PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

PËRGËZIMI PËR ARDHJEN E MUAJIT RAMAZAN

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe falënderoni shumë Atë nëse ua mundëson që ta arrini muajin e Ramazanit dhe kërkoni prej Tij që t’ju begaton e ta shfrytëzoni këtë muaj në agjërim, namaze vullnetare dhe adhurime tjera. Ramazani është sezon i madhërishëm dhe mejdan i gjerë në veprimin e mirësive dhe faljen e gjynaheve. Njiheni vlerën e tij dhe madhëroni çështjen e tij dhe pajiseni vetveten në këtë muaj me vepra të mira dhe mirësi.

Agjërimi i muajit Ramazan është një prej shtyllave të Islamit dhe detyrë e çdo muslimani. Allahu urdhëroi në agjërimin e tij dhe ia detyroi çdo robi të Tij duke thënë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi”. Bekare 183,dhe “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”. Bekare 185.

Detyrohet çdo musliman i rritur dhe me mendje të shëndoshë ta agjëron muajin e Ramazanit. Nëse është i sëmurë me sëmundje që ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit apo është udhëtar në rrugë të gjatë lirohet prej agjërimit dhe ato ditë i zëvendëson me ditë tjera: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar”. Bekare 185. Nëse është në pleqëri të thellë apo i sëmurë me sëmundje që s’ka shërim dhe nuk mundet t’i përballon agjërimit, atëherë ai nuk agjëron dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër dhe nuk i zëvendëson ato ditë me ditë tjera: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”.  Bekare 184. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I është lehtësuar të moshuarit në vite që nuk mundet t’i përballon agjërimit të mos agjëron dhe ta ushqen nga një të varfër për çdo ditë”.

Gruaja me menstruacione dhe lehona nuk u lejohet të agjërojnë dhe ato ditë që nuk i agjërojnë i zëvendësojnë me ditë tjera. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj,  kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, alejhi salatu ue selam.

Fëmija i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk është i detyruar të agjëron, mirëpo nëse ka mundësi t’i përballon agjërimit e urdhërojmë që të agjëron me qëllim që të kalitet dhe ta stërvit shpirtin në adhurim dhe agjërimi i tij i pranohet si vullnetar.

O ju robërit e Allahut, me agjërim nënkuptojmë abstenim apo përmbajta nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet bashkëshortore për hir të Allahut, prej imsakut e deri në perëndimin e diellit. Allahu, azze ue xhel, thotë:” Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat”. Bekare 187.

Allahu na qartësoi në këtë ajet se fillimi i agjërimit është prej agimit e deri në perëndimin e diellit. Për këtë arsye Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nxiti që të vonohet syfyri dhe të përshpejtohet iftari me qëllim që të përfundon syfyri me agim dhe të fillon iftari me perëndimin e diellit dhe me këtë t’i përshtatet urdhrit të Allahut dhe dispozitave të Tij. Nuk është prej traditës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ngrënia e syfyrit herët dhe vonesa e iftarit pas perëndimit të diellit. Poashtu nuk lejohet ngrënia e syfyrit pas agimit dhe ngrënia e iftarit para se të perëndon dielli dhe ai që e vepron këtë me qëllim nuk i pranohet agjërimi.

Agjërimin e prish ngrënia dhe pija me qëllim dhe çdo gjë që ka të njëjtat efekte si ushqimi dhe pija, si barnat, gjilpërat me vitamine, etj. Poashtu e prish të vjellët qëllimisht, por nëse ndonjë vjell pa qëllim, kjo nuk e prish agjërimin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kujt i përzihet dhe vjell nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë” dhe “Kush vjell me qëllim, duhet ta plotësojë (agjërimin) më vonë”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe nxjerrja e gjakut me hixhame ose pastrim gjaku.  I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhamen dhe atij që i bëhet hixhamja”.

Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe dalja e spermës për shkak të ledhatimit apo puthjes, masturbimi, menstruacionet dhe lehonia.

Poashtu prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës së agjërimit. Ai i cili e bën këtë vepër duhet ta zëvendëson atë ditë me ditë tjetër dhe të shpaguan. Shpagimi është lirimi i një robi, nëse nuk ka mundësi agjërimi i dy muajve njëri mbas tjetrit, nëse nuk mundet atëherë ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve. Përjashtohet nga ajo që përmendëm rasti kur bashkëshortët janë udhëtarë dhe kryejnë marrëdhënie duke qenë agjërueshëm, sepse agjërimi për udhëtarët nuk është i detyruar, për ata kërkohet që ta kompensojnë këtë ditë pas Ramazanit.

O ju musliman, gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin janë perceptuese dhe ai që i vepron detyrohet me kaza. Ekzistojnë edhe gjëra morale që e dëmtojnë agjërimin duke ia humbur shpërblimin apo pakësuar dhe vepruesi i saj nuk detyrohet me kaza. Prej tyre është përgojimi, bartja e fjalëve, sharja, ofendimi, shpifja, shikimi në atë që e ka ndaluar Allahu të shikojmë, dëfrimi me muzikë dhe instrumente muzikore, etj.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shanë ndokush ose e sulmon, le të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë”.

Nëse agjëruesi hanë apo pinë me harresë nuk i prishet agjërimi. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush harron gjatë agjërimit e pinë dhe han, le ta vazhdojë agjërimin sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”

Agjëruesit i lejohet të nuhat erën e parfumeve, kjo nuk ndikon në agjërimin e tij. Poashtu i lejohet të flladitet me ujë duke e shpërlarë gojën ose duke e larë kokën ose duke e larë tërë trupin ose duke hyrë në një vend të ftohët për arsye se kjo i ndihmon gjatë agjërimit. Nëse i depërton pluhuri apo avulli apo ndonjë insekt në gojë nuk i prishet agjërimi për arsye se kjo ndodh pa dëshirën e tij.  Nëse dikush ka rrjedhje gjaku nga hundët apo nga dhëmbët edhe kjo nuk e prish agjërimin, pasi kjo nuk është në dorën e njeriut, është diçka e paqëllimshme. Nëse dikush e nxjerr dhëmbin dhe del gjak edhe kjo nuk e prish agjërimin.

O ju musliman, ruani agjërimin e juaj prej gjërave që e prishin agjërimin. Veproni vepra të mira, shpeshtoni lutjet, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit në këtë muaj dhe jeni të sinqertë në të gjitha veprat e juaj dhe kërkoni prej Allahut që t’ua pranon veprat.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

GJENDJA E NJERËZVE PAS RAMAZANIT

O ju musliman,ishit në muajin e mirësisë dhe begatisë, agjëronit ditën, u faleshit natën dhe u afroheshit kah Zoti i juaj me adhurime të ndryshme duke e shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke kërkuar mbrojtje prej dënimit të Tij. Pastaj përfunduan këto ditë dhe e kaluat një periudhë të jetës së juaj e cila nuk do të kthehet më asnjëherë. Kështu janë ditët e jetës, periudha që do t’i kaloni ditë pas dite në rrugën e juaj për në ahiret. Ato e shkurtojnë jetën e juaj, u afrojnë kah exheli dhe ua ruajnë veprat të cilat i vepruat që të jepni llogari atë ditë kur të gjithë do të japin llogari: (Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe”. Ali Imran 30.

 

Muaji i Ramazanit ishte shans i juaj që t’i ktheheni pendimit dhe veprave të mira. Të edukoheni në veprimin e adhurimeve dhe largimin nga ndalesat dhe të bëheni të durueshëm dhe në fund të dilni fitimtar kundrejt epshit të juaj i cili është fort i prirë  për të keqe. Dijeni se ju nuk u ndatë nga ky muaj vetëm se i bëtë adhurimet gjëja më e dashur e zemrave tuaja dhe mëkatet gjëja më e urrejtur e shpirtrave tuaj. U edukuat me moral të lartë dhe u zgjuat prej shkujdesjes dhe e kuptuat vlerën e jetës dhe të adhurimeve.

Tani pasi që kaloi ky muaj mos iu ktheni mëkateve për arsye se Zoti i Ramazanit është edhe Zot i muajve të tjerë. Mos e shkatërroni atë që e ndërtuat me duart e juaja prej veprave të mira se prej shenjës së pranimit të veprës së mirë është pasimi i saj me të mirë. Kthimi në mëkate pas pendimit prej saj është krim dhe mëkat më i madh se sa para saj. Para jush e keni peshoren ku maten të mirat dhe të shëmtuarat e juaja: “Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem”. Muminun 102-103.

Edhe pse kaloi Ramazani para jush e keni një sezon i cili përsëritet çdo ditë dhe çdo natë. Ai është namazi të cilin Allahu ia detyroi robërve të Tij pesë herë në ditë, të qëndrojnë para Tij, t’i luten dhe të shpresojnë mëshirën e Tij. Prandaj përgjigjuni thirrjes së Allahut se ajo dhe besimi janë shkaqe për faljen e mëkateve dhe mbrojtje prej dënimit. E kush nuk i përgjigjet thirrjes së Allahut për të nuk ka siguri dhe mbrojtje dhe ai është në humbje të thellë.

Poashtu para jush e keni edhe një sezon që përsëritet çdo javë e ajo është namazi i xhumasë dhe me të Allahu, azze ue xhel, e veçoi këtë Umet. Në këtë ditë gjendet një orë nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë.

Poashtu para jush keni sezone të ndryshme ku në to ka adhurime të ndryshme ditën dhe natën. Depot e Allahut janë të plota. Ai është pasanik nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për Atë dhe mëshirën e Tij në Ramazan dhe jashtë tij.

Si është gjendja e atyre që në këtë muaj i nënshtroheshin adhurimeve dhe pas kalimit të tij u ndërrua gjendja e tyre. U pyetën disa prej selefit për këtë lloj njerëzish dhe thanë: “Sa njerëz të shëmtuar janë këta, nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan.” 

Xhamitë në Ramazan ishin të mbushura me njerëz në pesë kohërat e namazit, ndërsa pas kalimit të tij gjurmët e tyre u zhdukën prej xhamive. Sikurse ata nuk kanë nevojë më për Allahun dhe se për ta obligimet u anuluan, ndërsa haramet u lejuan. Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej devijimit pas udhëzimit, dhe prej kufrit pas imanit. Allahu, azze ue xhel, thotë: O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!. Muhamed 33.

Sikurse veprat e mira i shlyejnë të shëmtuarat  poashtu të shëmtuarat i humbin veprat e mira. Thuhet se mëkati pas pendimit është më i shëmtuar se sa shtatëdhjetë para saj. Përcillet se një prej selefit para vdekjes qante dhe kur u pyet për shkakun tha: “Qaj për ato natë që nuk fala namaz në to dhe për ato ditë që nuk munda të agjëroj në to”. Këtë besimtar e vriste ndërgjegjja para vdekjes se nuk mundi të fal namaz nafile natën dhe të agjëron agjërim vullnetar ditën dhe parashtrohet pyetja se vallë si duhet të jetë ndërgjegjja e atyre që nuk i kryejnë farzet për Allahun?

Këtë muaj duhet që ta përcjellim me kërkim të faljes dhe me shpresë dhe lutje për pranim të veprave. Selefi i luteshin Allahut gjashtë muaj që të arrijnë muajin e Ramazanit, e kur e arrinin vepronin vepra të mira,  pastaj luteshin gjashtë muaj që t’i pranojë Allahu veprat e tyre që i kanë bërë gjatë këtij muajit. Çdo kohë e tyre ishte Ramazan, ndërsa sot shumica e njerëzve Ramazanin e përcjellin duke bërë mëkate duke i lënë detyrimet dhe duke vepruar ndalesa.

O ju robër të Allahut, Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi që ta përfundojmë muajin e Ramazanit me tekbire dhe me falënderim ndaj Allahut për plotësim e begatisë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” Bekare 185.

Ndërsa Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, na nxit që pasi ta kryejmë agjërimin e muajit Ramazan ta pasojmë atë me agjërim të gjashtë ditëve të muajit Sheual. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë,  shënon në librin e tij një hadith prej Ebu Ejub el Ensarij, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit e pastaj ia bashkon edhe gjashtë të Sheualit është sikurse të kishte agjëruar tërë vitin”.  

Në përsëritjen e agjërimit pas Ramazanit ka shumë dobi. Prej saj e kemi dobinë se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve pas Ramazanit është si namazi nafile pas farzit, i plotëson mangësitë dhe të metat. Shumica e njerëzve në agjërimin e tyre obligativ kanë mangësi dhe me agjërim vullnetar plotësohen ato mangësi dhe të meta.

Prej dobive tjera është se përsëritja e agjërimit pas Ramazanit është shenjë e pranimit të agjërimit të muajit Ramazan. Allahu, azze ue xhel, kur ia pranon robit veprat e begaton pas saj me punë të mira, siç thonë disa se e mira shpërblehet me një të mirë pas saj. Ndërsa kush vepron një vepër të mirë e pastaj e pason me vepra të shëmtuara kjo është shenjë se ajo e mirë e tij është e refuzuar dhe nuk pranohet.

Prej dobive tjera është se agjërimi i muajit Ramazan i shlyen mëkatet e mëparshme dhe përsëritja e agjërimit pas Bajramit është falënderim për ato begati me të cilat e begatoi Allahu robin e Tij gjatë muajit Ramazan.

Prej begative poashtu është se përsëritja e agjërimit pas Bajramit aludon në dëshirën e robit që të agjëron dhe se ai nuk është lodhur dhe mërzitur prej agjërimit të Ramazanit.

Zëvendësimi i begative të Allahut me mëkate pas kalimit të muajit të Ramazanit është mohim i atyre begative. Kush pretendon që t’i kthehet mëkateve pas Ramazanit agjërimi i tij është i refuzuar dhe dera e mëshirës e mbyllur. Këto muaj dhe vite dhe ditë janë të caktuara dhe kalojnë shumë shpejtë, ndërsa Zoti i tyre është i Gjallë nuk vdes, Ai është gjithnjë prezent në çdo kohë dhe çdo vend me diturinë e Tij. Prandaj frikojuni Allahut dhe vazhdoni të veproni vepra të mira dhe të largoheni prej të shëmtuarës, se do të vjen një ditë kur do të dalin veprat në shesh: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” Fusilet 46.

Merita e Allahut mbi ju është e vazhdueshme dhe sezonet e faljes janë të një pas njëshme për atë të cilin Allahu e begatoi. Pasi që na kaloi ky muaj i mëshirës jemi në prag të  muajit  të Haxhit. Në Ramazan kush agjëroi dhe fali nafile u mëshirua nga ana e Allahut. Poashtu në Haxh kush e kryen Haxhin pa grindje dhe sharje kthehet në shtëpi i falur prej mëkateve si atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.

Pra nuk kalon asnjë ditë prej jetës së muslimanit vetëm se në të ka mundësi që të vepron vepra të mira të cilat e afrojnë kah Allahu. Prandaj o ju musliman, falënderoni Allahun për këto begati dhe shfrytëzoni ato në nënshtrimendaj Allahut dhe mos i humbni ato me mohim dhe shkujdesje.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN                                              

nga arabishtja: Irfan JAHIU

DHJETË DITËT E FUNDIT TË MUAJIT RAMAZAN

O ju muslimanë, keni frikë Allahun dhe dijeni se jeni në prag të dhjetëshit të begatshëm të fundit të muajit të Ramazanit. Këto ditë Allahu, azze ue xhel, këto ditë veçoi me vlera dhe shpërblime të mëdha dhe mirësi të shumta.

Prej veçorive të këtyre ditëve është se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, në këto ditë ishte më bujar në adhurime se sa në ditët e tjera.

Imam Muslimi në Sahihin e tij shënon se Aisha, radijallahu anha, ka thënë: Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ishte më bujar në adhurime në dhjetë ditët e fundit se sa në të tjerat.

Aisha, radijallahu anha, në një hadith tjetër na rrëfen se kur hynim në dhjetëshin e fundit Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, këto ditë, i shtonte punët e mira më shumë se në ditët e tjera”.

Poashtu thonte se: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit, Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, shtrëngonte izarin, falte namaz gjithë natën dhe për këtë zgjonte edhe pjesëtarët e familjes.”

Prej haditheve të lartpërmendura del në pah se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, në dhjetëshin e fundit iu përkushtonte adhurimeve dhe u largonte prej detyrimeve të tjera. Mejdani i adhurimeve të tij në këto ditë ishte i gjerë duke filluar prej namazit, leximit të Kuranit, pendimit, istigfarit, lëmoshës e të tjerave.

Prej veçorive të këtyre ditëve poashtu është edhe falja e namazit të natës dhe zgjatja e tij duke qëndruar më gjatë në ruku dhe sexhde. Është mirë që të zgjohet familja dhe fëmijët që të marrin pjesë së bashku me muslimanët në paraqitjen e këtij rituali dhe të marrin pjesë të gjithë në shpërblime dhe të edukohen në adhurime dhe në madhërimin e këtyre ceremonive fetare. Këtë çështje e neglizhojnë shumica e muslimanëve. I lejojnë që fëmijët e tyre të lozin nëpër rrugë dhe të edukohen prej rrugaçëve dhe nuk i marrin me vete në xhami. Rrinë deri natën vonë duke bërë muhabet dhe kur vjen koha për të falur namaz nate, flenë, duke u shpëtuar në këtë formë një sevap mjaft i madh, të cilin nuk mund ta gjejnë më gjatë atij viti. Nuk ka dyshim se ata i vë në lojë shejtani, i cili është betuar të largojë njerëzit nga bindja e Allahut. Allahu, azze ue xhel, i thotë shejtanit: “Sepse, ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike e as mendore), përveç atyre të humburve që të vijnë nga pas”. Hixhr 42.

Disa thonë se namazi i natës është namaz vullnetar dhe mua më mjafton që të kujdesem vetëm se për farzin. Atyre u përgjigjemi se kujdesi jot për faljen e farzit është i mirëpritur dhe i kërkuar dhe ne e dimë se vetëm për atë do të japim llogari, mirëpo prej nga e di ti se namazet të cilat i fal i ke të plota apo të pranuara. Ne kemi nevojë për namaze vullnetare që t’i plotësojnë mangësitë e namazeve detyruese Ditën e Kiametit.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ue selem, duke thënë: “Gjëja e parë për të cilin do të jap llogari njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi, andaj nëse namazin e ka në rregull, ka shpëtuar, e nëse namazin nuk e ka në rregull është shkatërruar. Nëse namazi i tij i është i mangët (jo i plotë), Allahu do të thotë:”Shikoni se mos ka robi im nafile, e plotësoni me nafile atë që e ka lënë mangu me farze. E pastaj do të jap llogari për veprat tjera”.

Allahu, azze ue xhel, çdo adhurimit detyrues ia shtoi edhe atë vullnetar vetëm e vetëm t’i bën dobi robit të Tij. Namazin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar, agjërimin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar. Poashtu haxhin e bëri detyrues dhe ia shtoi atë vullnetar, dhe kështu me radhë. Edhe në rast se adhurimeve ua jep të gjitha të drejtat e tyre që i meritojnë, prapëseprapë je i urdhëruar ta pasosh Muhamedin, sal-lAllahu alejhi ue selem, ndërsaai e falte namazin e natës vazhdimisht, e mos të pyesim për dhjetëshin e fundit.

Aisha, radijallahu anha, i tha një njeriut: “Mos e le namazin e natës, ngase i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, nuk e linte, e kur sëmurej ose bëhej dembel, falej ulur”.

O ju muslimanë,

Prej veçorive të këtyre ditëve është se në to kërkohet Nata e Kadrit për të cilën Allahu, azze ue xhel, thotë: Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj”. Kadër 3.

Imam Nahaiju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vepra në këtë natë është më e mirë se vepra në një mijë muaj të tjera”.

Ndërsa një mijë muaj o ju robër të Allahut janë tetëdhjetë e tri vite e katër muaj. Vepra e vepruar në rast se përputhet në Natën e Kadrit është më e mirë se vepra që veprohet në tetëdhjetë e tri vite e katër muaj tjera.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë”.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, e kërkonte këtë natë me shpresë se do të përfitonte të mira prej kësaj nate dhe ai është shembull për këtë umet. Është e pëlqyer që të kërkohet ajo natë gjatë dhjetë netëve të fundit të muajit. Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit”.

Është më e mundshme të jetë njëra prej netëve me numër tek duke u bazuar në hadithin e Aishes, e cila ka thënë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem,  ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit”.

O ju agjërues,

Prej veçorive të këtyre ditëve të begatshme është edhe Itikafi. 

Itikaf do të thotë: “Të qëndrosh në xhami për t’u veçuar në adhurimin e Allahut”.  

Itikafi është prej adhurimeve të bazuara në Kuran dhe në hadithe të sakta.

Aisha, radijallahu anha, transmeton se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, bënte Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit derisa ndërroi jetë. Më pas në xhami bënin Itikaf gratë e tij”.

Qëllimi i këtij adhurimi është që njeriu të qëndron në xhami që ta kërkon Natën e Kadrit dhe ta adhuron Allahun me namaz dhe lexim të Kuranit, me dhikër dhe dua dhe istigfar dhe nuk duhet të dal prej xhamisë vetëm se atëherë kur është e nevojshme.

Ngjallja e këtij adhurimi i cili është lënë pas dore në këtë kohë është më e mirë se Umreja. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, në këtë muaj nuk e ka bërë Umren, ndërsa Itikafin nuk e linte derisa e takoi Zotin e tij. I shohim njerëzit garojnë mes veti në bërjen e Umres, ndërsa Itikafi është më me vlerë.

Kush nuk mundet të hyn në Itikaf le të kujdeset për adhurimet e tjera detyruese dhe vullnetare, si shkuarja në xhami më herët dhe ndeja në të për lexim të Kuranit dhe dhikër dhe adhurim: Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer”. Muzemil 20.

O ju muslimanë, Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Kadër 1-5.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN                                         

nga arabishtja:Irfan JAHIU

DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe bazament i fortë i tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim);(fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për Haxh) e kësaj Faltoreje është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”.Ali Imran 96-97.

Prej kuptimit të ajetit dijetarët kanë konstatuar se Haxhi është detyrim mbi çdo musliman dhe ai i cili e mohon këtë dispozitë është qafir me pajtim të dijetarëve. Allahu, azze ue xhel, i drejtohet të dashurit të Tij Ibrahimitalejhi selam, duke i thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk” Haxh 27.

Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Islami është i ngritur mbi pesë bazamente: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”.

Qëllimi i thënies “për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”, është: kush ka ushqim të mjaftueshëm të merr me vete dhe t’i lë familjes deri sa të kthehet dhe të posedon mjet transporti i cili do ta çojë deri në Qabe dhe do ta kthejë deri në vatanin e tij.

Në ligjësimin e Haxhit gjejmë urtësi, dhe urtësinë e ligjësimit të saj na e qartëson Allahu, azze ue xhel, ku thotë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 27-29.

Dobia e Haxhit pra, i kthehet vetëm haxhiut e jo Allahut, azze ue xhel, për shkak se: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”. Ali Imran 97. Ai nuk është nevojtarë për haxhilerë, por ata kanë nevojë për Atë.

Urtësia e vonimit të detyrimit të Haxhit krahas namazit, zeqatit dhe agjërimit qëndron në faktin se namazi është shtylla e fesë e cila përsëritet çdo ditë e natë nga pesë herë, zeqati është shtyllë e cila ceket shumë herë si shok i pa ndashëm i namazit, ndërsa agjërimi për shkak se përsëritet çdo vit. Haxhi është bërë i obliguar në Islam në vitin e nëntë pas hixhretit, kurse Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e ka kryer Haxhin më shumë se një herë edhe atë në vitin e dhjetë pas hixhretit, ndërsa gjatë jetës së tij i ka kryer katër Umre.

Synimi i Haxhit dhe Umres është adhurimi i Allahut në ato vende ku i ka caktuar që të adhurohet. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Qëllimi i gjuajtjes së gurëve dhe sajit mes Safës dhe Merues nuk është tjetër veç se të përmendet Allahu, azze ue xhel”.      

Haxhi pra, është obligim me njëzëshmëri të muslimanëve dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Është detyrim individual një herë në jetë për atë që ka mundësi dhe detyrim kolektiv i muslimanëve për çdo vit, ndërsa ai i cili shton më shumë se Haxhin e detyruar i llogaritet si vullnetar.

Umreja po ashtu është detyrim sipas mendimit të shumë dijetarëve, dhe si argument e marrin hadithin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, kur është pyetur se a ka xhihad për gratë? Përgjigja e tij ka qenë: “Po, për gratë ka xhihad, mirëpo pa luftë: Haxhi dhe Umreja”.

Pasi që është vërtetuar se Umreja për gratë është detyrim, atëherë kjo dispozitë për burrat është edhe më e kërkuar. Një njeri e pyeti Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, për babanë e tij i cili ishte plak e i lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkojë në Haxh e as në Umre. Përgjigja e tij ishte: “Kryeje Haxhin dhe Umren në vend të tij”. 

Haxhi dhe Umreja janë detyrim i çdo muslimani një herë në jetë dhe duhet të përshpejton në kryerjen e tyre sipas mundësive, ndërsa çdo vonesë pa arsye është mëkat. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thuhet të ketë thënë: “O ju njerëz, ju është bërë Haxhi detyrim, prandaj kryeni”. – E pyeti njëri prej të pranishmëve: A çdo vit? – U përgjigj: “Po të kisha thënë se po, atëherë do t’ju bëhej detyrim për çdo vit e ju nuk do të kishit mundësi ta përballoni”. 

Imam Ahmedi shënon një hadith ku Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Përshpejtoni në kryerjen e Haxhit se asnjëri prej jush nuk e di se çka do t’i ndodhë në të ardhmen”. 

Kushtet e Haxhit janë pesë: Islami, mendja e shëndoshë, pjekuria, liria dhe mundësia. Kur plotësohen këto kushte obligohet përshpejtimi i kryerjes së tij.

Haxhi dhe Umreja të bëra nga ana e fëmijës janë të pranuara mirëpo si vullnetare. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe ia tregoi Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha: Për këtë fëmijë a ka Haxh?  Iu përgjigj. “Po, Haxhi i tij është i pranuar (si vullnetar) dhe ti ke shpërblim”. 

Në mesin e dijetarëve ka pajtim se Haxhi i fëmijës i kryer para moshës madhore nuk e zëvendëson Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit), por detyrohet që kur ta arrijë moshën madhore ta kryen edhe një herë në rast se ka mundësi. Kur fëmija është në moshën e papjekurisë, përgjegjësi i tij detyrohet që ta bëjë nijetin në vend të tij, gjatë kryerjes së tavafit dhe sajit dhe gjatë qëndrimit në Mina, Arafat dhe Muzdelife duhet ta shoqëron, gurët t’i gjuan në vend të tij dhe ta largon prej të gjitha ndalesave të Haxhit. Në rast se fëmija është në moshën kur kupton dhe i dallon gjërat (por ende para pubertetit) nijetin e Haxhit e bën vetë, por me lejen e përgjegjësit, ritet e Haxhit i kryen vetë ndërsa ato rite të cilat nuk ka mundësi t’i kryejë vet i kryen përgjegjësi i tij dhe detyrohet t’i largohet të gjitha ndalesave të Haxhit sikurse i rrituri.

I aftë për kryerjen e Haxhit është ai i cili ka mundësi fizike e materiale, i përballon rrugës dhe mjetit të udhëtimit, i mjaftojnë të hollat gjatë shkuarjes dhe kthimit, po ashtu ka pasuri të mjaftueshme për anëtarët e familjes deri sa të kthehet, rruga deri në Haxh është e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk duhet të niset pa i la borxhet (ose të merr leje prej borxhliut që të shkon në Haxh) dhe të kërkon falje prej atyre që u ka bërë padrejtësi. Në rast se ka pasuri mirëpo fizikisht është i dobët për shkak pleqërisë apo sëmundjes prej të cilës nuk shpresohet shërim, detyrohet që ta dërgon ndokënd që ta kryen Haxhin në vend të tij qoftë prej të njëjtit vend apo ndonjë vendi tjetër. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e pyeti Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se babai i saj është plak i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar dhe nuk mundet t’i përballojë udhëtimit, a mundet që ta kryej Haxhin në vend të tij? – Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Kryeje Haxhin në vend të tij”.

Kusht për atë që e kryen Haxhin për ndonjë tjetër është ai ta ketë kryer Haxhin e Islamit për vete, duke u bazuar në atë që na e përcjell Ibën Abasi,radijallahu anhu, se ai e kishte dëgjuar një njeri të ketë thënë: “O Zot, i përgjigjëm ftesës Tënde për në Haxh në vend të Shubrumes”. – Ibën Abasi i tha: “A e kryer Haxhin për vete”? – Iu përgjigj: “Jo, nuk e kam kryer Haxhin e Islamit për vete”. – Ibën Abasi i tha: “Atëherë bëje së pari për vete e pastaj mundesh që ta bësh për ndonjë tjetër”.

Zëvendësit (bedelit) duhet t’i jepen të holla për rrugë, për ushqim dhe për nevojat tjera që i nevojiten gjatë Haxhit, nuk lejohet qiraja për Haxh dhe nuk lejohet ta merr Haxhin si mjet për përfitim të hollave. Synimi i zëvendësit duhet të jetë dobia e atij vëllait musliman që e kryen Haxhin për të, pastaj vizita e vendeve të shenjta, vizita e Qabesë, kështu që Haxhi duhet të kryhet vetëm për Allah e jo për dynja. Nëse Haxhin e kryhen për të holla, Haxhi i tij nuk është i pranuar dhe  po ashtu nuk i pranohet edhe atij i cili e ka dërguar për në Haxh. Prandaj duhet te kemi kujdes se kë e dërgojmë si zëvendësim në Haxh, për shkak se Haxhi është adhurim ndërsa adhurimet nuk kryhen përveçse për Allah. 

nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top