Rëndësia e besimit në ditën e gjykimit dhe ndikimi i saj në jetën e njeriut
Besimi i Ditës së Gjykimit është një shtyllë prej shtyllave të imanit. Ai është një prej besimeve parësore të Islamit, sepse çështja e Ringjalljes në Botën Tjetër është një çështje mbi të cilën ngrihet i tërë besimi pas Njësimit të Allahut.
Besimi i Jetës Tjetër dhe i Shenjave të Kijametit është besim në diçka të fshehtë, të cilën nuk mund ta perceptojë mendja e njeriut. Rruga e vetme për njohjen e këtij besimi është vetëm shpallja.
Për shkak të rëndësisë së kësaj dite madhështore, Ditës së Fundit, Allahu shpeshherë besimin tek Ai Vetë e lidh me besimin në këtë ditë.
Ai a.xh. thotë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit,….”[1]
Gjithashtu thotë: “Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit.”[2] … e të tjera ajete të ngjashme në Kur`an.
Pothuajse nuk ka faqe në Kur`an, ku të mos përmendet aty Dita e Fundit dhe shpërblimi dhe dënimi në këtë ditë.
Jeta në këndvështrimin islam, nuk është kjo jetë e shkurtër dhe e kufizuar e kësaj bote dhe as mosha e shkurtër dhe e kufizuar e vetë njeriut në të. Jeta në këndvështrimin islam, për nga gjatësia kohore shtrihet deri në pafundësi dhe përsa i përket vendit, ajo shtrihet në vendbanime të tjera, si në Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, ose në Zjarr ku ka vend për shumë breza që kanë jetuar në tokë përgjatë viteve të tëra. Allahu xh.sh. thotë: “Garoni midis njëri-tjetrit për të fituar falje prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e tokës. Ai është përgatitur për ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij”[3]dhe: “Atë ditë kur Ne i themi Xhehenemit: “A je mbushur?” e ai të thotë: “A ka dhe më të tjerë.”[4]
Besimi në Allahun dhe në Ditën e Fundit bashkë me shpërblimin dhe dënimin që mbart kjo ditë është i vetmi orientues real i sjelljeve të njeriut drejt rrugëve të mirësisë. Asnjë ligj ose kanun prej kanuneve njerëzore nuk ka mundësi t’i barazpeshojë apo t’i drejtojë sjelljet e njeriut ashtu siç i barazpeshon dhe i drejton besimi në Ditën e Fundit. Për këtë arsye ne vërejmë një dallim të madh dhe një hapësirë të gjerë midis sjelljeve të atij që beson në Allahun e në Ditën e Fundit, duke e ditur që kjo botë është ara e Botës Tjetër dhe se veprat e mira janë pajisje për në Botën Tjetër, dhe sjelljeve të një tjetri që nuk beson në Allahun, në Ditën e Fundit apo në shpërblim e në ndërshkim. Allahu xh.sh. thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.”[5]
Sahabi i nderuar Umejr bin El Hamami[6] ka thënë:
Vrapo drejt Allahut pa furnizim
me vete merr devotshmërinë, punët e mira
dhe durimin për Allahun në luftim
se çdo furnizimi i kanoset mbarimi
përveç devotshmërisë, bamirësisë dhe udhëzimit.
Besimtari, i cili beson në Ditën e Fundit arrin të zotërojë një sjellje të veçantë në këtë jetë. Ai është i paluhatshëm, me vizion të gjerë, me besim të fortë, i qëndrueshëm në vështirësi dhe i durueshëm në fatkeqësi. Të gjitha këto me shpresën, se do të arrijë shpërblimin e Allahut dhe se ajo që gjendet tek Allahu është më e mirë dhe e përhershme.
Imam Muslimi përcjell prej Suhejbit -Allahu qoftë i kënaqur me të- se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Sa çudi me besimtarin! E tërë çështja e tij është mirësi dhe kjo nuk është për askënd tjetër përveç tij. Kur atij i vjen një e mirë ai falënderon dhe kjo është një mirësi për të. Kur atij i vjen një e keqe ai duron dhe kjo është një mirësi për të.”[7]
Shërbimi dhe dobia e muslimanit nuk mbetet vetëm midis njerëzve, por ajo arrin edhe tek kafshët. Një gjë të tillë e shohim në thënien e njohur të Omer bin Hatabit r.a: “Nëse një mushkë rrëzohet në Irak, unë besoj se Allahu ka për të më pyetur për të: “Përse, o Omer, nuk ia ke shtruar asaj rrugën?”[8]
Kjo ndjenjë është rezultat i besimit në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Ajo tregon shqetësim ndaj peshës së pasojave dhe ndaj amanetit të madh. Ky amanet i madh, të cilin pranoi ta mbartë njeriu, ndërsa qiejt, toka dhe malet qëndruan të frikësuar përpara pranimit të tij e vë besimtarin përpara përgjegjësisë. Besimtari e di se ka për t’u vënë përpara përgjegjësisë, ka për t’u marrë në llogari dhe ka për t’u shpërblyer për çdo vepër të madhe e të vogël. Nëse veprat kanë qenë të mira, ka për tu shpërblyer me të mirë dhe nëse kanë qenë të këqija ka për t’u ndërshkuar keq.
Allahu xh.sh. thotë: “Kini frikë ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij të ketë largësi të madhe”[9] dhe: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar?!” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [10]
Ndërsa njeriu i cili nuk beson në Allahun, në Ditën e Fundit, në llogarinë dhe shpërblimin që e pret në këtë ditë mundohet me të gjitha forcat që të arrijë objektivat e tij në këtë botë. Ky lloj njeriu rend në këtë jetë vetëm për të plotësuar kënaqësitë e tij dhe për të grumbulluar sa më shumë pasuri prej saj. Njerëzve nuk mund t’i vijë asnjë e mirë nëpërmjet tij. Shqetësimi më i madh për të është vetëm kjo jetë. Ai vetëm rreth saj ka njohuri. Ai çdo çështje e vlerëson vetëm në bazë të interesit të tij personal. Atij nuk i interesojnë të tjerët. Ai interesohet për bijtë e llojit të tij vetëm brenda kufijve të realizimit të interesave personale në këtë jetë të shkurtër e të kufizuar. Ky lloj njeriu ecën i kufizuar brenda kufijve të kësaj toke dhe brenda kufijve të jetëgjatësisë së tij, mirëpo më vonë llogëritë i dalin ndryshe dhe përfundimi është i gabuar, sepse atij iu duk e pamundur ringjallja në Botën Tjetër. Allahu xh.sh. thotë: “Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë dhe pyet: “Kur do të jetë Dita e Kijametit?”[11]
Ky këndvështrim injorat, i kufizuar e i ngushtë, i shtyn injorantët të derdhin gjak, të rrëmbejnë pasuri, të presin rrugën etj., sepse ata nuk besojnë ringjalljen dhe shpërblimin. Të tillët Allahu i përshkruan në Kuran kur thotë: “Ata thoshin: “S’ka tjetër, përveç jetës në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi.”[12] Po kështu thotë dhe njëri prej tyre: “Jeta është barqe që nxjerrin të tjerë në dritë dhe tokë që gëlltit.”
Ndërsa shekujt kalojnë habitesh akoma më shumë, kur sheh mohim akoma më të madh se ky. Tashmë injorantët mohojnë çdo gjë metafizike (çdo gjë që ekziston pas materies). Kjo injorancë gjendet në komunizmin marksisto-ateist, i cili nuk beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Komunizmi e cilëson jetëm vetëm si diçka materiale. Ai thotë se pas materies nuk ekziston asgjë. Ideatori komunist Karl Marksi, një ateist i flaktë është shprehur se nuk ka zot dhe se jeta është vetëm materie. Për këtë arsye, ne themi me plot gojën se njerëz të tillë janë si kafshët, sepse ata nuk e njohin jetën dhe nuk dinë përse janë krijuar. Ata janë të humbur e të çakërdisur. Njerëz të tillë arrin t’i bashkosh dhe t’i mbash nën sundim vetëm nën hijen e një ligji të ashpër e të rreptë. Këta lloj njerëzish janë njerëzit më të pangopur në këtë jetë, sepse ata nuk e besojnë jetën pas vdekjes. Duke cilësuar idhujtarët jehudë e të tjerë Allahu a.xh. thotë: “Dhe me të vërtetë do t’i gjesh ata më lakmues për të jetuar, sesa njerëzit e tjerë, madje edhe se paganët. Secili nga ata dëshiron të jetojë një mijë vjet; por edhe nëse jeton aq, nuk do të mund t’i ikë dënimit! Allahu i sheh punët e tyre të këqia.” [13]
Idhujtari dëshiron një jetojë sa më të gjatë, sepse ai nuk shpreson se do të jetojë pas vdekjes. Një jehudi e di se ç`poshtërim e pret në Botën Tjetër, sepse ka qenë i vetëdijshëm për atë që ka vepruar.[14]
Këta lloj njerëzish dhe të tjerë të ngjashëm me ta janë njerëzit më të këqinj. Midis këtyre njerëzve gjendet lakmia e pangopur, shtypja, skllavërimi dhe rrëmbimi i pasurive të popujve. Cilësi të tilla burojnë prej lakmisë së madhe që kanë këta njerëz për të shijuar sa më shumë kënaqësi të kësaj bote. Njerëz të tillë mbeten pa kufij morali dhe sjelljet e tyre shdërrohen në sjellje kafshërore.
Këta njerëz, kur shohin se jeta e tyre po kalon me vështirësi, me lodhje, me dhimbje dhe jo sipas kënaqësive të shpresuara, nuk kanë asnjë shkak që t’i parandalojë nga vetëvrasja. Ata nuk besojnë se do të gjinden para përgjegjësisë në Jetën Tjetër, kështu që nuk u mbetet arsye që t’i pengojë nga dhënia fund e kësaj jete. Për këtë arsye Islami i ka dhënë rëndësi të veçantë besimit në Ditën e Fundit, vërtetimit të Ringjalljes, llogarisë dhe shpërblimit. Allahu në Kuran i kundërvihet injorantëve, që nuk e besojnë Ringjalljen dhe urdhëron profetin e Tij, që të betohet mbi vërtetësinë e një fakti të tillë. Ai a.xh. thotë: “Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë që bërë!” Dhe kjo është e lehtë për Allahun.”[15]
Allahu na ka treguar ndodhitë e Ditës së Kijametit, shpërblimin që ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm dhe ndëshkimin që ka përgatitur për kundërshtarët e Tij. Ai i tërheq vërejtjen mohuesve me anë të argumenteve, që vërtetojnë realitetin e kësaj dite, me qëllim që të largojë çdolloj dyshimi në zemrat e tyre dhe që njerëzit ta marrin parasysh këtë ditë, e cila të rrënqeth trupin me ngjarjet e saj. Allahu xh.sh. i tregon njerëzve tërë këto hollësi në lidhje me jetën pas vdekjes, me qëllim që sjelljet e tyre në këtë jetë të drejtohen drejt zbatimit të Fesë së Vërtetë, të cilën ua solli i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s..
[1] Bekare: 177.
[2] Talak: 2.
[3] Hadid: 21.
[4] Kaf: 30.
[5] Bekare: 197.
[6] Ai është sahabi i nderuar Umejr bin El Hamam bin El Xhemuh bin Zejd El Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ai ka rënë shehid ditën e Bedrit. Ky është ai i cili ka hedhur hurmat, kur dëgjoi fjalët e Profetit a.s.: “Çojuni për në Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës!” Umejri tha: “Bo bo!!” I Dërguari i Allahu a.s. tha: “Çfarë të bëri të thuash bo bo?” Umejri tha: “Jo pasha Allahun o i Dërguar i Allahut. Asgjë tjetër përveç dëshirës për të qenë prej banorëve të tij.” I Dërguari i Allahut a.s. tha: “Ti je prej banorëve të tij.” Umejri tha: “Nëse unë jetoj derisa të ha këto hurma që kam, kjo për mua është një jetë e gjatë.” Ai hodhi hurmat përdhe dhe shkoi të luftojë derisa u vra.” Shih: Sahihul Muslim, Kreu i Qeverisjes, tema: “Shehidit i takon Xheneti.” Nxjerrja në pah e emrave të Sahabëve, të imam Dhehebiut 1/422.
[7] Shih: Sahihul Muslim, Kreu i Asketizmit (zuhdit), tema: “Rreth haditheve të ndryshme.”
[8] Shih: “Petku i evlijave dhe gjeneratat e të kulluarve” të Ebu Nuajm 1/53.
[9] Al Imran: 30.
[10] Kehf: 49.
[11] Kijame: 5,6.
[12] En`am; 29.
[13] El Bekare; 96.
[14] Tefsir ibn Kethir 1/184.
[15] Et Tegabun; 7.