Si fillon muaji i ramazanit

sifillonramazaniiShpallja e fillimit dhe e mbarimit të ramazanit, nuk është çështje e masës së gjerë apo e individit, por është çështje e autoritetit dhe përfaqësuesit musliman, vendimi i të cilit shkon dhe gjen pranim te kolektivi dhe komuniteti musliman. 
 
Madje në jurisprudencën islame nënvizohet se, nëse trupi autoritativ i muslimanëve e refuzon dëshminë e një individi (që, me shikim të lirë e ka parë hënën e re), ky si individ obligohet (sipas shumicës së dijetarëve) që të agjërojë, mirëpo e ka të ndaluar që ta shpallë fillimin e muajit tek pjesa tjetër e komunitetit (duke përfshirë këtu edhe familjarët e vet), të cilët si kolektiv dhe tërësi janë të obliguar që të presin vendimin e autoritetit, i cili e ka fuqinë që, në këtë çështje madhore, t’i bëjë muslimanët bashkë (qoftë shumicën e tyre, siç e thekson Tirmidhiu duke treguar qëndrimin e Ehlu’l-hadithit), nën dritën e hadithit: “Agjërimi i juaj: atë ditë që e agjëroni” - si bashkësi, pra, agjëroni dhe festoni në vijë dhe frymë kolektive, e jo veçmas, e të ndarë! E, përkitazi me këtë çështje, Imam Ahmedi (sipas një transmetimi) - dhe mëpastaj Shejhu’l-Islam Ibn Tejmije, vlerësojnë se individi edhe nëse e sheh hënën e re, prapëseprapë duhet të ecë në të njëjtën vijë me komunitetin që e rrethon. Kurse për festën e fitrit - pra, Bajramin, dijetarët (në përjashtim të Imam Shafiut), nuk e vënë në diskutim se i gjithë komuniteti duhet të festojë bashkërisht dhe të gjithë duhet ta ndërpresin agjërimin.
 
Autoriteti mund të jetë një personalitet - si puna e sulltanit apo presidentit, mund të jetë një bashkësi islame - si rasti i vendeve tona, po mund të jetë edhe ndonjë organizatë apo union që ngërthen në vete xhami e shoqata të ndryshme islame - si rasti i pakicave islame në Perëndim, e kështu me rradhë. 
Kjo normë është valide dhe e fuqishme pa marrë parasysh nëse individi e ka në konsideratë apo jo përllogaritjen astronomike, ngase edhe debati rreth shikimit të lirë të hënës apo përllogaritjeve astronomike, në të vërtetë, është debat me të cilin duhet të mirren vetëm shtresat e larta autorative muslimane - dijetarët dhe udhëheqësit, e asesi masa e gjerë.
 
1. Në vazhdimësi e theksova termin "autoritet", që kështu të lë hapësirë të gjerë për përkufizimin e këtij trupi apo subjekti me ndikim, siç i dhashë disa opcione në paragrafin e fundit; kur Imam Ahmedi qe pyetur për autoritetin, ai tha shkurtas: "Ai që ka mundësi t'i bëjë njerëzit bashkë!"
Hadithi për shikimin e hënës - në parim - e ngarkon me këtë detyrë trupin autoritativ të Umetit, e paskëtaj individët, të cilët prapëseprapë duhet t'i kthehen dhe t'i referohen autoritetit dhe, pa miratimin e tij atyre nuk u lejohet që të shpallin diçka publike në lidhje me fillimin apo mbarimin e ramazanit!
Ritet dhe adhurimet kolektive kanë dispozitat e tyre përkatëse, të cilat nuk lejohet që të shpërfillen!
2. Autoriteti duhet të jetë i denjë për t'i unifikuar muslimanët në këtë çështje madhore, në të cilën çështje divergjencat ekzistuese variojnë përbrenda kornizës së pranueshme të komunitetit musliman në Botë!
3. Autoriteti e përfaqëson masën e gjerë - komunitetin, kurse vendimi i tij - në realitetin e sotëm - buron nga organet e denja të Umetit, si ligat botërore, unionet e dijetarëve, konferencat ndërkombëtare islame, e tjerë, të cilat ngërthejnë në vete mijëra dijetarë dhe ekspertë përkatës.
4. Pikërisht ky është Suneti: agjërimi dhe festa të bëhen në vijë kolektive, e jo ndaras! Hadithet që e obligojnë bashkimin dhe e provojnë konceptin "xhemat", "umet", "bashkësi", janë të shumta - që si domethënie përbëjnë një sentencë mutevātire - të pakontestueshme, nga ku edhe Ehlu's-suneti ka marrë praprashtesën: Ehlu's-suneh ve'l-xhemā'ah. Nëse duhet të korigjohet metodika e përcaktimit, ajo si detyrë i përket autoritetit, e jo individit!
5. Përkitazi me institucionet e tona fetare në Ballkan, vendimet e tyre rreth fillimit dhe mbarimit të muajve hënorë, janë në korrespondencë të plotë me organet më të larta ekzistuese në Umet, si ligat, unionet dhe organizatat islame me ndikim global.
6. Agjërimi fillon me fillimin e ramazanit - që është muaj hënor, kurse hëna e saj e re mund të vërtetohet - te shumica e ekspertëve - nëpërmjet përllogaritjeve astronomike, ose edhe nëpërmjet shikimit të lirë - që, në parim është metodë konsensuale, mirëpo mund ta jep rezultatin me një vonesë njëditore. Pra, Umeti në tërësi e fillon agjërimin me hënën e re, ndërkaq shoqëritë islame i përmbahen kolektivit të prirë nga autoriteti i tyre - i cili e përcakton metodën dhe datën.
Përkitazi me atë që përmendet se në shekujt e parë të Islamit kishte dallime nga Shami e Medineja, kjo ndodhte kësisoj atëbotë ngase autoriteti i Shamit e fillonte agjërimin në një ditë të caktuar - për arsyet e veta, kurse ai i Medinesë në një ditë tjetër - edhe ky për arsyet e veta, kurse kolektivet dhe komunitetet e tyre - pa dyshim që - e ndiqnin vendimin e të parit të shoqërisë dhe nuk shkonin në përpjekje vetanake apo klanore, asesi!
Kur secili vis dhe secila shoqëri i përmbahen (nën ombrellën e autoritetit) shikimit të lirë të hënës, kjo bën që viset dhe shoqëritë të dallojnë kundrejt njëri-tjetrit, mirëpo përbrenda vetvetës të jenë të njëjtë.
 
Përgati: Mirsim Maliqi
Top