. Maide 15-16.

Dhe poashtu tha: “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. Earaf 157.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Veçimi i Shamit në hadith se do të paraqitet drita atje aludon në përqendrimin e fesë së tij dhe profecisë së tij në shtetet e Shamit dhe për këtë arsye Shami para Kiametit do të jetë fortesë e Islamit dhe muslimanëve dhe në të do të zbrit Isa, alejhi selam, në lindje të Damaskut tek minarja e bardhë, dhe për këtë në një hadith ka ardhur se: “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im të patundur nën urdhrin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga kushdo që i kundërshton”.

Në një transmetim që e shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë: “Ata do të jenë në Sham”.

Nga arabishtja. Irfan JAHIU

SHENJAT E DASHURISË NDAJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT ALEJHI SALATU UE SELAM

Allahu i Madhëruar e detyroi mbi ne dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe e bëri kusht që kjo dashuri të jetë më e fortë se dashuria që e ndjejmë ndaj prindërve dhe fëmijëve tanë, akraballëkut dhe grave dhe pasurisë sonë dhe iu kërcënua atyre që i japin përparësi dashurisë së tjerëve para dashurisë së Allahut apo të Dërguarit të Tij apo luftës në rrugë të Tij dhe tha: Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin(dënimin) e Tij”.  Teube 24. Dhe në fund të ajetit Allahu i bëri mëkatar duke thënë: “Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. Teube 24.

Kjo dashuri është detyruese për secilin njeri. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do te ketë askush besim te përsosur përderisa unë të mos jem tek ai më i dashur se fëmiu, prindi dhe tërë njerëzit tjerë”.

Nëse dëshiron ta dish se kush meriton më së shumti dashuri, respekt, nder, fisnikërim dhe pasim, i Dërguari i Allahut apo prindërit, do të vëresh se më meritor është Muhamedi, alejhi salatu ue selam, për arsye se prindërit janë shkak i ekzistimit tënd në këtë dynja kalimtare kurse i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është shkak për hyrjen tënde në xhenetin e Allahut, madje ai, alejhi salatu ue selam, është më i përafërt për ne, se sa na vet për njëritjetrin: “Dërguari  është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëritjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre”. Ahzab 6.

Muslimani detyrohet që ta flijon jetën, pasurinë, familjen dhe fëmijët për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam: “Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij”. Teube 120.

Përcjell Abdullah ibën Hishami se derisa ishim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ia kapi dorën Omerit. Omeri i tha: O i Dërguari i Allahut! Për Zotin ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtarë i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote“. Omeri tha: Tani o i Dërguari i Allahut je edhe më i dashur se sa vetja ime. Tani o Omer (u plotësua besimi yt)“. –ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Kjo dashuri e plotë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, jep fryte në këtë dynja dhe në ahiret. Nga ato fryte është shijimi i ëmbëlsisë së besimit ku i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Kush i posedon tri cilësi ai veç ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Ta doje Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo kë tjetër, ta doje një njeri vetëm për Allahun dhe ta urrej kthimin në injorancë dhe mosbesim sikur që e urren hedhjen në zjarr”.

Nga frytet e kësaj dashurie poashtu është se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është në xhenet me të.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam: Kur është kiameti? -“E çka ke përgatitur ti për të?”. –pyeti Pejgamberi, alejhi salatu ue selam. -Nuk kam përgatitur shumë namaz dhe agjërim por megjithatë unë e dua (shumë) Allahun dhe të Dërguarin e Tij. -“Ti do të jesh (në xhenet) me ata që i do”. –ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Enesi thotë se nuk jemi gëzuar asnjëherë më parë se sa kur e dëgjuam fjalën e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam: “Ti do të jesh (në xhenet) me ata që i do”. Enesi vazhdoi dhe tha: “Unë e dua të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Bekrin dhe Omerin dhe shpresoj që të jem së bashku me ta edhe nëse nuk mundem t’i arrij veprat e tyre”.

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se një njeri erdhi deri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “Një njeri e do një popull, por nuk mund t’i arrijë ata”. Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: “Njeriu do të jetë Ditën e Gjykimit me atë që do”.

Kjo dashuri e plotë i ka disa shenja dhe ai i cili i vëren në vetveten e tij vetëm se e ka plotësuar dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe le ta përgëzon veten me shijimin e ëmbëlsisë së imanit dhe shoqërimin e të  Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, në xhenet.

– Si shenjë e parë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është kur nëse robit i jepet mundësia të zgjedh mes humbjes së diçkaje nga gjërat e dynjasë dhe humbjes së shikimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nëse ajo është e mundshme, robi e zgjedh të parën. Kjo cilësi ishte prezente tek sahabët dhe për këtë arsye ata ishin të kujdesshëm që ta shoqërojnë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në dynja dhe ahiret.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thonte: “Në ditën kur ka hyrë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në Medine, është ndritur në të çdo gjë; ndërsa në ditën që ka vdekur, është errësuar në të çdo gjë. Nuk jemi ndarë nga varrimi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, vetëm se mërzia në zemrat tona ka tejkaluar çdo kufi”.

Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut. Ti je më i dashur tek unë se sa edhe vetja ime , ti je më i dashur tek unë se sa fëmijët e mi, kur jam në shtëpi më kujtohesh dhe nuk mundem të bëj durim e mos të vij e ta shoh fytyrën tënde. Nëse e kujtoj vdekjen time dhe tënden e di se kur ti hyn në xhenet do të jesh me të Dërguarit kurse unë nëse hy në xhenet frikohem se nuk do të shoh. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk i dha përgjigje derisa zbriti Xhibrili, alejhi selam, me këto ajete: Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët!”. Nisa 69.

– Shenjë e dytë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është flijimi i shpirtit dhe pasurisë për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. 

Ebu Sufjan ibën Harb, i cili në atë kohë ende nuk ishte në Islam, e pyeti Hubejb ibën Adij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilin e kishin pas zënë rob jobesimtarët e Mekës dhe e nxorën ta mbysin jashtë Haremit të Mekës, duke i thënë: “O Hubejb të betohen në Allah, a kishe pasur dëshirë që Muhamedi të ishte në vendin tënd dhe t’ia këputnim kokën atij kurse ti të ishe te familja jote? U përgjigj: “Pasha Allahun nuk dua që Muhamedi të jetë në vendin e tij kush është tani dhe atë ta godet therë që e dëmton e unë të jem te familja ime”. Ebu Sufjani tha: “Nuk kam takuar askënd prej njerëzve që e donë ndokënd siç e dojnë shokët e Muhamedit Muhamedin”.

Zejd ibën Thabit, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më dërgoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ditën e Uhudit për ta kërkuar Sad ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, dhe më tha: “Nëse e sheh dërgoj selam nga unë dhe thuaji se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, të pyet se a je nga të gjallit apo nga të vdekurit. Sad ibën Rebia tha: Edhe ti dërgoi të Dërguarit të Allahut selam dhe poashtu selami qoftë mbi ty dhe thuaj se unë e nuhati erën e xhenetit dhe ia përcjell edhe një selam shokëve të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe thuaju: Sad ibën Rebia ju banë selam dhe ju thotë: “Dine fort mirë, se nuk keni arsye te Allahu nëse Pejgamberi i Allahut ngacmohet, nëse Pejgamberi i Allahut shqetësohet e ende syri juaj lëviz dhe jeni gjallë”

– Shenja e tretë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është nxitimi në respektimin e urdhërave që i urdhëroi dhe largimi nga ajo që e ndaloi.

Kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i urdhëroi shokët e tij të dalin për në Hamraul Esed që ta përcjellin ushtrinë e Ebu Sufjanit dhe kjo ndodhi vetëm se një ditë pas betejës së Uhudit, ata nuk i thanë: jemi kthyer dje, kemi të plagosur dhe të lodhur në mesin tanë, por ata iu përgjigjën urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, edhe pse ishte shumë i rëndë për shpirtrat e tyre për arsye se ata i donin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, dhe Allahu këtë ua shënoi në librin e Tij duke zbritur ajete që do të lexohen deri Ditën e Kiametit: “Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh. (Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha”. Ali Imran 172-174.

Poashtu nga ajo dashuri që e shfaqën sahabët ishte edhe derdhja e alkoolit kur erdhi ndalesa për të.

Përcjell imam Buhariu nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili tregon: “Ne nuk kishim tjetër pije alkoolike, veç asaj që prodhonim nga hurmat dhe që e quanim fadih. Një herë, kur isha në këmbë duke u shtënë pije Ebu Talhasë, filanit dhe filanit, erdhi një burrë dhe tha: “A ju ka mbërritur lajmi?” I thanë: “Ç’është ai lajm?” Ai tha: “Pijet alkoolike janë ndaluar.” Ata më thanë: “Derdhi këto poça, o Enes!”-, dhe nuk pyetën për to e nuk iu kthyen më atyre pas lajmit që solli ai burrë.

– Shenja e katërt nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kapja dhe përkrahja e synetit të tij dhe mbrojtja e sheriatit të tij.

Shembull praktik e kemi rastin e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,  kur njerëzit i dhanë besën Ebu Bekrit si udhëheqës. Ai vendosi menjëherë të dërgonte ushtrinë e Usames tek romakët. Disa nga sahabët u përpoqën ta pengonin nga ky vendim, ose ta vononin për pak kohë, duke parë rreziqet e ndryshme që mund t`u kanoseshin muslimanëve nga romakët apo të krishterët e Shamit, pse jo edhe nga dezertorët, të cilët vazhdonin të kishin forca të konsiderueshme në atë kohë.

Ebu Bekri nguli këmbë që ta dërgonte ushtrinë e Usames dhe tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Edhe nëse do të më merrnin egërsirat, unë do ta nisja ushtrinë e Usames, siç urdhëroi Pejgamberi, alejhi salatu ue selam“.

Në një version tjetër thuhet: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Sikur të gjithë arabët të vërsuleshin, kjo do të kishte qenë më e dashur për mua, sesa ta mbaj peng një ushtri që donte ta dërgonte i Dërguari i Allahut”.

Poashtu shembull praktik e kemi edhe rastin e Haram ibën Milhan, Allahu e mëshiroftë, i cili u gëzua tej mase me ramjen e tij si dëshmor duke e përcjellur mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dërgoi shtatëdhjetë burra nga fisi Beni Sulejm te fisi Beni Amir. Kur ata mbërritën atje, daja im u tha: “Unë po shkoj përpara jush dhe, në qoftë se ata më lejojnë mua të njoftoj mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, (kjo do të jetë shumë mirë), përndryshe të më qëndroni pranë.” Kështu, ai shkoi përpara tyre dhe paganët (e fisit Amir) i dhanë atij besë e siguri. Por, kur po u shtjellonte mesazhin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ata i bënë me shenjë njërit prej njerëzve të vet, i cili e plagosi atë për vdekje me shigjetë. Daja im (i plagosur) thirri: “Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi)! Fitova, për Zotin e Qabesë!”.

O Zot ngrite Islamin dhe muslimanët dhe poshtëroi kufrin dhe jobesimtarët dhe ngrite lart flamurin e të vërtetës dhe fesë. O Zot, shtona dashurinë ndaj të Dërguarit tanë, alejhi salatu ue selam, dhe bëna nga ata që e pasojnë rrugën dhe traditën e tij.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top