PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

BESIMI NË MELEKËT E ALLAHUT

O ju musliman, së pari e këshilloj veten dhe juve që t’i frikohemi Allahut me frikërespekt të vërtet: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë“. Ali Imran 102.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë”. Fatir 1.

Ky ajet na paraqet pamje nga fuqia e Allahut dhe nga gjurmët e fuqisë së Tij të dëshmuara në krijimin e tokës dhe qiejve dhe në krijimin e melekëve të madhërishëm të cilët i krijoi nga drita dhe i bëri të dërguar në zbatimin e urdhërave dhe në informimin e shpalljes dhe dispozitave të Allahut: “Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit”. Haxh 75. Poashtu shtoi nga bukuria dhe fuqia në krijimin e tyre duke i bërë me nga dy, tre dhe katër krahë. Allahu shton në krijim çfarë të donë dhe përkryerja në krijim aludon në madhështinë e Krijuesit.

Melekët janë argument nga argumentet e Allahut. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Më është lejuar mua të flas për një nga melekët e Allahut bartës të Arshit, ai është aq i madh sa që largësia mes veshit dhe supeve të tij është sa udhëtimi 700 vjet”.

Çdo lëvizje në qiej dhe tokë, duke filluar nga lëvizjet e yjeve, diellit, hënës, reve, të mbjellurave, etj, rrjedh nga melekët që janë të ngarkuara nga ana e Allahut për tokën dhe qiejt ku edhe Allahu i Madhëruar thotë. “Dhe për ata që i rregullojnë punët”. Naziat 5. Dhe çdonjëri nga ato e kanë vendin e caktuar: “Çdonjëri prej nesh e ka vendin e caktuar (në qiell, ku adhuron Allahun)”. Safat 164.

Besimit në melekët e Allahut len gjurma në ideologji dhe sjellje ku nëpërmjet tyre robi i afrohet Allahut dhe ia mundëson ta shijon ëmbëlsinë e imanit dhe për këtë arsye besimi në melekët e Allahut u bë argument i devotshmërisë dhe shenjë e mirësisë: “Por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe profetët”. Bekare 177.

Në një hadith fisnik i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, flet rreth adhurimeve të tyre, veprave madhështore të tyre dhe rreth nënshtrimeve të tyre: “Unë e shoh atë që ju nuk e shihni dhe e dëgjoj atë që ju nuk e dëgjoni. Është rënduar qielli dhe ka të drejtë të rëndohet. Në çdo pëllëmbë vend, gjendet një melek i cili adhuron Zotin”.

Edhe pse jeta e melekëve e tëra është adhurim dhe lartësim të Allahut, falënderim dhe mirënjohje ndaj Tij, Ditën e Kiametit do të thonë. “I Lartësuar je ti o Zot. Nuk të kemi adhuruar ashtu siç e meriton, po asnjëherë nuk të kemi përshkruajtur shok dhe partner”.

Muslimani sado që arrin nga adhurimet dhe i përkushtohet thirrjes në Fe dhe shpenzon nga pasuria nuk ka mundësi ta arrin sasinë e adhurimeve të melekëve. Për këtë arsye ai është më meritor që ta braktis mendjemadhësinë në adhurime dhe vetëpëlqimin shkatërrues dhe të vepron sa më tepër.   

Allahu në Kuran u betua në disa grupe prej tyre: “Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur”. Safat 1. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, për ta tha: “A nuk rreshtoheni sikurse rreshtohen melekët te Zoti i tyre”. E kur ai u pyet se si rreshtohen ata? I thanë po si rreshtohen o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “I plotësojnë safat dhe ngushtohen”.

Numri i tyre nuk dihet dhe nuk mundet të përkufizohet. Xhibrili, alejhi selam, iu përgjigj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kur e pyeti për Bejtul Mamurin (emri i Qabesë në qiellin e shtatë) i cili është në qiellin e shtatë dhe tha: “Kjo është Bejtul Mamur në të çdo ditë hyn 70.000 melekë dhe nuk kthehen për here te dyte për shkak numrit të madh të tyre”.

Melekët bëjnë dua për atë që shkon në xhami dhe e pret namazin me xhemat dhe thonë: “Melekët luten për çdo njeri nga ju përderisa ju jeni ne vendin tuaj (duke e pritur namazin), dhe thonë : “O Zot, fale atë, o Zot mëshiroje atë. Luten për te përderisa nuk dëmton dikë apo flet”. Poashtu luten për ata që janë në safin e parë: “Vërtet Allahu dhe melekët luten për safat e parë”.  Dhe luten për dijetarët që ua mësojnë njerëzve fenë: “Vërtet Allahu, melekët, banorët e qiellit dhe të tokës madje edhe milingona (thnegla) në vrimën e saj e edhe peshqit luten (kërkojnë mëshirë) për atë njeri i cili ua mëson njerëzve të mirën (i udhëzon ata në rrugë të drejtë)”. Kush i çon salavate të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, melekët luten për ta: “Nuk ka njeri që më dërgon salavate mua përveç se melekët do te luten për të përderisa ai është duke u lutur për mua, atëherë le të pakësoje njeriu atë (lutjen mbi mua) apo le ta shtojë”.

Lutjet e melekëve për ne janë të rëndësishme e sidomos në udhëzimin tonë dhe largimin nga errësira e mëkateve dhe gjynaheve në dritë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë”. Ahzab 43.

Melekët zbresin me qetësi dhe rehati në atë vend ku lexohet Kurani. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha Usejd ibën Hudejr, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Ata kanë qenë melekët të cilët të janë afruar për zërin tënd dhe, po të kishe vazhduar të këndoje deri në agim, ajo re do të kishte mbetur atje ta shikonin njerëzit pasi nuk do të ikte prej tyre”.

Prej veprave të tyre është edhe shënimi i veprave të njerëzve dhe ruajtja e tyre: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)“. Kaf 17-18.  Kjo është shkak që nga muslimani të burojnë vetëm se cilësitë e mira dhe virtytet e larta dhe të ruhet në thëniet dhe veprat e tij, në vetmi apo në publik, dhe t’ia shton vetëdijen e mbikëqyrjes hyjnore dhe se çdo hap është i përcjellur nga melekët e ndershëm. Allahu, azze ue xhel, thotë. “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë”. Zuhruf 80.

Allahu njeriut i ka ngarkuar melekë që e ruajnë ditën dhe natën, e mbrojnë nga çdo e keqe dhe shkatërruese, nuk ndahen nga ai madje e mbikëqyrin nga para dhe nga pas. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën”.

Një njeri i tha Ali ibën Ebu Talibit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Disa persona nga fisi Murad dëshirojnë të vrasin”. Ai u përgjigj : “Çdo njeri ka dy melekë të cilët e ruajnë nga ajo që nuk i është përcaktuar, e kur të vjen ajo që i është përcaktuar, ata i lënë ata (përcaktimin dhe njeriun). S’ka dyshim se exheli është mburoje e fortifikuar”.

O ju musliman, melekët nuk hynë në ato shtëpi ku ka fotografi, statuja dhe qen. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk hynë melekët në atë shtëpi ku ka fotografi dhe qen”.

Prej madhështisë së krijimit të Allahut është që melekët të transformohen në pamje të ndryshme. Xhibrili, alejhi selam, Merjemes, alejha selam, iu paraqit në formën e një njeriu të plotë, njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë, dhe e përgëzoi me lindjen e Isait, alejhi selam. Ibrahimit, alejhi selam, i erdhën melekët si mysafir në formën e djelmoshave të bukur  dhe e përgëzuan me lindjen e Is’hakut: “A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!”. Dharijat 24-25.

Të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nganjëherë i vinte në formën e një endacaku, sikurse në ditën e Beni Kurejdhas, kur u kthye nga beteja ditën e luftës së Hendekut, ai i hoqi armët dhe u la. Pastaj i erdhi Xhibrili me kokën të mbushur me pluhur dhe i tha: “I ke hequr armët?! Për Allah! Unë akoma nuk i kam hequr armët e mia!” I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e pyeti: “Po ku (do të shkojmë tani)?”. Xhibrili i tha: “Ja, atje”,- duke i bërë me shenjë për te Beni Kurejdha. Kështu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u nis në drejtim të tyre”.

Melekët i zbresin besimtarëve me përkrahje dhe ndihmë: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. Enfal 12.

Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë atij që edhe ai ta dojë, pastaj Xhibrili i thërret krijesat qiellore e u thotë : Vërtet Zoti e do filanin,ta doni edhe ju atë, pastaj shenjat e kësaj dashurie shfaqen ne dashurinë e njerëzve që kanë për të.

Ky është fryti i nënshtrimeve dhe drita e adhurimeve. Kur dashuria jote mbërrin në qiell, ajo përhapet edhe në tokë dhe banorët e saj të dojnë, dhe kur si rezultat i mëkateve tua zemërimi arrin deri në qiell, ajo përhapet në tokë dhe banorët e saj të urrejnë.

Ka prej melekëve të Allahut udhëtarë nëpër tokë, ia dërgojnë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, selamet dhe salavatet. Nga melekët ka që janë të ngarkuar me fryrjen e shpirtrave në barqet e nënave dhe shënimin e veprave, furnizimit dhe exhelit. Israfili është ai që i fryn Surit me lejen e Allahut herën e parë dhe shkatërrohet çdo gjë në tokë dhe qiej përveç se atë që donë Allahu të mbetet, e pastaj i fryn për herë të dytë dhe ringjalljen krijesat pasi që kishin vdekur.

Rojet e xhehenemit janë melek të fortë dhe të ashpër, nuk munden të luftohen e kundërshtohen dhe atë e ruajnë nëntëmbëdhjetë melekë në numër. Ibën Mesudi, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do të sillet xhehenemi Ditën e Kiametit duke u tërhequr zvarrë me 70,000 mijë kapistra, çdo kapistër tërhiqet nga 70,000 melekë”.

Melekët ia nxjerrin shpirtin njeriut kur mbaron exheli i saj: “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. Sexhde 11.

Kjo është argument se kjo dynja është kalimtare dhe jo e përhershme dhe se të mjafton nga ajo kënaqësia në hallall dhe të mirë që ta fitosh në ahiret të përhershmen.

Melekët u zbresin besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut në çastet e fundit të jetës me përgëzim: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Fusilet 30.  

Në varr vijnë Nekiri dhe Munkeri, dy melekët të ngarkuar nga ana Allahut për pyetjen e të vdekurit në varr, dhe nuk shpëton nga ato pyetje vetëm se ai që ka qenë i kënaqur me Allahun sinqerisht dhe besimi i tij ka qenë i drejtë dhe i sinqertë. Melekët i mirëpresin në pozita të larta dhe në një atmosferë të këndshme ata të cilët e fituan kënaqësinë e Allahut : “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit)  (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që ështëky!“. Rad 23-24.

Melekët prezantojnë në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën, dhe të gjithë mblidhen së bashku në kohën e faljes së agimit dhe të pasdites. Pastaj, ata që kanë ndenjur me ju gjithë natën, ngjiten tek Allahu i Cili i pyet ata edhe pse Ai e di përgjigjen që më parë, më mirë se ata): “Si i latë robët e Mi?” Ata përgjigjen: ” Ata i lamë duke u falur dhe kur shkuam, përsëri i gjetëm po duke u falur”.

Kjo është meritë e madhe për ata që prezantojnë në namazet me xhemat e sidomos në namazet e sabahut dhe të ikindisë. Kurse ata të cilët nuk prezantojnë në namazin me xhemat u ik një meritë dhe mirësi shumë e madhe, e sidomos ata që nuk e falin namazin e ikindisë derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, dhe ata që nuk e falin sabahun vetëm se pasi që të lind dielli, çka do të thonë për ta melekët dhe çka do t’i përgjigjen Zotit të tyre: O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi“.  Infitar 6-7.

O ti njeri, po ç’të mashtroi ty që kundrejt Zotit tënd kur Ai ty të krijoi dhe përsosi me përsosmërinë më të madhe dhe në fund të drejtoi dhe të mëshiroi dhe të dalloi nga krijesat e tjera? Çka të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd i Cili të furnizoi me shumë begati që nuk munden të përkufizohen dhe numërohen? Çka do t’i thuash Atij kur Ditën e Kiametit do të dalësh para Tij dhe do të llogaritësh për ato të mira që i shfrytëzove në dynja? A nuk të vjen turpkur i sheh ditën e Xhumanë xhamitë të stërmbushura madje edhe rrugët zihen e bllokohen prej njerëzve kurse xhamitë ankohen ku janë ata në namazin e sabahut dhe të ikindisë në shtëpinë e Allahut? Këto pamje aludojnë në të qenurit rob i epsheve dhe në shkujdesje ndaj shtyllës më të rëndësishme të Islamit deri sa kjo pamje u bë traditë e përgjithshme.

SHEJH DR. ABDULBARIJ THUBEJTI                         

nga arabishtja: Irfan JAHIU

KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

O ju musliman, udhëzimi është dhuratë e Allahut, dhe me të e begaton atë që donë nga robërit e Tij. Allahu na urdhëroi që ta ruajmë këtë begati nga çdo gjë që ia humb shkëlqimin dhe ia dëmton vlerën, mirëpo ka nga njerëzit, të cilët e shitën fenë e tyre lirë, duke mos qenë të kënaqur nga ajo që Allahu u caktoi nga fatkeqësitë e sprovat, për ta apo për të tjerët. Kjo i bëri ta shesin fenë e tyre tek sihirbazët, dhe magjistarët e fallxhorët, duke i pyetur ata për fshehtësitë, apo të kërkuarit nga ta që t’ju bëjnë tjerëve sihër e magji, dhe me të t’i dëmtojnë njerëzit dhe shoqëritë. 

Sihri është vepër që përmban shumë mëkate të mëdha që ta shkatërrojnë fenë, si kërkimi ndihmë nga xhindet dhe shejtanët, frika e zemrës nga të tjerët jashtë Allahut, largimi i mbështetjes nga Allahu, dhe shkatërrimi i jetës së shumë njerëzve dhe dobive të tyre. Sihri është sebepi i shkatërrimit të shumë familjeve, dhe shtëpive, dhe shoqërive.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Largojuni shtatë (mëkateve) shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha: Shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejt e që e ka ndaluar Allahu, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, kthyerja e shpinës kur takohen dy palët (ikja nga fronti) dhe shpifja ndaj grave të ndershme muslimane”.

Shejtani e nxit fortë magjistarin t’i bën sihër robërve të Allahut. Allahu thotë: “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët” Bekare 102, dhe “E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi”. Bekare 102. Kjo nuk do të thotë se çdo sihër ndikon tek njeriu! Sa magjistar kanë lidhur nyje dhe nuk ka pasur ndikim tek njeriu. Allahu thotë: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut”. Bekare 102. Dëmi dhe dobia janë në dorën e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dije se po nëse gjithë njerëzit tubohen, pajtohen që ty të të bëjnë një të keqe, nuk do të mund të bëjnë përpos asaj që Allahu për ty ka caktuar”.

O ju musliman, magjistari është njeriu më i fëlliqur, dhe me moral më të keq, dhe me zemër më të ligë, i përafërt me shejtanin, rob i tij, nuk e do të mirën, dëmtues i shoqërisë, i përshkruar me cilësitë më të nënçmuara, dhe mashtrues i atyre që vijnë tek ai, duke i mashtruar me lajmet që ua jep. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, transmeton se kur ajo e pyeti të Dërguarin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për fallxhorët ai u përgjigj se ata nuk ishin asgjë. Ajo pastaj përmendi se fallxhorët ndonjëherë u thoshin gjëra që ishin të vërteta.

I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën xhini e vjedh dhe e llomotit në veshin e shokut të tij, por ai e përzien atë me 100 gënjeshtra”. Magjistarit sihri i tij nuk ka mundësi t’i plotësohet, vetëm se atëherë kur i bën kufër Allahut. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush bën sihër vetëm se ka bë shirk”. E cekin dijetarët se kjo është argument se magjistari është mushrik, ngase sihri nuk mundet të veprohet pa mos bërë shirk.

Magjistari e donë pasurinë, edhe atë fortë, dhe i mashtron njerëzit për hir të saj. Kur kërkoi Faraoni nga magjistarët të ballafaqohen me sihër me Musain, alejhi selam, ata kërkuan nga ai pasuri. Allahu thotë: “Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. Earaf 113-114.

Magjistari i mashtron njerëzit dhe i thërret në shirk. I urdhëron të prenë kurban për shejtan dhe i urdhëron të lidhin hajmali, me pretekst se ajo i bën dobi dhe ua largon dëmin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush mban apo lidh hajmali vetëm se ka bërë shirk”. Ata që shkojnë tek ai, i mashtron duke i bindur se i di sëmundjet dhe problemet e tyre, me qëllim që t’ua përfiton zemrën, dhe po ashtu i mashtron ata që shkojnë tek ai me shënimin e ajeteve të Kuranit nëpër fleta të ndryshme.

Dëmi i magjistarit është i madh për shoqërinë. Veprat e tij janë errësirë e rëndë. Plot nga njerëzit i ka futur në shirk, i ka shkatërruar shumë shtëpi të lumtura, e ka ndarë burrin dhe gruan që janë dashtë mes veti, shumë fëmijë të pafajshëm për shkak sihrit të tij e kanë shijuar hidhëtinë e jetës, janë ballafaquar me ndarjen e prindërve të tyre, dhe kjo ka qenë shkak i devijimit të tyre. Sa njerëz të shëndoshë magjistari ka qenë sebep i të sëmurit të tyre, sa të varfër janë zhytur nëpër borxhe duke i dhënë magjistarit të holla, kinse për t’ua larguar problemet e tyre?! Sa të holla haram dhe të kota i ka ngrënë magjistari duke pretenduar se e ka ilaçin dhe se e njeh fshehtësinë?! Sa njerëz i ka nxjerrë nga feja duke i besuar lajmërimeve të tij, kinse nga fshehtësitë, të cilat nuk i dinë përveç se Allahu?! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i afrohet magjistarit apo parashikuesit dhe e pyet për diçka dhe i beson asaj që e thotë, vetëm se e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit”. Për shkak rrezikut të dëmit të magjistarit mbi muslimanët, u caktua vendimi për ta që tu prehen qafat, me qëllim që shoqëritë të rehatohen nga sherri i tyre.

Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, u shkroi punëtorëve të tij që të mbysin çdo magjistar dhe magjistare. Kjo në dynja, kurse shpërblimi i tyre në ahiret është hyrja në Xhehenem, ku Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. Bekare 102. O ju musliman, kush troket në derën e magjistarit që të bën sihër për të, vetëm se e ka shitur fenë e tij me dynjanë e tij, dhe e ka zëvendësuar dritën e besimit me errësirën e zemrës. Nëse njeriu e pëlqen këtë vepër edhe pse nuk e vepron, është i njëjtë në mëkat, sikurse ta kishte vepruar.

Një ndër dhjetë gjërat të cilat e nxjerrin muslimanin nga Islami, është edhe veprimi i sihrit apo të kënaqurit me këtë vepër. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. Bekare 102. Shkuarja tek magjistari e hidhëron Allahun, i bën padrejtësi krijesës, dhe e dëmton dynjanë dhe fenë e njeriut. Për këtë arsye, ti i cili kërkon që t’i veprohet ndokujt sihër, mos u bë kurban i magjistarit që të nxjerr nga feja jote. Rikujtoje se dynjaja është e shkurtër, dhe se ti do të jesh i vetëm në varr, pra pendohu sinqerisht, dhe pastroje zilinë e zemrës tënde duke i bërë mirë të tjerëve, dhe shkatërroi nyjat nëse i ke bë sihër, ndokujt para se të vjen dënimi i Allahut mbi ty. Atij që i bëhet sihër është i dëmtuar rëndë, dhe Allahu ka mundësi që t’ia zëvendëson atë begati mbi të cilën ka pasur zili, me diçka edhe më të mirë.

Allahu i sprovon robërit e Tij për t’ua ngritur gradat dhe për t’i pastruar nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kujt Allahu ia donë të mirën e sprovon”. O ti që je i sprovuar me sihër, mos u pikëllo për atë që të goditi. Allahu e sprovon robin e Tij që ta afron kah Ai. Mos u zemëro për atë që të goditi, dhe mos u dëshpëro nga ajo që Allahu e caktoi për ty. Kjo ka mundësi të jetë shkak për lumturinë tënde. Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju”. Bekare 216.

Duaja e të dëmtuarit pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (mysafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet”. Nëse bën durim dhe i frikohesh Allahut, për ty do të ketë përfundim të mirë. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. Earaf 128. Shpeshtoje lutjen e Junusit, alejhi selam, i cili tha: “LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN”.( Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!). I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani nuk lutet me këtë lutje për ndonjë gjë, e të mos i pranohet lutja”. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se është vërtetuar se kush e thotë shtatë herë, Allahu ia largon problemin e tij. Bëje duanë: “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenzo atë me një më të mirë se atë që kisha). Kjo le të jetë e shpeshtë në gjuhën tënde. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu do ta shpërblen për këtë fatkeqësi dhe do t’ia zëvendëson me diçka më të mirë”. Kapu edhe për istigfarin, ngase istigfari t’i largon brengat dhe t’i lehtëson vështirësitë.

O ti që je i sprovuar me sihër, për ty më mirë është që je i dëmtuari se sa i padrejti. Për këtë arsye mbështetu Zotit tënd, dhe shpeshtoje istigfarin dhe lutjet, dhe dije se lehtësimi i Allahut është afër. Mjerë për ty nëse dëshpërohesh nga mëshira e Allahut!! Kur njeriu është i afërt me Allahun, nga ai largohen belat dhe sherri. Përmendja e shpeshtë e Allahut, është nga shkaqet e ndalimit dhe pengimit të sihrit. Përkujdesja për namazet, e sidomos namazi i sabahut me xhemat është mburojë nga sherret. Surja Bekare është e bereqetshme. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lexojeni suren Bekare! Mësimi i saj është bereqet, kurse lënia e saj është humbje, dhe ai që e lexon nuk mundet t’i bëjnë dëm magjistarët”. Leximi i sures Felek dhe Nas në mëngjes dhe mbrëmje, janë sebep për mbrojtje nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka porosit Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, duke i thënë: “Kërko mbrojtje me to. Nuk ka njeri që ka kërkuar mbrojtje me diçka më të mirë se sa me to”. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nevoja e njeriut të kërkon mbrojtje me ato dy sure, është më e madhe se sa nevoja e tij për ujë, dhe ushqim, dhe veshje”. Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë ato nga sherret. Kush i ha shtatë hurma nga lloji axhve, e mbrojnë nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma të llojit axhve, në atë ditë nuk do t’i bëjë dëm, as helmi, e as sihri”. Jeni të kujdesshëm nga mëkatet, dhe llojet muzikës, dhe veglave muzikore. Ato janë sebepi kryesor për afrimin e shejtanëve në shtëpi. Nëse njeriu i largohet përmendjes së Allahut, atëherë shumë lehtë i afrohen shejtanët dhe e dëmtojnë. Për këtë arsye shpeshtoni leximin e Kuranit, merruni me adhurime. Kurani është shërim nga të gjitha sëmundjet, kurse përmendja e Allahut e mbron robin nga çdo gjë që donë ta dëmton, dhe ia zgjeron gjoksin dhe ia qetëson zemrën: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. Rad 28.

SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NDRYSHUESI I GJENDJEVE TONA, ALLAHU

Allahu na pastroftë dhe përmirësoftë zemrat tona.

Allahu na largoftë nga brengat tona.

Allahu na faltë mëkatet tona.

Allahu na shtoftë të dashurit tanë.

Allahu na dhashtë bereqet në jetën tonë.

Allahu na largoftë fatkeqësitë tona.

Allahu na përmirësoftë familjet tona.

Allahu na përmirësoftë mendimet tona.

Allahu na përgëzoftë me atë që na gëzon.

Allahu na forcoftë në rrugën e Tij.

Allahu na furnizoftë me pasuri hallall.

Allahu na shtoftë dijen e dobishme.

Amin

Përshtati: Hoxhë Valdet Kamberi

DASHURIA E ALLAHUT DHE TË DËRGUARIT TË TIJ, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

O ju njerëz, frikojuni Allahut! Nënshtrojuni Atij me dashuri dhe me respekt, duke shpresuar në shpërblimet e Tij dhe duke u frikuar nga ndëshkimi i Tij. Ai është Allahu, të Cilin zemrat e adhurojnë me dashuri dhe respekt. Nëse nga natyra e zemrës është që ta donë atë që sillet mirë me të, atëherë për çdo mirësi dhe për çdo begati, themi se burimi i tyre është Allahu i Madhëruar: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu”. Nahl 53.

Pra robi, detyrohet ta donë Atë pa kufi dhe ta adhuron vetëm se Atë, i Cili nuk ka shok dhe ortak. Dashuria e robit ndaj Allahut ka shenja të cilat aludojnë në të. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. Ali Imran 31.

Nga shenjat se robi e donë Allahun, është pasimi i të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Të punon me atë që urdhëroi dhe të largohet nga ajo që ndaloi: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua”. Kurse ai i cili pretendon se e donë Allahun, dhe në anën tjetër e kundërshton të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai është rrenacak në atë që e pretendon. Disa nga të parët tanë thanë: “Disa nga njerëzit pretenduan dashurinë ndaj Allahut, dhe Allahu e zbriti ajetin e dashurisë: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua”. Kurse ajeti: “që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!”, është fryti i dashurisë së Allahut dhe dobia e saj, që do të thotë, se ai që e donë Allahun, edhe Allahu ia kthen atë dashuri dhe ia falë gjynahet atij. Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur”. Maide 54.

Në këtë ajet fisnik, Allahu përmendi se dashuria e robit ndaj Zotit të tij i përmban katër shenja:

E para: Të jetë i përulur me besimtarët, që do të thotë, të jetë i butë dhe i mëshirshëm me ta dhe bamirës ndaj tyre.

E dyta: Të jetë i ashpër me femohuesit, që do të thotë, të jetë i rreptë me ta dhe t’i urren fort, ashtu si tha Allahu i Madhëruar: “janë të ashpër ndaj jobesimtarëve”. Fet’h 29.

E treta: Të lufton në rrugë të Allahut, me shpirt, me pasuri, me gjuhë dhe me zemër.

E katërta: Të mos i trembet qortimit të asnjë qortuesi, që do të thotë, se tek ai nuk ndikon qortimi i njerëzve nga ajo që e jep nga xhihadi, dhe thirrja në fe, dhe thirrja në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.

Pra, atë nuk e pengon asgjë që ta vazhdon atë rrugë. Po ashtu nga shenja e sinqeritet të dashurisë së robit ndaj Allahut, është t’i japë përparësi asaj që e donë Allahu, para asaj që e donë shpirti i tij dhe anon kah ajo epshi i tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. Teube 24.

Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, t’i kërcënohet atij që i jep përparësi dashurisë së pasurisë, familjes, farefisit, tregtisë, shtëpisë, para dashurisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe veprave të cilat i detyroi dhe i donë vet Ai, si xhihadi, hixhreti, etj. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Nëse këto gjëra janë: “më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni”, d.m.th. pritni se çfarë dënimi do t’ju vjen.

Kjo është arsyeja se pse të parët tanë nga ensarët dhe muhaxhirët dhe ata që i pasuan me të mirë, i dhanë përparësi asaj që e donë Allahu, para asaj që e donë shpirti i tyre. Ata e flijuan veten dhe pasurinë për luftë në rrugë të Allahut, i lanë shtëpitë dhe vatanin që ta kënaqin Allahun dhe t’i ndihmojnë të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Allahu tha për ta: “Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë”. Hashër 8. Krahasojeni gjendjen tonë me gjendjen e tyre të sinqertëve.

Shumica nga ne i jep përparësi epshit karshi nënshtrimit ndaj Allahut. Nëse thërritet për në namaz në xhami, i jep përparësi gjumit apo dëfrimit, apo pushimit, dhe nuk del për në namaz dhe nuk i përgjigjet thirrjes së Allahut, po i përgjigjet thirrjes së shejtanit dhe epshit të vet. Nëse thirret për në namaz, duke qenë ai në tregtinë e vet apo në punë, i jep përparësi nevojave të dynjasë para atyre të ahiretit, bën shitblerje për çështje të dynjasë dhe nuk shkon në xhami për namaz dhe i bën mëkat Zotit të tij: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!”. Xhumua 9. Tregtari, i cili e fiton pasurinë nëpërmjet rrugëve të ndaluara, si kamata, ryshfeti dhe gënjeshtra, vetëm se i ka dhënë përparësi dashurisë së pasurisë karshi dashurisë së Allahut dhe e ka harruar fjalën e Allahut: “Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju”. Ali Imran 180.

Prindi kur urdhërohet t’i detyron fëmijët e tij ta falin namazin dhe të prezantojnë në xhami dhe t’i shpëtojnë nga zjarri i Xhehenemit, ashtu si tha Allahu: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. Tehrim 6, dhe po ashtu i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz kur t’i kenë shtatë vjet, kurse detyroni me forcë (rrihni) kur t’i bëjnë dhjetë vjet..”, dhe ai aspak nuk mërzitet me këto urdhëresa dhe i len fëmijët të dëfrehen dhe të lozin nëpër shtëpi dhe të mos prezantojnë në namaz dhe në xhami, ai vetëm se i ka dhënë përparësi dashurisë së fëmijëve karshi asaj të Allahut. Lënia e fëmijëve në atë gjendje, dhe mos zemërimi i tij për lënien e namazit, dhe mosinteresimi i tij për atë se fëmija nuk i përfill detyrimet dhe i bën gjynah Allahut, aludon në atë se dashuria ndaj fëmijëve është më e fortë se sa ajo e Allahut.

Kur Ibrahimi, alejhi selam, u urdhërua të flijon të birin për hir të Allahut, të cilin ia kishte pas dhuruar pas shumë viteve, ai nuk hezitoi aspak që t’i përgjigjet thirrjes dhe urdhrit të Allahut. Kur doli në shesh nijeti i tij i sinqertë, Allahu ia zëvendësoi urdhrin me therjen e një kurbani nga delet, dhe e përgëzoi me lindjen e një fëmije, me Is’hakun, alejhi selam, dhe pas tij me lindjen e Jakupit, alejhi selam. Kjo e tëra erdhi nga bereqeti i nënshtrimit të urdhrave të Allahut, dhe nga dhënia përparësi dashurisë së Allahut karshi asaj të fëmijëve.

O ju robërit e Allahut, ashtu si detyrohet dashuria ndaj Allahut, detyrohet dashuria edhe ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi ty. Ajo është pasuese e dashurisë së Allahut dhe pjesë e patjetërsueshme e saj. Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka besuar askush nga ju, derisa të bëhem më i dashur për të se sa prindërit, fëmijët dhe mbarë njerëzimi”.

Shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij se Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Për Zotin, ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtarë i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote”. Omeri tha: Tani o i Dërguari i Allahut je edhe më i dashur se sa vetja ime. “Tani o Omer (u plotësua besimi yt)”. Ia ktheu Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është ai i cili na mësoi mirësinë dhe na udhëzoi kah ajo, dhe na mësoi rrugën e shpëtimit dhe të lumturisë, dhe na paralajmëroi nga sherri dhe shkatërrimi. Besimi në të e bën të detyruar pasimin dhe nënshtrimin, dhe ai që e pretendon dashurinë pa mos e pasuar atë, apo ai që e pretendon dashurinë e tij dhe nuk kapet për traditën e tij dhe nuk e len risinë, ai është rrenacak në atë që e pretendon, ngase dashuria ndaj tij, e bën të detyruar që të veprohet ajo në të cilën ai urdhëroi, dhe e bën të detyruar largimin nga ajo që ndaloi. Allahu tha: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut”. Nisa 80. Pra ai që e pretendon dashurinë dhe e kundërshton traditën e tij, dhe punon me risi e lajthitje, ai është rrenacak në atë që e pretendon.

Shenjë tjetër që aludon në atë se robi e donë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është ta donë atë që e donë Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Allahu i donë bamirësit, i donë të devotshmit, i donë të penduarit dhe i donë të pastruarit. Kurani dhe Syneti janë të stërmbushura me përmendjen e asaj që e donë Allahu nga besimtarët dhe nga veprat e tyre dhe nga morali i tyre. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Te cili gjinden tre gjëra do të shijon ëmbëlsinë e besimit: ta do Allahun dhe Pejgamberin ma shumë se çdo gjë; ta do një njeri vetëm për hir të Allahut dhe të urren të kthehet në kufër ashtu siç urren të hedhet në zjarr”. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kush donë për Allah, dhe urren për Allah, dhe miqëson për Allah, dhe armiqëson për Allah, me këtë e arrin miqësinë e Allahut. Nuk mundesh të gjesh rob i cili e shijoi ëmbëlsinë e imanit, edhe nëse ai nga namazi dhe agjërimi ka bagazh të madh, derisa të realizohet ajo.

Shumica e njerëzve vëllazërinë e bëjnë për dynja dhe për këtë arsye nuk gjejnë asgjë në shpirtrat e tyre”. Pra ai që e donë Allahun, donë për hir të Tij, miqëson për hir të Tij, urren për hir të Tij dhe i armiqëson armiqtë e Tij. Ai i cili është kështu, atëherë Allahu do ta miqëson, dhe ai që nuk është kështu, Allahu nuk e miqëson, dhe kur Allahu nuk e miqëson, atëherë e miqësojnë armiqtë e Tij. Allahu i Madhëruar thotë. “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë”. Bekare 257.

Nga shenjat që aludojnë në dashurinë e Allahut, është urrejtja e asaj që e urren Allahu nga njerëzit dhe veprat dhe thëniet. Allahu i Madhëruar thotë. “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!”. Llokman 18, dhe thotë: “Allahu nuk i do punëmbrapshtët”. Ali Imran 57, dhe thotë. “Allahu nuk e do shkatërrimin”. Bekare 205. Besimtari i cili e donë Allahun detyrohet ta urren atë që e urren Allahu. Allahu thotë: “O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajët, duke u shprehur atyre dashuri”. Mumtehine 1, dhe poashtu thotë. “O besimtarë, mos i bëni miq ata njerëz me të cilët Allahu është i zemëruar”. Mumtehine 13, dhe tha: “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre”. Muxhadile 22. Në këto ajete, Allahu e detyroi urrejtjen e armiqve të Allahut, nga jobesimtarët e hipokritët dhe mendjemëdhenjtë, edhe po të ishin ata nga më të afërmit e farefisi.

Po ashtu Allahu ua detyroi besimtarëve urrejtjen e gjynaheve, dhe mëkateve, dhe të ligës, e të keqes, ngase Allahu ato i urren. Dijeni se çdo dashuri e cila është e krijuar mbi mëkat ndaj Allahut, do të shndërrohet në armiqësi Ditën e Kiametit. Allahu thotë. “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun”. Zuhruf 67, dhe thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës”. Furkan 27-29. Për këtë arsye njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm se më kë po shoqërohet, ngase njeriu do të jetë me atë qe donë Ditën e Kiametit.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, i numëroi dhjetë shkaqe të cilat ta mundësojnë ta arrish dashurinë e Allahut:

1. Leximi i Kuranit dhe meditimi i tij.

2. Afrimi kah Allahu me vepra vullnetare, pasi të kryhen farzet.

3. Vazhdimi i përmendjes së Allahut me zemër, gjuhë dhe vepër.

4. Dhënia përparësi dashurisë së Allahut karshi dashurisë së shpirtit.

5. Meditimi në emrat dhe cilësitë e Allahut. Ai që e njeh Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij dhe veprimtarinë e Tij, s’ka dyshim se do ta donë Allahun.

6. Meditimi në begatitë e Allahut. Nuk ka dyshim se meditimi në t,o nxit në dashurinë e krijuesit të tyre.

7. Përulja e zemrës para Allahut të Madhëruar.

8. Vetmia me Allahun në kohën kur zbret Allahu, në pjesën e tretë të natës, duke lexuar Kuran apo duke iu lutur për falje dhe mëshirë.

9. Ndeja me njerëz të devotshëm dhe të mirë dhe shoqërimi i tyre.

10. Largimi nga çdo gjë që mundet të ndërhyn mes robit dhe Allahut. Kapuni për këto shkaqe me qëllim që ta arrini dashurinë e Allahut të Madhëruar dhe t’ju largoni të kundërtës së saj!

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja. Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top