Koha
Vepra e mirë e bërë dje, bëhet një dritë në rrugëtimin tënd sot. Ajo rreze që futi ngrohtësi në shpirt, t'i mori sytë kur deshe ta shikosh. Në secilin hap tëndin të bërë përpara, dëshmon për kohën tënde të kaluar më herët. Gjurmët që i le, i vërejti tjetri që erdhi pas teje. Edhe fjala që shpërtheu nga gjuha, do të vijë koha kur do të depërtojë te veshi. Me lapsin në dorë, kohës iu vodh një copë nga jeta e saj për t'u bërë ngjyrë në letër për dikë që më vonë do ta lexojë.
Një jetë e shkrirë në ditët dhe netët e orës rezulton të përshkruhet me dy-tri fjalë goje. Zemra, brumi i ndjenjave kur arrin të zgjohet nga gjumi para se të lind dielli, është shiu i bereqetshëm që në shpirt e mbjell lulen e jetës me qëllim gjatë ditës ta bart me vete kah do që të shkojë. Pasi dielli s'ka kohë të ndalet që të pushojë, pse unë ta privoj vetën që të mos bëhem diell në zemrën e tjetrit?! Kur kam mundësi t'ia shtrij dorën, pse ta privoj nga ngrohtësia e përkëdheljes. Kur mund t'ia fshij lotin, pse ta bëj të qaj?!
Në çastin kur loti përshëndetet me syrin, e harrojnë kohën e qëndrimit të tyre bashkë. Ajo urë që zemrat i ndau, bëri që kujtimet të jetojnë në të, dhe bëri që loti t'i shoqërojë zemrat aq kohë që janë larg njëra-tjetrës. Thuaje një fjalë që edhe koha do ta mbajë mend, por mos mbaj mend çdo fjalë që dëgjon me kalimin e kohës. Vepra e mirë që edhe syrin e kthjelli të shikojë më mirë, ndikoi që zemrës t'i japë një qetësi që në heshtje ta përjetojë edhe pas kryerjes. Nëse nuk arrin ta përthekosh kohën me duart e tua, bëji zemrës një vend në kopshtin e saj, dhe lëshoje në të që të lëviz e lirë.
Mundësoji të jetojë në heshtje që edhe fjalët do të tregohen të varfra për ta përshkruar mirëqenien që e ka. Kur ushqimin do t'ia afrosh me kohë, edhe frutat do të mund t'ia korrësh sipas stinës. Pasi jeta e njeriut lundron në kohë sikurse anija që lundron në det, po arriti të drejtojë sikurse duhet me busullën, me lehtësi do t'i tejkalojë sprovat që has në të dhe me butësi do t'i thith mirësitë që dalin prej aty. Derisa e shfrytëzon, konsiderohet e jotja, mirëpo nëse e shpërfill, shfrytëzohet kundër teje.
Ekskluzivisht per Bujaria
Nga libri ende i pabotuar "Rruga e lotit"
Blerim Muhaxheri