Porosi ramazani
Muaji i bekuar i ramazanit është një shans i madh që muslimani të afrohet më tepër me Zotin e tij nëpërmjet ibadeteve (adhurimeve) të zemrës, përmendjes (dhikrit) me gojë dhe veprave praktike, muslimani përpiqet fort në çdo çast të këtij muaji që të përfitojë sa më tepër duke bërë vepra të mira.
"Me qëllim që të bëheni të devotshëm", një nga qëllimet kryesore të agjërimit të muajit të ramazanit është devotshmëria, medito në vetvete sa po e realizon këtë qëllim (devotshmërinë) me agjërim në zemrën tënde dhe gjytyrët e tua, bëj krahasim nëse ke ndryshim ndërmjet këtij muaji dhe muajve të tjerë.
Ke planifikuar për një program të caktuar dhe të posaçëm për leximin e Kuranit gjatë muajit të bekuar të ramazanit? Dhe pse jo ky program të vazhdojë edhe në muajt pasardhës mbas ramazanit?! Nëse nuk ke bërë një program ende, nxito dhe mos i neglizho sevapet të këtilla që shpërblehen me dhjetë fish.
Gjuhës tënde gjatë ramazanit të begatë kushtoji orë të gjata dhe lidhe me dhikrin (përmendjen) e Allahut në çdo situatë që të ndodhesh, kështu të përgëzoj se do ti shtosh pemët që mbillen për ty në xhenet. Gjuha jote duhet të qëndrojë gjithmonë e ujitur me dhikrin e Allahut, dhikri i Allahut janë pemët e xhenetit.
Përkujdesu për namazin e taravive i cili është në një kohë të caktuar, të shkurtër, të lehtë dhe të lezetshme, madje mund edhe të barazohet me një natë të plotë namaz nate, Pejgamberi ka thënë: "Kush qendron (falet) me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur të ketë bërë namaz gjithë natën". Mos bjer pre e mashtrimit të shejtanit dhe të shkëputesh nga imami duke humbur kështu mundësinë e këtij sevapi (shpërblimi) të madh.
Mos e anashkalo duanë (lutjen), Allahu është afër dhe i përgjigjet lutjes tënde nëse dëshiron, por sidoqoftë nga njëra prej këtyre të trejave ti do të përfitosh: 1- Të prahohet lutja. 2- Një e keqe e ngjashme që mund të të godiste shmanget. 3- Të regjistrohet për ty si sevape që do ti gjesh ditën e gjykimit. Ciladoqoftë nga këto të treja të realizohet ti je i fituar, kështu që bej lutje sa më tepër për veten, prindërit dhe të gjithë muslimanët në përgjithësi.
Po ashtu bëj edhe një program të posaçëm për sadaka (lëmoshë) gjatë këtij muaji në veçanti por edhe jashtë tij sigurisht, lëmosha për ty shtohet dhe ka bereqet. Lëmoshë nënkupton të japësh nga pasuria që ti zotëron me qëllim që ta gjesh atë në llogarinë tënde në ahiret (botën tjetër).
Katër vepra shumë të çmueshme: 1- Të japësh ushqim, 2- Të marësh pjesë në xhenaze, 3- Agjërimi, 4- Vizita e të sëmurit. Këto katër vepra janë një mundësi e shkëlqyer për ti realizuar dhe bashkuar në ramzan. Pejgamberi ka thënë për këto katër: "Po u bashkuan te një person ky do të hyjë në xhenet" Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Çdo çast në ramazan është madhështor dhe i çmueshëm, mos mendo se do të jesh rehat prej shejtanit, përkundrazi ai do të përpiqet me çdo mënyrë që mundet të bëjë ty që ta humbësh kohën. Po ashtu kujdes me gjuhën tënde dhe mendohu mirë përpara se të flasësh.
Tregohu i kujdesshëm dhe mësoji rregullat e agjërimit duke pyetur, dëgjuar apo lexuar dhe mos vepro me kokën tënde, mëso si Pejgamberi ka agjëruar, si ka bërë syfyr dhe çdo gjë tjetër me qëllim që të jesh i sigurt për shpërblimin dhe veprën që bën.
Mos u ngut dhe të japësh fetva (sqarim fetar) sepse ai që jep fetva është si mjeku dhe ai që pyet si i sëmuri, kështu që nëse nuk e di më mirë thuaj "Allahu Alem – Allahu e di më së miri", sepse nëse përgjigjesh pa patur dijeni atëherë për shkakun tënd të tjerët do të veprojnë diçka të gabuar dhe kjo është tepër e rrezikshme.
Ka thënë i dërguari i Allahut: "Kush e agjëron ramazanin me besim dhe përllogaritje të vetvetes, atij do ti falen gjynahet e kaluara dhe kush fal namaz nate gjatë ramazanit me besim dhe përllogaritje te vetvetes do ti falen gjynahet e kaluara". Me besim nënkupton besimin me bindje në shpërblimin e Allahut dhe me përbllogaritje që vepra të jetë plotësisht e sinqertë për Allahun, këto janë dy kritere për arritjen e faljes së mëkateve.
Është e rëndësishme të bësh itikaf , itikaf është ngujimi në xhami me qëllim të ibadetit (adhurimit), nëse ke hyrë në itikaf tregohu i kujdesshëm me rregullat e tij, sepse shejtani është vigjilent për të ta prishur, tregohu i kujdesshëm me brendshmërinë tënde, sepse ajo është e fshehtë dhe ilaçi i saj është duke e përforcuar me praktikimin e një itikafi të saktë dhe të kesh njohuri rreth mënyrës së praktikimit të Profetit.