Sinqeriteti

Orange Mushrooms Near Waterfall 600x400Kur fjala nxitet të dalë nga sinqeriteti do të rezultojë me pastrimin e nijetit dhe do të bëjë që vëmendjen ta përqendrojë në zemrën e pranuesit të fjalës. Kur ngjallet një zemër pasi të përjetojë vyshkjen aty do të lind dielli që të ngroh fytyrën pasi më herët retë e kishin mbuluar. Fjala e zgjati dorën të marrë kujtimin që i mbeti nga e kaluara, e kjo bëri që përjetimi të lë gjurmë në të, kurse koha mbeti e harruar prej saj me ç'rast shfletimi në faqen e re të librit, i la të shkuara.

 

Aty ku lëngu i sinqeritetit u derdh në letër, shkronjat zunë vend në zemrën e lexuesit. Ashtu duke u përpjekur të dëgjojë dikë në heshtje, fjalët u humbën në errësirën e botës ku zhurma u paraqit si lajmëtar që ndjenjat t'i nxjerr në shesh. Një ndjenjë u zgjua nga "gjumi" ku u kujtua se shpenzimin që e bën për të dashurin fare s'të dhimbset, e çfarë mund të thuhet kur ia jep një fjalë zemre atij që paraprakisht zemrën ia ke dhënë?! Pse pikërisht në zemrën e të dashurit dhimbje shkakton vetëm se i dashuri, erdhi përgjigjja e saj për pyetjen e shtruar.

 

Heshtja e zuri vendin e fjalës, me ç'rast lejoi që malli ta pushtojë zemrën, e ajo mbeti viktimë e dashurisë, por një vrimë që arriti ta shikojë dritën e gjeti te loti i cili u bë ngushëlluesi më i mirë. Për fjalën e mirë kurrë nuk bëhet vonë të thuhet. Zemra, një vatër e ndjenjave të ndryshme deshi të mirën ta mbajë afër vetës, me qëllim të jetojë në mirësi. Fjalët nevojiten të afrojmë dikë që e kemi larg, kurse një hap i vogël nevojitet të marrim që dikujt që është larg t'i qëndrojmë afër. Pasi largësinë njeriu e ndien veç me trup, ndjenjat i ka të lidhura me të, e në jetë ai do t'i përmbahet rregullit: "Jetën do ta kalojë me dikë që kurrë nuk do t'ia largojë largësinë, por vetëm do t'ia plotësojë ndjenjat!" Sërish doli sinqeriteti i cili një shtytje i dha dhimbjes që e nxiste të vuajë nga gjurma që s'shihej, por që linte pasoja, ku ngushëllim gjeti në fjalën: "Këtë gjendje që ke sot, s'mund ta kesh nesër, kurse ajo që do të ndodhë nesër, nuk mund ta dish sot!" Ndjenja e qetësisë e mbuloi zemrën në çastin kur e kuptoi fjalën e pathënë të zemrës tjetër, por u bind në faktin se fjala nuk mund ta thotë tërë atë që do zemra.

 

E lutësi u pajtua me të se një fjalë lutjeje nuk e tregon tërë kërkesën e lutjes, porse e shpreh dëshirën e shpirtit. Ai u kujtua se për ta arsyetuar dikë duhet ta dish arsyen, kurse për ta falur dikë duhet ta pranosh pendimin. Zemrës nuk i mbeti asgjë tjetër, veç ta thotë fjalën që flinte në të: "Dashuria lind te njeriu pa pritur, e pastaj në jetë duhet të presë dikë që ta dojë. Më mirë është për njeriun ta mbajë mendimin pa e thënë se sa ta thotë pa e menduar!" Ndaj, pranoje fjalën nga kuptimi i fjalës, e jo nga thanësi i saj.

 

Ekskluzivisht per Bujaria

Nga libri ende i pabotuar "Rruga e lotit"

Blerim Muhaxheri

Top