PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

BESIMI NË SHENJAT E KIAMETIT

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se besimi në Ditën e Kiametit është një nga gjashtë shtyllat e imanit pa të cilën shtyllë nuk plotësohet imani i njeriut.

Pasi që asaj Dite i paraprijnë shenja që aludojnë në afrimin e saj, neve na mbetet që t’i mësojmë ato për arsye se besimi në to është i patjetërsueshëm dhe është nga bazamentet e ideologjisë së një muslimani. Allahu i Madhëruar thotë: U afrua Ora dhe u ça Hëna“. Kamer 1, dhe A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur“. Muhamed 18.

Imam Bagaviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,ishte një nga shenjat e Kiametit.

Allahu i Madhëruar thotë: E si do ta dije ti që ndoshta Dita e Kiametit është afër“. Shura 17, dhe A mos presin ata diçka tjetër, përveç Orës (së Kiametit), që do t’u vijë papritmas e pa e ndier fare?!”.Zuhruf 66.

Për shkak se ndodhia e kësaj Dite është afër, Allahu e konsideroi atë sikurse të nesërmen: “Çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!”. Hashr 18, dhe “Ata e mendojnë atë (dënim) të largët, kurse Ne e shohim të afërt”. Mearixh 6-7.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: Unë dhe Dita e Kiametit jemi dërguar si këta dy gishta”.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mosha juaj në krahasim me moshën e popujve të kaluar është si koha e mbetur prej kësaj dite në krahasim me atë që ka kaluar prej saj”. Me një transmetim tjetër thuhet: “Afati juaj në krahasim me afatin e popujve të mëparshëm është sa koha midis namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit“.

Pasi që çështja e shenjave të Kiametit është e rëndësishme edhe përkujdesja për to është më e madhe në krahasim më çështjet e tjera, kjo është edhe arsyeja se pse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shpeshtonte sqarimin e shenjave të saj dhe sprovave që do të ndodhin mes saj dhe e paralajmëronte Umetin e tij që të përgatitet për këtë Ditë. Koha se kur do të ndodhë kjo Ditë e dinë vetëm se Allahu, kurse për të mirën e njeriut ajo u fsheh nga dituria e tij me qëllim që ai të jetë në përgatitje të vazhdueshme ashtu siç u fsheh nga ai edhe momenti i vdekjes së tij me qëllim që ai vazhdimisht të jetë në përgatitje dhe veprim dhe t’i largohet dembelisë dhe përtacisë.

Imam Safariniju, Allahu e mëshiroftë, thotë se shenjat e Kiametit ndahen në tre lloje:

1. Shenja të cilat janë paraqitur dhe kanë kaluar dhe ato janë shenja të largëta.

Këto shenja janë ato që janë paraqitur në të kaluarën dhe janë ndërprerë, si dërgimi i Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe vdekja e tij, çlirimi i Bejtul Makdesit, vrasja e udhëheqësit të muslimanëve Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, paraqitja e rrenacakëve të cilët pretendojnë se janë të Dërguar, tërmetet e shumta, e shumë shenja tjera të cilat janë paraqitur nëpër citatet e Sunetit.

2. Shenja të cilat janë të mesme dhe ato janë të cilat janë paraqitur dhe nuk janë ndërprerë madje ato shtohen dhe numri i tyre është shumë i madh.

Nga to e kemi fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa i ulëti dhe i poshtëri (dhe ata që i përngjasojnë) nuk bëhen njerëz më të lumtur të dynjasë (kryetar e sundimtar të popujve).

Poashtu nga shenjat e saj janë ajo që ka ardhur në hadith: “Do të vijë një kohë ku ai që kapet për Fe dhe bën durim në të, të i ngjan atij që është kapur për gacë”.

Nga shenjat tjera janë edhe se para Kiametit do të ketë njerëz injorantë dhe lexues të Kuranit gjynahqar, pastaj humbja e amanetit të cilën i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e komentoi me atë që i jepet detyra dhe nuk është i aftë e as i kualifikuar ta kryen, pastaj ngritjen e diturisë, përhapjen e injorancës, shtimi i imoralitetit dhe pirjes së alkoolit, zvogëlimi i numrave të burrave dhe shtimi i numrave grave derisa një burrë të jetë për pesëdhjetë gra, e shumë shenja të tjera.

3. Shenjat e mëdha të cilat paraqiten para se të ndodhë Kiameti.

Nga ato shenja është dalja e Mehdiut, dalja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, shkatërrimi i Qabesë, paraqitja e tymit, ngritja e Kuranit, lindja e diellit nga perëndimi, dalja e kafshës, paraqitja e zjarrit, etj.

Sidoqoftë, çështja është shumë e rrezikshme kurse ne jemi në një shkujdesje të madhe. Një numër i madh i këtyre shenjave janë paraqitur dhe nuk kanë mbetur vetëm se paraqitja e shenjave të mëdha. Kërkoj nga Allahu që të na përqendron dhe përforcon në fenë e Tij dhe të na mundëson të vdesim si musliman dhe të na mbron nga të gjitha fitnet ato të dukshmet dhe të fshehtat.

Këto lajmërime për të ardhmen padyshim se janë nga shenjat e profecisë dhe nga mrekullitë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të cilat ia ka mësuar Allahu dhe kjo ndikon në përforcimin e imanit të njeriut.

Në lajmërimin e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka mëshirë për njerëzit me qëllim që të paralajmërohen dhe të përgatiten për ahiretin e tyre. Luftërat, problemet, sëmundjet e shumta, përhapja e mëkateve dhe gjynaheve, vdekjet e papritura, sprovat e ndryshme, mosrespektimi i prindërve, mosrespektimi i drejtave të fëmijëve, e shumë vepra tjera janë nga shenjat e Ditës së Kiametit. Për këtë arsye o ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe dijeni se dynjaja nuk është e përhershme, mos jetoni në të të qetë e në rehati po veproni dhe angazhohuni. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e porositi ibën Omerin, Allahu qoftë i kënaqur nga ata dy, dhe i tha: “O biri i Omerit” Jeto në dynja sikur të jesh i vetmuar ( i huaj) ose si udhëtar dhe llogarite veten tënde prej banorëve të xhenetit”.

Nga arabishtja. Irfan JAHIU

SHTATË KËSHILLA PËR TA PËRFORCUAR IMANIN

1- Falja e namazit në kohën e vet për arsye se është vepër e cila të afron kah Allahu.

2- Përmendja e Allahut (Dhikri) edhe nëse ajo është vetëm se pesë minuta brenda një ore.

3- Lutja e vazhdueshme për çdo ditë me vendosmëri dhe me mbështetje në Allahun.

4- Përkujdesja për leximin e Kuranit për çdo ditë që mos të bëhemi nga të shkujdesurit.

5- Largimi nga shoqëria e keqe dhe me moral të ligë.

6- Dërgimi i salavateve mbi të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhjetë herë në mëngjes dhe dhjetë herë në mbrëmje, dhe kërkimi i faljes një qind herë brenda dite.

7- Agjërimi i ditës së Hënë dhe të Enjte sipas mundësive dhe poashtu edhe agjërimi i ditëve të bardha.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

SI DO TË JETË MËNGJESI I PARË NË XHENET?

Ti qëndron në ballkonin e pallatit tënd dhe shikon në thesaret, lumenjtë dhe kopshtet e Xhenetit të Allahut  kurse qiejt dhe toka plotësisht kanë ndryshuar.

Lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar.

Pallate nga ari dhe argjendi. Gurët e tokës nga perlat, balta nga misku i cili lëshon aromë të madhe kurse toka dhe dheu i saj nga misku dhe shafrani. Qerpiçët e pallateve nga ari dhe nga argjendi.

Pemë të shumta me degë nga ari. Fryte të shumta dhe me shije dhe ngjyre të llojllojshme.

Shërbëtorë dhe pronë të madhe dhe vende të larta.

Hyri të Xhenetit dhe djelmosha që janë gjithmonë të rinj dhe mbeten ashtu dhe duken si margaritar.

Të gjithë ata që i ke humbur nga familja në dynja, Allahu ju takon dhe ju bashkon me ta në Xhenet.

A nuk e meriton e gjithë kjo që të bëjmë durim në sprovat e dynjasë? A nuk e meriton e gjithë kjo që t’i bindemi Allahut dhe të largohemi nga gjynahet?

O Zot na bën nga banorët e Xhenetit dhe na bashko të gjithëve në Xhenetin Tënd.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

ËMBËLSIA E IMANIT

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri nga muslimanët dhe na begatoi me Islam dhe iman dhe Kuran. Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

Ai i cili mediton rreth çështjeve të jetës dhe gjendjes së njerëzve sheh qartë se në shoqëri ka një grup njerëzish që jetojnë një jetë me lodhje dhe brenga. Nga gjokset e tyre nuk del tjetër përveç se irritim pikëllim dhe ankim, gjëra që e largojnë sigurinë e qetësinë dhe kënaqësinë e rehatinë, kurse shpirtrat e tyre janë të zhytura në zili e urrejtje dhe smirë e armiqësi dhe vuajtje e depresion.

Në shoqëri poashtu ekziston edhe një grup tjetër të cilët jetojnë në begati dhe rehati, janë bujar për vetveten dhe bujar për njerëzit me zemra të mira dhe gjoks të shëndoshë dhe fytyrë të buzëqeshura. Cili është dallimi mes këtyre dy grupeve? Dhe çka është ajo që i distancoi mes veti këta dy grupe? Ajo është imani dhe ëmbëlsia e tij.

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e imanit ai që është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si Fe dhe me Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të dërguar”.

Poashtu me një hadith tjetër na lajmëroi se: “Tri gjëra kush i zotëron ai e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë njeriun vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në kufër, ashtu si e urren hedhjen në zjarr”.  

Ëmbëlsia e imanit është ëmbëlsi e brendshme në shpirtin e kënaqur dhe zemrën e qetësuar ku qarkullon si uji në dru dhe gjaku në venë. Në atë shpirt nuk ka pikëllim dhe brenga po mëshirë e kënaqësi dhe begati e rehati: Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë”. Nisa 70, dhe “Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund”. Hadid 21.

Imani në Allahun është qetësi për shpirtin, udhëzim për zemrën, fener për ndjekësit e rrugës, shpresë për të dëshpëruarit, garanci për të frikuarit, ndihmë për luftëtarët në rrugë të Allahut dhe përgëzim për të devotshmit. Imani është baba i optimizmit dhe vëllau i guximtarit dhe shoku i shpresës. Imani është besimi në vetvete, lavdia dhe  fama e Umetit dhe shpirti i popujve.

Hyrja e parë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë është të jesh i kënaqur me Allahun si Zot. Ai është që përkujdeset për çdo gjë, i Gjithëmëshirshmi i tokës dhe i ahiretit dhe Mëshirëploti i tyre, Krijuesi i jetës dhe vdekjes, dhuruesi i begative, i Cili i përgjigjet nevojtarit kur i lutet dhe ia largon të keqen, i Cili njeriun e krijoi në formën më të përsosur dhe i fryri nga shpirti i Tij, e ushqeu kur ishte i uritur, e veshi nga lakuriqësia, e siguroi nga frika, e udhëzoi nga devijimi dhe e mësoi pasi që ishte injorant dhe i paditur.

Me imanin në Allahun shpirti i nënshtrohet Zotit të tij,  e synon kënaqësinë e Tij, largohet nga epshet dhe dëshirat e tij, e adhuron Allahun e tij dhe nga Ai frikohet dhe Atij i nënshtrohet, në Dorën e të cilit është çdo çështje dhe tek Ai kthehet çdo gjë. Duke qenë i kënaqur me Allahun si Zot dhe me bindje të plotë e nxit robin që t’i ngrit duart e tij me frikërespekt dhe i përulur e të thotë: “O Zot im, të lutem me anë të kënaqësisë Sate të më mbrosh nga hidhërimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti. Unë nuk mund të të Madhëroj ashtu siç e meriton Ti. Ti je i Madhëruar,ashtu siç e ke përshkruar Veten”.

Hyrja e dytë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë vjen kur je i kënaqur me Islamin si Fe. Fe e Allahut të cilën ia zbriti të Dërguarit të Tij dhe dëshiroi të jetë Fe e robërve të Tij dhe nuk pranon Fe tjetër përveç se fesë së Tij.  Islami është burimi i kënaqësisë dhe i ndriçimit dhe burimi i lumturisë dhe i udhëzimit.

Hyrja e tretë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë vjen kur je i kënaqur me Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si i Dërguar dhe si Lajmëtar. Muhamedi është këshillues i sinqertë, mëshirë për njerëzimin dhe shëmbëlltyrë më e mirë dhe nuk ka mundësi t’i afrohet askush nga njerëzit dhe  t’i afrohet dhe konkurron në gjykim: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre”. Nisa 65.

I kënaqur me Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si shëmbëlltyrë dhe yrnek dhe me praktikimin e traditës së tij dhe pasimin e udhëzimit të tij.

Kur imani depërton në zemrën e një robi dhe vendoset në të jeta i lehtësohet dhe kur robi ec nëpër tokë është i drejtë dhe mesatar në ecjen e tij, kur lëviz lëvizën me devotshmëri dhe çdo lëvizje e tij është imanore dhe e qetë: Kur Unë e dua, atëherë bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij më të cilën kap, mësyn dhe vepron, dhe këmba e tij me të cilën ecën. Në qoftë se do të kërkojë prej Meje, unë do t’i jap atë që kërkon, dhe nëse kërkon që ta mbroj, Unë do ta mbroj”.  

Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit jeta i bëhet e lumtur  dhe njeh rrugën e tij, e kush e njeh rrugën e tij ecën i kujdesshëm kurse ai që ecën i kujdesshëm e fiton kënaqësinë dhe e arrin qëllimin e tij.

Besimtari vazhdon në rrugën e tij dhe nuk mërzitet aspak për atë që e përjeton. I gjithë shikimi i tij dhe mendimi i tij është i ndërlidhur me diçka më të vlefshme dhe më të lartësuar: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!“. Fexhër 27-28, dhe “A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!)”. Zumer 22.

O ti vëlla musliman Allahu të mëshiroftë, a ke parë zbukurim dhe pamje më të mirë se sa ai i njerëzve të mirë?

Allahu të begatoftë, a ke parë lodhje dhe pagjumësi më të ëmbël se sa ajo e atyre që falen natën?

Allahu të ruajt, a ke parë ujë më të pastër dhe më të butë se sa lotët e atyre që pendohen nga gjynahet dhe atyre që kërkojnë falje?

Allahu u përkujdestë për ty, a ke parë modesti dhe përulje më të mirë se sa përulja e atyre që bien në ruku dhe sexhde?

Allahu të  dhëntë shëndet, a ke parë xhenet në dynja më të mirë dhe më bukur se sa xheneti i besimtarit, e ai është në mihrabin e adhuruesve?

Kjo është ëmbëlsia e imanit të atyre që e shijojnë në adhurim dhe nënshtrim.

Besimtari i afrohet dunjas i qetë i lumtur dhe i kënaqur me të gjitha përcaktimet e Allahut pa marrë parasysh ndryshimeve të gjendjeve dhe nevojave të tij. Ai nuk mërzitet për atë që shkoi dhe kaloi dhe nuk gëzohet dhe nuk bëhet mendjemadh për atë qe e fitoi. Imani dhe kënaqësia tek ai janë paralele me mbështetjen dhe përqendrimin. Ai nuk zemërohet nga caktimet e Allahut, nuk largohet nga puna, i merr shkaqet dhe sebepet dhe përpiqet e mundohet pa ankim. Stema dhe parulla e tij është: “Suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem“. Hud 88.

Ai është i bindur se: “Ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë, kurse ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të të godasë”.  

Ai e di se nëse të gjithë banorët e tokës dhe qiejve mblidhen që t’i bëjnë dobi nuk kanë mundësi t’i bëjnë nëse ajo nuk është e caktuar nga ana e Allahut dhe nëse ata mblidhen që t’i bëjnë dëm nuk kanë mundësi t’i bëjnë nëse Allahu nuk e ka caktuar atë. Ai nuk e dëmton veten e vet dhe nuk e lejon që të poshtërohet apo nënçmohet. Allahu na ruajt që ai ta kërkon lumturinë në ndeje dhe nënçmim  dhe përtaci por ai ecën në jetë duke vepruar dhe punuar me drejtësi dhe durim dhe duke garuar me të tjerët në mirësi. Ai sprovat dhe belat i kupton si mëshirë dhe falje gjynahesh dhe ngritje të gradave dhe për këtë ai duron dhe nuk lëkundet aspak gjatë sprovave të jetës dhe mbetet i kënaqur: “Çudi me punën e besimtarit, tërë çështja e tij është e mirë për të, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit; nëse e godet diç e mire falënderon dhe kjo është e mirë për të. Po kështu nëse e godet diç e keqe ai bën durim dhe është mirë për të”.

Imani i fortë e mbron besimtarin nga frika e koprracia dhe dembelia e brengat: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”. Teube 51, dhe Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk e ia kufizon (riskun) kujt të dëshirojë“. Isra 30. Kurse me një hadith ceket se: “O Zoti im, nuk ka kush e ndalon atë që Ti e ke dhënë dhe s’ka kush e jep atë që Ti e ke ndaluar, (te Ti) nuk ka vlerë dobia e askujt, ngase çdo dobi vjen prej Teje”.

Besimtari ecën nëpër jetë sipas këtyre bazamenteve dhe parimeve, nëse i jepet e pranon dhe falënderon, nëse i merret është i kënaqur dhe duron, nëse urdhërohet vepron, nëse kërkohet të largohet nga diçka distancohet dhe nëse bën gjynah pendohet.

Me këtë iman dhe me shijimin e ëmbëlsisë së tij besimtari largohet nga epshi dhe mbrohet nga ngacmimet e shejtanit dhe sprovat e dynjasë dhe pasurisë dhe nga koprracia dhe përtacia dhe kalon në fisnikëri e bujari dhe dhënie me kënaqësi.

Kujt i dobësohet imani bërtet dhe ankohet kur sprovohet për arsye se ai nuk e di se çka është sprova dhe i frikohet udhëtimit për arsye se nuk ka furnizim dhe e humb rrugën për arsye se nuk ka udhëheqës.

Kush e humb imanin e tij vetëm se i ndryshohet gjendja, vepron dhe thotë çka të donë, ec nëpër dynja pa llogari, nuk ka besim në vetveten dhe në njerëzit, nuk mëshiron dhe vetëm se përçan.

Pa iman dhe pa shijimin e ëmbëlsisë së tij njerëzit shndërrohen në egërsira e shkëpusin litarin me Allahun dhe me njerëzit, i nënshtrohen shpirtit i cili është i prirë fort për të keqen dhe i bashkëngjiten shejtanëve nga njerëzit dhe xhindet.

Civilizimi bashkëkohorë me teknologjinë dhe me materializmin e tyre është argument më i mirë se lumturinë nuk e realizojnë epshet e dynjasë dhe materializimi i saj. Në mesin e tyre nuk sheh vetëm se njerëz me probleme pa lumturi. të pikëlluar dhe të dhënë pas epsheve dhe pasioneve pa kufi dhe ky sistem jete bëri që të trashëgojnë sëmundje shpirtërore, çrregullime shoqërore dhe ideologji të devijuara sa që u dhanë pas drogës dhe alkoolit dhe vizitës së spitaleve psikiatrike dhe pirjes së barnave për qetësim: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. Taha 124 dhe “Atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. Enam 125.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top