PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

LUFTA E BEDRIT

Në këtë muaj të begatshëm muslimanët me ndihmën e Allahut e fituan luftën e Bedrit kundër armiqve të tyre. Kjo ditë u quajt dita e Furkanit (Dallimit), për shkak se në këtë ditë me fitoren e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të muslimanëve ndaj jobesimtarëve u dallua e vërteta prej të pavërtetës. Kjo betejë ndodhi në muajin Ramazan në vitin e dytë sipas hixhretit. Shkaku i luftës ishte se Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, i kishte arritur lajmi se Ebu Sufjani ishte drejtuar prej Shamit në drejtim të Mekës me një karvan të Kurejshëve. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i thirri sahabët që të dalin dhe ta marrin karvanin, për shkak se Kurejshët ishin armiq të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të sahabëve, nuk kishin marrëveshje mes tyre dhe ata ishin të cilët i larguan prej shtëpive, ua morën pasurinë dhe me këtë e merituan atë që e dëshironte Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe shokët e tij.

Numri i muslimanëve ishte i përbërë prej treqind e dhjetë deri treqind e nëntëmbëdhjetë ushtarë, dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Qëllimi primar i tyre ishte marrja e karvanit e jo lufta, mirëpo caktimi i Allahut ishte që të dyja palët të takohen pa dëshirën e tyre dhe të luftojnë mes veti.  Ebu Sufjani kur e kuptoi se muslimanët ishin në pritje të tyre e dërgoi një lajmëtar te Kurejshët që t’i lajmërojë që të dalin ta mbrojnë pasurinë, kurse vetë me karvanin e ndërroi rrugën, me qëllim që t’i ikë muslimanëve. Kur u arriti lajmi Kurejshëve menjëherë u bënë gati për luftë. E formuan një ushtri që përbëhej prej njëmijë e treqind luftëtarësh. Kishin njëqind kuaj, gjashtëqind ushtarë të veshur me parzmore, ndërsa deve kishin aq shumë, saqë nuk u dihej saktësisht numri. Kryekomandant i tyre ishte Ebu Xhehli, armiku më i madh i muslimanëve dhe Faraoni i këtij umeti.

Kurejshët u nisën pikërisht ashtu siç flet Kurani: “Të cilët dolën nga shtëpitë e tyre duke shfaqur arrogancën e për t’u reklamuar njerëzve (trimërinë dhe gajretin e tyre), dhe për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut.” Enfal 74.

Kurejshët u nisën me shpejtësi të madhe nga veriu në drejtim të Bedrit. Rrugës morën një lajm të ri nga Ebu Sufjani, nëpërmjet së cilës u thoshte: “Ju u nisët për të shpëtuar karvanin, njerëzit dhe pasurinë, por këtë e bëri Zoti. Kthehuni në Mekë.” Ebu Xhehli, i tronditur u bërtiti: “Kurrsesi nuk do të kthehemi gjersa të arrijmë në Bedër. Atje do të pushojmë tri ditë, do të therim disa deve, do të ngopemi mirë e do të pimë verë e pastaj do të festojmë. Duhet të dëgjojnë arabët për ekspeditën dhe fuqinë tonë, e kurrë më të mos mendojnë se mund të na sulmojnë.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe muslimanët e kuptuan se ushtria mekase ishte nisur për t’i ndihmuar karvanit, dhe konstatuan se nuk kishin zgjidhje tjetër dhe se nuk mund t’i iknin përleshjes, ngase kjo do të thoshte paburrëri. Pas këshillave që i bëri Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, me sahabët u tha se Allahu ma premtoi fitoren mbi njërën prej dy grupeve, ose karvanin ose luftën. Atëherë u ngrit Mikdad ibën Amri, radijallahu anhu, e tha: “O Pejgamber i Allahut, shko rrugës të cilën të ka treguar Allahu. Ne jemi me ty. Pasha Allahun, çfarëdo që të ndodhë ty nuk do të themi ashtu siç i kanë thënë Beni Israilët Musait, alejhi selam: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, e ne do të rrimë këtu.” Maide 24. – “Jo, kurrsesi, ne ty të themi – Shko ti me Zotin tënd e luftoni, e ne do të luftojmë së bashku me ju. Pasha Krijuesin, i Cili të bëri Pejgamber, po qe se nisesh edhe në pjesën më të skajshme të Jemenit ne do të luftonim së bashku me ty përderisa ta pushtoje.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem,  iu falënderua dhe iu lut Allahut për të.

Prijësi i ensarëve Sad ibën Muadhi, radijallahu anhu, tha: “Ndoshta ti mendon se ensarët i japin vetes të drejtë të ndihmojnë vetëm në shtëpitë e veta e të mos largohen prej tyre, kurse unë të them në emër të tyre dhe ta jap përgjigjen e tyre, nisu nga të duash, e na jep çka të duash. Atë që do ta marrësh do të na jetë më i ëndshëm se atë që nuk do ta lije. Çdo urdhër yti, për ne është urdhër të cilin e pranojmë dhe e zbatojmë me gjithë zemër. Pasha Allahun, po qe se do të na dilte përpara edhe deti, e ti të hysh në të, edhe ne do të vinim pas teje.”

Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, e gëzuan shumë fjalët e Sadit. Kjo i dha vullnet për aksion. Ai tha: “Nisuni dhe po ju jap lajmin e mirë se Allahu më ka premtuar njërin prej dy grupeve. Pasha Allahun, më bëhet se jam duke e parë vendin e shkatërrimit të tyre.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, vendosi të nisej me ushtrinë e vet në Bedër, para Kurejshëve, për të zënë një vendburim shumë të rëndësishëm të ujit.

Në muzg arritën poshtë burimeve të Bedrit dhe Habab ibën Mundhiri, radijallahu anhu, njëri nga vëzhguesit, u ngrit e tha: “A mendon, o Pejgamber i Allahut, të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara as prapa, apo kjo është çështje e mendimit të lirë, luftë dhe taktikë?” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Ky është vend për konsultim, luftë dhe taktikë.” Hababi vazhdoi: “O Pejgamber i Allahut, ky vend nuk është i mirë për të qëndruar. Nisu me njerëzit derisa të arrish gjer te pusi më i afërt i kurejshëve. Pusin rrënoje dhe mbuloje me dhe e gurë. Kështu vepro edhe me puset e tjera. Pastaj për vete do të hapim një kanal të cilin do ta mbushim me ujë. Vetëm atëherë do të nisemi në sulm. Ne do të kemi ujë për të pirë, e ata jo.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Plani yt është i mirë.”

Allahu, azze ue xhel,  atë natë dërgoi shiun që mushrikëve u nxori probleme dhe telashe, sepse ua vështirësoi rrugën dhe lëvizjen, kurse për muslimanët kjo ishte mëshirë e Allahut sepse shiu i lau, ua pastroi trupin dhe rrobat, i freskoi ata dhe e zbuti tokën, rërën e vrazhdë dhe nguliti dashuri në zemrat e tyre. Shiu, pra, për muslimanët ishte mëshira e Allahut.

Muslimanët ndërtuan një vendkomandë në një lartësirë në anën veriperëndimore nga fushëbeteja, nga mund të kontrollohej e tërë beteja dhe zgjodhën një grup të rinjsh në krye me Sad ibën Muadhin për të mbrojtur komandantin e tyre, Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u caktoi ushtarëve vendet dhe shkoi në vijën e parë. E ngriti dorën e tha: “Këtu nesër do të vritet, inshallah filani e filani, e këtu nesër do të vritet inshallah, filani e filani.”  Pastaj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pjesën tjetër të natës e kaloi në namaz nën kurorën e një druri pranë vendkomandës, kurse muslimanët e tjerë e kaluan të qetësuar nën kupën e shkëlqyer të qiellit, me vetëbesim të plotë. Pushonin duke dëshiruar që Allahu t’u dërgonte ndonjë shenjë të mirë, të cilën nesër do ta shihnin me sytë e vet. Allahu, azze ue xhel, shpalli:(Kjo mrekulli u paraqit atëherë) Kur Zoti bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë për qetësimin tuaj nga ana e Tij, e lëshoi shiun prej reve për t’ju pastruar me të dhe për t’ju larguar shqetësimin e djallit (frikësimin e tij), për t’i bashkuar zemrat tuaja me besim dhe t’jua forcojë këmbët tuaja.” Enfal 11.

Kjo natë para betejës ishte në prag të xhumasë, më shtatëmbëdhjetë Ramazan të vitit dy hixhrij.

Kur mushrikët dolën në fushëbetejë, përballë tyre dolën edhe muslimanët. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, iu drejtua Allahut me këto fjalë: “O Allahu im, këta janë Kurejshët, arritën me kalorësinë dhe me famën e tyre. Ty të kërcënohen dhe flasin gënjeshtra për Pejgamberin Tënd. O Allahu im, ma ofro ndihmën Tënde, të cilën ma ke premtuar! Mposhti ata sot.” dhe “O Zoti im, plotësoje premtimin Tënd që ma ke dhënë. Të lutem, o Zoti im, Ti na ndihmo, ne fuqimisht besojmë në fjalën Tënde!”

Allahu, azze ue xhel, ia pranoi lutjet dhe shpalli: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve, andaj goditini në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë”. Ne i dënuam kështu, sepse ata dolën kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që del kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se Allahu është ndëshkues i ashpër.  (Ne u thamë atyre:) “Ky është ndëshkimi, provojeni atë. Dënimi i zjarrit i pret mohuesit”. Enfal 12-14.

Në radhët e mushrikëve filloi çrregullimi. Shenjat e disfatës ishin gjithnjë e më të dukshme. Mushrikëve filluan t’u merreshin këmbët para sulmeve gjithnjë e më të fuqishme të muslimanëve. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem i dha urdhrin e fundit ushtrisë së vet për kundërsulm. Ai tha: “Ngjishini radhët dhe godisni me tërë fuqinë.” Pastaj shtoi: “Pasha Krijuesin, çdo njeri që merr pjesë sot në këtë betejë dhe lufton me durim të madh e nuk ikën nga lufta që të mos vritet, me siguri do të hyjë në Xhenet.” Gjithashtu u jepte zemër duke thënë: “Nisuni, nisuni, shkoni në Xhenet hapësirat e të cilit janë sa gjithë qiejt dhe Toka bashkë.”

Atëherë Umejr ibën Amri tha: “Oh, oh!” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e pyeti: “E çka mendon ti me atë oh, oh?” – “Pasha Allahun o Pejgamber, asgjë tjetër veçse sikur të isha njëri prej banorëve të tij.” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Ti me të vërtet do të bëhesh banor i xhenetit.” -Pastaj Umejri nxori hurmat nga xhepi e tha: “Nëse jam gjallë derisa t’i ha këto hurma, atëherë me të vërtetë qenka kohë e gjatë.” Pastaj i hodhi ato dhe vazhdoi luftën, ku së shpejti vritet.

Pastaj mori një grusht pluhur dhe ua hodhi kurejshëve, e tha: “Ju shëmtofshin fytyrat”, dhe ua hodhi pluhurin në fytyrë. Asnjë mushrik nuk ka shpëtuar pa e goditur rëra në sy, apo në hundë. Në lidhje me këtë Allahu, azze ue xhel, shpalli: “Dhe ti nuk ke gjuajtur kur gjuajte, por Allahu ka gjuajtur.” Enfal 17.

Fundi i betejës po afrohej. Mushrikët filluan të iknin masivisht nga fushëbeteja. Muslimanët i arrinin, i mbytnin dhe i zinin rob dhe beteja përfundoi me humbje të madhe të mushrikëve,. Muslimanët i dhanë katërmbëdhjetë shehidë Bedrit, gjashtë muhaxhirë dhe tetë ensarë. Mushrikët patën humbje të hatashme: shtatëdhjetë të vrarë dhe shtatëdhjetë të robëruar, kryesisht udhëheqës ushtarakë, prijës të fiseve e familjeve dhe pari.

Kur mbaroi lufta, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, erdhi dhe mbi mushrikët e vdekur mbajti një fjalim: “Sa farefis i keq ishit ndaj Pejgamberit tuaj. Të gjithë më quajtët gënjeshtar, gjersa të tjerët më besuan. Ju më pengonit, e të tjerët më ndihmonin. Ju më dëbuat, e të tjerët shtëpi më dhanë.” Pastaj urdhëroi të hidheshin në një bunar të vjetër në Bedër.

Ebu Talha, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar në Bedër që njëzet e katër njerëz, nga paria e mushrikëve, të hidheshin në një bunar të murosur të Bedrit si njerëz të pavlerë. Pas fitores, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, zakonisht qëndronte tri ditë në atë vend. Tri ditë pas betejës urdhëroi që t’i përgatisnin devenë për rrugë. U nis për në Medinë së bashku me shokët e vet. Kur mbërritën buzë bunarit, filloi të thërriste Kurejshët e vdekur në emër: “O filan filani, o filan filani! A nuk do ta kishit më që t’i nënshtroheshit Allahut dhe Pejgamberit të Tij? Ne me të vërtetë fituam atë që na ka premtuar Allahu. Po ju, a e fituat atë që ju ka premtuar Ai?”

Omeri, radijallahu anhu, tha: “O Pejgamber i Allahut, si mund t’u flasësh të vdekurve, të cilët nuk kanë shpirt?” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Pasha Allahun, ju nuk dëgjoni aspak më mirë se ata.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur arriti në Medine thirri shokët e vet për t’u konsultuar me ta rreth robërve të luftës. Atëherë Ebu Bekri tha: “O Pejgamber i Allahut, ata janë të gjithë djem të xhaxhallarëve, anëtarë të familjeve kurejshite dhe bijtë e tyre. Mendoj se prej tyre ne duhet marrë shpagim, e kjo për ne do të kishte leverdi. Ndoshta Allahu do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, e të bëhen ndihmësit tanë.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e pyeti Omerin: “Çka mendon ti, o i biri i Hatabit?” Ai u përgjigj: “Unë nuk pajtohem me Ebu Bekrin. Do të dëshiroja të më japësh një kushëri e t’ia pres kokën. Nëse Aliu nuk ia kishte bërë këtë Akil ibën Ebi Talibit, e Hamza nipit të vet, si do të dinte Allahu se nuk kemi mëshirë ndaj jobesimtarëve!? Këta njerëz janë udhëheqës, prijës dhe bajraktarë të pabesimit.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pranoi propozimin e Ebu Bekrit, kurse e refuzoi atë të Omerit.

Për disa shpagimi ishte me të holla prej njëmijë dërhem e deri në katërmijë dërhem, për disa shpagimi ishte që t’ua mësojnë fëmijëve të muslimanëve shkrimin dhe leximin, disa u lironin pa asnjë kusht në rast se kishte prej tyre dobi, e kështu me radhë.

Kjo pra ishte lufta e Bedrit ku fitoi grupi i vogël atë të madhin, për shkak se ishte e ngritur mbi fenë e Allahut, azze ue xhel, dhe e cila luftonte për ta ngritur fjalën e Allahut dhe ta mbron fenë e tij: “Sigurisht që kishte shenjë për ju në dy ushtritë që u ndeshën: njëra që luftonte në rrugën e Allahut dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes kishte dy herë më shumë kundërshtarë. Allahu me ndihmën e Vet forcon kë të dëshirojë. Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit” Ali Imran 13.

O ju musliman, kapuni për fenë e juaj që ta fitoni armikun e juaj, bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë. Bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

AGJËRIMI I FËMIJËVE MIDIS PROVËS DHE VAZHDIMËSISË

Ja Ramazani që valëvit krahët e tij në mesin tonë. Por, a i ke ofruar fëmijëve të ty qoftë edhe një pjesëz të vogël nga begatia e këtij muaji të madhëruar? Sa fëmijë të vegjël ke stërvitur për agjërim? Dhe sa prej tyre kanë agjëruar? Sa prej tyre ua ke mësuar veçoritë e këtij muaji për t’i nxitur ata, që të mësohen me detyrimet fetare, që kur të rriten kjo të jetë kthyer në një pjesë të jetës së tyre?! Bashkimi i familjes muslimane rreth tryezës nxit shumë fëmijë që të agjërojnë me dëshirën për ta provuar, ose me dëshirën për të imituar të mëdhenjtë, ose për të treguar se janë rritur tashmë.

Ky studim hedh dritë mbi përvojën e agjërimit nga fëmijët.

·            Inkurajim dhe imitim

Në fillim kaluam disa çaste me disa nxënëse, duke diskutuar rreth shkaqeve që i nxitën ato për të provuar agjërimin. Lemisa, Sara, Abiri, Anudi dhe Meha janë disa nxënëse në klasën e pestë, që e kanë filluar agjërimin që në moshën 8 vjeçare, të nxitura nga familja e tyre. Mamatë e tyre përdorën mënyra të ndryshme për t’i joshur dhe për t’i inkurajuar, që të agjëronin dhe prova e tyre filloi me agjërimin e tri ditëve në javë, pastaj katër e kështu me radhë, derisa plotësuan një javë të tërë në fund të Muajit të Madhërueshëm. Vitin tjetër, ato e vazhduan agjërimin e tyre të gjithë javën, pa ndjerë lodhje apo ndonjë shqetësim.

Ndërsa Nura, Rimi, Hejfa dhe Selma, që mësojnë në klasën e katërt, na bënë me dije se ato e ndërmorën provën e agjërimit, me qëllim që të imitojnë të mëdhenjtë në familje. Ato e filluan agjërimin në klasën e dytë dhe fillimi i tyre u bë i përshkallëzuar. Ato filluan me agjërimin e një gjysmë dite dhe e përfunduan me një javë të vetme nga muaji i Ramazanit. Prova u përsërit sërish vitin tjetër dhe ato e vazhduan agjërimin gjatë gjithë muajit në vazhdimësi, pa ndjerë lodhje, edhe pse shkonin në shkollë çdo ditë dhe kryenin detyrat shkollore me regjim të plotë. Ato na siguruan se rezultatet e tyre ishin më të mira gjatë muajit të Ramazanit.

·            Nënat luajnë një rol të rëndësishëm

Shpejtuam për të mësuar rreth pozitës së familjes dhe rolit të saj në agjërimin e fëmijëve. Kështu, u takuam me nënën e Zijadit, Muhamedit dhe Fehdit, të cilat më treguan për frikën e tyre në fillimet e provës së agjërimit të vajzave të tyre në një moshë të njomë, sidomos kur Ramazani vjen në sezonin shkollor, gjë e cila mund të ndikojë në të kuptuarin e mësimeve. Në fillim ato u përpoqën që t’i ndalonin vajzat e tyre që të agjëronin, por nuk arritën ta bënin një gjë tillë. Ato u tërhoqën para këmbënguljes së vajzave të tyre dhe ato e filluan provën e tyre, nën kontrollin e përditshëm të nënave të tyre. Kështu, ato arritën që të kalonin shqetësimin dhe lodhjen që buronte nga agjërimi, duke e plotësuar atë. Kjo rezultoi një përpjekje e suksesshme.

Ndryshe nga qëndrimi i nënave të mëparshme, pozicioni i nënës së Fejsalit, Sulltanit dhe Halidit ishte inkurajimi i vajzave të tyre me çdo formë dhe nxitja e tyre për të agjëruar dhe të mësuarit me të që në moshë të vogël. Ato pohuan faktin se kjo është një detyrë e të gjitha nënave muslimane, që kanë si objektiv rritjen e vajzave të tyre me parimet dhe vlerat islame që në vogëli, me qëllim që ato të kuptojnë se si t’i kryejnë detyrimet e tyre në mënyrën më të mirë. Ato na treguan se inkurajimi dhe kujdesi i tyre ishte më se i mjaftueshëm që vajzat e tyre të kalonin me sukses provën e agjërimit.

·            Shëndeti i fëmijës agjërues

Disa nëna mund të ndihen të shqetësuara në lidhje me shëndetin e fëmijëve të tyre, të cilët këmbëngulin në vazhdimin e agjërimit. Por a ndikon agjërimi negativisht në shëndetin e fëmijës? A ka mundësi fëmija që ta përballojë agjërimin?

Mjeku Abdulla Ali Es-Sejid, specialist i  fëmijëve në Spitalin Universitar të Mbretit Fehd, jep këtë përgjigje dhe thotë: “Fëmijët nën moshën 12 vjeçare nuk janë në gjendje që të përballojnë agjërimin ashtu si­ç e përballon një njeri i pjekur, por nëse struktura e tyre trupore është e fortë dhe formimi fizik ua jep këtë mundësi, atëherë ata mund të nxiten që të agjërojnë në mënyrë të përshkallëzuar, në mënyrë që të mos i drejtohen mashtrimit me justifikimin se mund ta vërtetojnë më së miri përballimin e agjërimit, duke e privuar vetveten nga të ngrënët dhe të pirët vetëm para njerëzve. Si rrjedhojë, nuk ka asnjë dëm nëse fëmija agjëron për aq kohë sa gëzon shëndet të plotë, por lind si detyrë e prindërve që t’i kontrollojnë vazhdimisht ata.” Mjeku bën me dije se agjërimi ul nivelin e sheqernave në trup dhe fëmija ka nevojë për më shumë sheqerna, sepse lëvizjet e tij janë më të shumta se një njeri i rritur. Kështu, agjërimi bën që fëmija të humbë më shumë sheqerna, duke shkaktuar ndjesinë e lodhjes dhe këputjes.

Vihet re edhe diçka tjetër. Fëmija nuk arrin t’i konceptojë të gjitha urtësitë që lidhen me agjërimin, siç është përllogaritja e kohës së agjërimit dhe marrja e ushqimeve të nevojshme për trupin. Njeriu i pjekur ushqehet me gjithçka ka nevojë trupi, ndërsa fëmija ha më pak seç i nevojitet, mungesë e cila shkakton lodhjen e tij, por nëse ekziston kontrolli nga familja dhe vëzhgimi për llojet e ushqimeve që do të konsumojë, fëmija i ka të gjitha mundësitë që të vazhdojë agjërimin pa asnjë shqetësim apo komplikacion. Nëse fëmija ndjek me rigorozitet të gjitha këshillat mjekësore në lidhje me agjërimin dhe konsumon aq ushqim sa i nevojitet, ai do të përfitojë nga agjërimi ashtu si të rriturit në aspektin e përballimit të vështirësive dhe durimit.

Mjeku Abdullah shton se ka fëmijë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kjo kategori nuk duhet t’i futet një prove agjërimi në mënyrë absolute, sepse ndikimi i agjërimit mbi ta do të jetë realisht i rrezikshëm. Një kategori e tillë janë ata fëmijë që vuajnë nga funksionet e veshkave apo nga anemia e dukshme. Këtyre nëse i mungojnë lëngjet në trupin e tyre do të ekspozohen ndaj një sulmi dhembjesh në nyjat e kockave. Po kështu edhe fëmijët që vuajnë nga diabeti.

·            Udhëzime mjekësore

Nëse fëmija arrin ta kalojë një provë me shëndet të plotë, që i jep mundësinë të vazhdojë agjërimin, duhet që familja ta inkurajojë dhe ta kontrollojë ushqimin e tij, sidomos vaktin e syfyrit, i cili duhet të përmbajë sasi të mjaftueshme sheqernash, të cilat e furnizojnë trupin me energji të mjaftueshme për aktivitetin e tij arsimor gjatë ditës, në mënyrë që të mos ndjejë lodhje. Nëse fëmija merr sasinë e nevojshme të ushqimit, të shplodhjes dhe bie të flejë herët, i ka të gjitha mundësitë që ta vazhdojë agjërimin pa u ballafaquar me asnjë problem shëndetësor.

·            Mosha e përshtatshme për agjërimin e fëmijës

Dijetari Abdul Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë –rreth agjërimit të fëmijës thotë: “Djemtë dhe vajzat, nëse mbushin moshën shtatë vjeçare urdhërohen që të agjërojnë, me qëllim që të mësohen dhe lind si detyrë e prindërve të tyre që t’i urdhërojnë për këtë ashtu siç i urdhërojnë për faljen e namazit dhe nëse arrijnë moshën e pubertetit, agjërimi është i detyrueshëm për ta.” Ndërsa mjekja Fatime El-Xharullah, profesoreshë asistente në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin Islamik të Imam Muhamed b. Saudit bën me dije se mbushja e moshës së pubertetit është domosdoshme për detyrimin e agjërimit. Si rrjedhojë, agjërimi sipas mendimit më të saktë, nuk është i detyrueshëm për fëmijët, me argument fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem që thotë: “Lapsi nuk shkruan për tri grupe: Për të fjeturin derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të piqet dhe për të çmendurin derisa të arsyetojë”, edhe pse ai është një adhurim trupor dhe nuk është i detyrueshëm për fëmijën, ashtu si Haxhillëku.

Përcillet nga Abdurrahman b. Ebi Lejla në një hadith mursel, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse fëmija përballon agjërimin e tri ditëve, e ka për detyrë të agjërojë muajin e Ramazanit.”

Është detyrë e prindërve (ose kujdestarëve) të fëmijës që ta urdhërojnë atë të agjërojë, nëse arrin ta përballojë dhe ta godasin që të mësohet, ashtu si namazi. Kjo ishte metodologjia e sahabeve –Allahu qoftë i kënaqur me ta, siç përcillet në Sahihun e Muslimit 2/1136, faqja 799, nga Halid b. Dhukrani, i cili thotë: “Pyeta Rabian, vajzën e Muauedhit rreth agjërimit të ashurasë dhe tha: “I Dërguari i Allahut çoi të dërguarit e tij nëpër fshatrat e Ensarëve…” dhe pasi përmendi hadithin tha: “Fëmijëve u punonim lojëra prej leshi dhe shkonim, e nëse na kërkonin ushqim, u jepnim lojën që t’i hutonte derisa të plotësonin agjërimin e tyre.”

Kështu, prova e agjërimit të fëmijës mund të vazhdojë me sukses pa lënë gjurmë negative për të, në rast se sigurohet kujdesi i mjaftueshëm nga familja për fëmijën, për ruajtjen, nxitjen dhe ndjekjen e detyrave të tij me metoda mjekësore, të cilat i japin mundësi të shplodhet dhe të flejë mjaftueshëm, derisa të arrijë të ndjekë nxënien me efikasitet dhe të përballojë vështirësitë njëkohësisht, duke u shndërruar në një njeri të durueshëm dhe të fortë.

Përktheu:  Genc PLUMBI

GJËRA QË DUHET T’I DISH PËR AGJËRIMIN

Allahu, subhanehu ue teala, thotë: O  besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. (Bekare 183).

I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, na rrëfen se Allahu ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mbrojtje e kur të agjërojë ndonjëri prej jush, le të mos bëjë punë të ndyra dhe të mos grindet. 

Por, nëse dikush e fyen ose dëshiron të rrihet le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj. Pasha Atë, në dorën e Kujt është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë, sesa era e parfumit. Agjëruesi ka dy gëzime, të cilave u ngazëllehet: Kur të hajë iftar – gëzohet për të dhe kur të takojë Zotin – gëzohet për agjërimin që ka bërë”.

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Në xhenet ka një derë, e cila quhet Rejjan, nga ajo derë në Ditën e Kiametit do të hyjnë agjëruesit, por askush tjetër përpos tyre. Pasi të hynë ata, mbyllet ajo derë dhe nuk do të hyjë asnjeri”.

Gjithashtu ka thënë: “Çdo rob i Allahut që agjëron një ditë për hir të Allahut, për atë ditë Allahu do ta largojë fytyrën e tij nga xhehenemi shtatëdhjetë vjet”.

Po ashtu ka thënë: “Ai që nuk braktis fjalët dhe punët e këqija, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ky të braktisë hajen dhe pijen”.

Ramazan është emri i muajit të nëntë nga muajt hënorë dhe është i vetmi që është i theksuar me emrin e tij në Kur’anin Fisnik.

Urtësia e ligjërimit të këtij adhurimi është ngritja dhe pastrimi i shpirtit, arritja e devotshmërisë, si dhe përgatitja për të shijuar mirësitë dhe lumturinë e ahiretit.

Rregulla të detyrueshme:

1. Përpikëria në të gjitha adhurimet veprore ose gojore,

2. Largimi nga të gjitha haramet veprore ose gojore, që shihen ose dëgjohen.

Rregulla të pëlqyeshme:

Vonimi i syfyrit, shpejtimi i iftarit, leximi i Kuranit, dhikri i shtuar, lutjet e shpeshta dhe sadakatë e shumta.

Veçoritë e Ramazanit:

1. Në këtë muaj zbriti Kurani. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Muaji i Ramazanit që në të zbriti Kurani…”.

2. Falja e mëkateve. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, do t’i falen mëkatet që i ka bërë më herët”.

3. Pranimi i lutjeve. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit deri në iftar, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i është bërë zullum”.

4. Në këtë muaj është edhe Nata e Kadrit.

5. Në Ramazan prangosen shejtanët.

6. Një umre në Ramazan është e barabartë me një haxhillëk. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Një umre në Ramazan është sa një haxhillëk”.

Agjërimi:

Agjërimi është heqja dorë me nijet nga haja, pija, marrëdhëniet intime dhe nga çdo gjë që e prish agjërimin, nga agimi i dytë deri në perëndim të diellit.

Agjërimi është një nga Shtyllat e Islamit.

Çdo besimtar, i rritur, i mençur, i aftë dhe vendas është i detyruar të agjërojë.

Agjërimi i Ramazanit fillon kur e shohim hënën e re të Ramazanit, e nëse jo, kur muaji Shaban t’i ketë plotësuar tridhjetë ditë. Për këtë Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Fillojeni agjërimin kur ta shihni hënën dhe ndërpriteni kur ta shihni. E nëse nuk mund ta shihni, atëherë plotësojeni muajin Shaban me tridhjetë ditë”.

Çfarë i lejohet agjëruesit:

1. Përdorimi i misvakut gjatë gjithë ditës. Po ashtu edhe larja e dhëmbëve.

2. Udhëtimi për ndonjë nevojë të lejuar.

3. Flladitja me ujë për shkak të të nxehtit.

4. Mjekimi me gjëra të lejuara, sikurse gjilpërat që nuk janë ushqyese.

5. Parfumimi.

6. Lyerja e syve.

Gjërat që e prishin agjërimin:

1. Marrëdhëniet intime.

2. Haja, pija dhe gjërat e ngjashme, sikurse gjilpërat ushqyese.

3. Nxjerrja e gjakut me hixhame, e njëjta gjë vlen edhe për dhënien e gjakut.

4. Vjellja e qëllimtë.

5. Menstruacionet ose lehonia.

Përveç menstruacioneve dhe lehonisë, gjërat që e prishin agjërimin duhet të plotësojnë këto kushte:

1. Ta dijë se këto gjëra e prishin agjërimin.

2. Të mos i bëjë nga harresa.

3. Të jetë i lirë dhe jo i detyruar.

Llojet e njerëzve në agjërim:

Së pari: Ata që në thelb nuk janë të detyruar të agjërojnë:

Lloji i parë: Jobesimtari.

Lloji i dytë: Fëmija, ky nuk e ka detyrë të agjërojë derisa të arrijë pubertetin. Mashkulli quhet se e arrin pubertetin me njërin nga këto tre elemente: dalja e spermës, qoftë në ëndërr apo ndryshe; dalja e qimeve në vendet e turpshme; dhe pasi mbush pesëmbëdhjetë vjeç. Ndërsa vajza, përveç këtyre gjërave mund të arrijë pubertetin edhe me menstruacionet e para.

Lloji i tretë: I çmenduri.

Lloji i katërt: I shtyri në moshë, saqë ka hyrë në kllapi dhe ka humbur aftësinë e dallimit të gjërave (matufosur).

Lloji i pestë: I paafti për agjërim me një paaftësi të vazhdueshme, e cila nuk shpresohet se do të largohet, sikurse i shtyri në moshë, ose i sëmuri që nuk shpreson shërimin. Mirëpo detyrohet për çdo ditë që nuk ka agjëruar, të ushqejë një të varfër.

Së dyti: Ata që nuk janë të detyruar të agjërojnë, por të kompensojnë:

Lloji i gjashtë: Udhëtari, por me kusht të mos e bëjë këtë, që t’i shpëtojë agjërimit.

Lloji i shtatë: I sëmuri që shpreson shërimin, dhe ai ka tre gjendje:

a. të mos i vijë rëndë agjërimi dhe as që ta dëmtojë. Ky detyrohet të agjërojë.

b. të dëmtohet nga agjërimi. Në këtë rast duhet të hajë dhe nuk i lejohet të agjërojë.

c. t’i vijë rëndë agjërimi, por të mos e dëmtojë. Ky duhet të hajë.

Lloji i tetë: Ajo që është në hajz (menstruacione). Agjërimi për të është i ndaluar.

(Nëse i paraqitet hajzi gjatë ditës duke agjëruar, qoftë edhe një çast para iftarit, agjërimi i saj prishet.

Nëse pastrohet nga hajzi gjatë ditës, në pjesën e mbetur të ditës nuk duhet të agjërojë, sepse ai agjërim është i pavlefshëm.

Nëse pastrohet nga hajzi gjatë natës, qoftë edhe një çast para agimit, ajo detyrohet të agjërojë ditën që vijon.)

Edhe për lehoninë vlejnë të njëjtat gjëra që u thanë për hajzin.

Lloji i nëntë: Gruaja me barrë ose ajo mëndeshë, të cilat kanë frikë për shëndetin e tyre ose të fëmijës, këto duhet të hanë.

Lloji i dhjetë: Ai që ka nevojë të hajë për të mbrojtur diçka të domosdoshme, sikurse shpëtimi i një personi që rrezikon të fundoset, të digjet etj.

Iftari

Kur agjëruesi të vërtetojë perëndimin e diellit dhe fillon të hajë këtë e quajmë iftar.

Ai duhet të shpejtojë ta hajë iftarin, sepse Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi, përderisa e shpejtojnë iftarin”. (Buhariu dhe Muslimi).

Me çka duhet të çelë iftar?

Enesi, radijallahu anhu, ka thënë: Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, para se të falte akshamin çelte iftarin me hurma të freskëta, nëse s’kishte atëherë me hurma të thata, e nëse s’kishte edhe nga këto, atëherë me disa gllënjka ujë. 

Duaja e iftarit:

Ibën Omeri, radijallahu anhu, rrëfen se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, kur çelte iftarin thoshte: “DHEHEBE DHAMEU, UEBTELETIL URUKU, UE THEBETEL EXHRU INSHAALLAH – Kaloi etja, u lagën venet dhe u fitua shpërblimi me lejen e Zotit”.

Në kohë të iftarit edhe lutjet e tjera pranohen. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit deri në iftar…”

Shpërblimi i atij që u jep iftare të tjerëve:

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, ai do të marrë edhe sa shpërblimi i atij agjëruesit, por duke mos iu pakësuar aspak shpërblimi i agjëruesit”.

Disa hadithe që nuk janë të vërteta:

1. “Agjëroni, nëse doni të jeni të shëndoshë”.

2. “Gjatë agjërimit, përdorni misvakun paradite por mos e përdorni pasdite, sepse atij agjëruesi që i thahen buzët, kjo do të jetë dritë për të në Ditën e Kiametit”.

3. “Muaji i Ramazanit mbetet pezull mes qiellit dhe tokës dhe nuk pranohet tek Allahu derisa të jepet sadakatul fitri”.

Teravitë

Ato janë gjallërim i netëve të Ramazanit me namaz dhe lexim të gjatë në të. Emri Teravih në përkthim nënkupton pushimin, ndërsa ky namaz u quajt kështu, sepse ata pushonin pas çdo dy rekateve.

Ky namaz është sunet dhe i ka njëmbëdhjetë rekate, sepse Ajsha radijallahu anha, na tregon se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, nuk falte gjatë natës më shumë se njëmbëdhjetë rekate, pa dallim a është në Ramazan apo jashtë tij.

Por, ka dijetarë që thonë se lejohet të falen edhe më shumë rekate dhe shumica e tyre mbështeten në një rast ku Omeri, radijallahu anhu, i ka tubuar besimtarët që t’i falin së bashku njëzet rekate. Por, krahas asaj se për vërtetësinë e kësaj ngjarje ka mospajtim te shkencëtarët e hadithit shtojmë edhe atë se: t’i përmbahemi Sunetit të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, është më e mirë dhe më e shpërblyer.

Dhjetë ditët e fundit

Aishja, radijallahu anha, na tregon se: “kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e gjallëronte natën, zgjonte familjen dhe shtrëngonte rripin”, d.m.th. nuk flinte me gratë e tij.

Syfyri

Haja dhe pija që bëjmë në fund të natës me nijet agjërimi quhen syfyr.

Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të krishterëve dhe çifutëve është ngrënia e syfyrit”. Gjithashtu ka thënë: “Hani syfyr, sepse ajo kohë është e begatshme”.

Agjërime tjera të pëlqyera

1. Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval që vijon menjëherë pas Ramazanit, për të marrë shpërblimin sikurse të kesh agjëruar tërë jetën.

2. Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjtes, gjatë gjithë vitit, sepse ato janë dy ditë kur Allahut i shfaqen veprat e njerëzve.

3. Agjërimi i tre ditëve nga çdo muaj hënor, që kështu të fitosh shpërblimin sikur të kesh agjëruar tërë jetën. Si ashtu? Një e mirë shpërblehet me dhjetë dhe kur ti agjëron tre ditë nga çdo muaj shpërblehesh sikur të kesh agjëruar tridhjetë ditë. Më e mira është që këto tre ditë të jenë dita e 13, 14 dhe 15 e çdo muaji hënor.

4. Agjërimi i nëntë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe, e prej tyre dita e nëntë në veçanti d.m.th. dita e Arafatit.

5. Agjërimi në muajin Muharrem, e prej tyre dita e nëntë dhe e dhjeta në veçanti.

Kur është i ndaluar agjërimi

1. Agjërimi i “ditës së dyshimtë” d.m.th. ditës së tridhjetë të muajit Shaban.

2. Agjërimi i ditës së Bajramit, qoftë Fitër Bajrami apo Kurban Bajrami.

3. Agjërimi i tre ditëve që vijnë menjëherë pas Kurban Bajramit, d.m.th. dita 11, 12 dhe 13 nga muaji Dhul Hixhe. Një gjë e tillë i lejohet vetëm atij që është në haxhillëk dhe nuk ka pasur mjetet financiare të therë kurban.

4. Veçimi i ditës së xhuma për ta agjëruar.

5. Agjërimi vullnetar i një gruaje, pa lejen e bashkëshortit.

Itikafi

Itikafi është një adhurim dhe është sunet. Më e mira është që kjo të bëhet gjatë Ramazanit në cilëndo xhami ku falet namazi me xhemat. Çdo mashkull apo femër mund të hyjë në itikaf, në cilëndo xhami, nëse me këtë nuk i pengon dhe as nuk i dëmton të tjerët. Ai që hyn në itikaf duhet të rrijë aty, të angazhohet me përkujtimin e Allahut dhe ibadet. Ai nuk duhet të dali nga xhamia, përveçse për nevoja fiziologjike apo për ushqim, nëse nuk ka njeri që t’ia sjellë ushqimin. Veprimi më i mirë do të ishte që të flasë sa më pak me njerëzit e tjerë dhe të angazhohet me lutje dhe adhurim, por nëse e vizitojnë shokët, nuk prish punë, sepse edhe Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, e vizitonin gratë e tij, kur ishte në itikaf, bisedonin dhe pastaj ato shkonin në shtëpi.

Përshtati: Omer BERISHA


 Buhariu dhe Muslimi

 Buhariu dhe Muslimi

 Buhariu

 Buhariu 1910

 Sahihul Xhamië 4097

 Sahihu Tirmidhi 560

 Sahih Ebu Davud 2066.

 Silsile Daife 253.

 Silsile Daife 43.

 Buhariu 1920, Muslimi 1174

 Muslimi 1096

  Muslimi 1095

TI DHE FAMILJA JOTE GJATË RAMAZANIT

Familja jote, shoqëria e afërt, të cilët të konsiderojnë mbretëreshë është përgjegjësi për ty në çdo kohë dhe në çdo rast. Detyrimet e tua ndaj familjes shtohen në muajin që e arrijmë vetëm një herë në vit e nuk garantohemi se do ta arrijmë vitin e ardhshëm “Muaji i Ramazanit”. Pra, familja nga ti do të ketë nevojë për udhëzimin drejt më të vlefshmes, përkrahjen në kryerjen e adhurimeve të vërteta, dhe t’i ofrosh asaj ndihmë pa u dëshpëruar dhe pa humbur shpresën për shkak se është larguar nga edukata të ndryshme të familjes gjatë Ramazanit, që për fat të keq janë shoqëruar me këtë muaj në veçanti.

Ti ke një rol që nuk shpërfillet, ti mund të jesh shëmbëlltyrë t’i mënjanosh nga ato gabime pa e vërejtur vetë. Kujdesu të largosh veten dhe familjen tënde të mos bien në këto gabime, dhe përkujto se je duke formuar një gjeneratë të së ardhmes, të cilët  me rolin e tyre do të jenë përgjegjës për gjenerata që do të vijnë pas. Nëse mbjell tek ata edukatën e duhur po ashtu do t’i trashëgojnë fëmijët e tyre dhe e kundërta po ashtu, kjo është një barrë e madhe për ty ta kuptosh madhështinë e kësaj gjëje. Në vazhdim do të paraqesim disa sjellje të këqija dhe gabime në të cilat bien disa familje muslimane gjatë Ramazanit.

Nijeti

Disa e harrojnë të bëjnë nijet për agjërimin, kështu që duhesh të përkujtosh pjesëtarët e familjes tënde, që të bëjnë nijet që në mbrëmje para kohës së sabahut, kjo na vërtetohet nga i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, të ketë thënë: “Kush nuk bën nijet që në mbrëmje ai nuk ka agjërim”.

Fjetja gjatë ditës dhe ndeja e natës

Kështu sillen shumë njerëz gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ku flenë ditën dhe zgjohen natën, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe natën ua bëmë mbulesë (si rrobat). Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim.” Ata me këtë nuk e shijojnë ëmbëlsinë e agjërimit, ku ndoshta disave mund t’ju kalojë koha e drekës apo edhe e ikindisë. Për këtë obligim i yti si nënë është të rregullosh kohën në familjen tënde dhe të sakrifikosh në mos lejimin e ndejave të natës, të flenë natën e të zgjohen ditën, që secili të shkojë e të kryejë veprimtarinë e vet, burri në punë e fëmijët në shkollë.

Shikimi i serialeve dhe kuizeve

Dhe programe të tjera për të cilat garojnë kanalet për transmetimin e tyre, që për fat të keq këto kanale e presin Ramazanin dhe përgatiten për te më tepër sesa ne bëhemi gati, ku programi i saj përgatitet me kujdes për të joshur shikuesit më tepër, sesa ne përgatisim fëmijët tanë dhe i joshim në adhurim gjatë Ramazanit.

Në kuzhinë

Shumë gra shumicën e ditës e kalojnë në kuzhinë për të përgatitur ushqimin dhe mundet që mos ta përfundojnë përgatitjen pos në ezanin e akshamit e ndonjëherë edhe pas ezanit. Me këtë ajo e humb ditën, pra muajin në mesin e enëve dhe erëzave, larg nga përmendja e Allahut, adhurimi dhe leximi i Kuranit, ndoshta kërkon nga bija e saj të përgatisë lloje të tjera ushqimi, në vend që ta nxisë atë në adhurim. Për këtë duhesh ta mësosh familjen tënde të mjaftohen me një ose dy lloje ushqimi dhe kohën që e kalon në kuzhinë, e drejtë e jotja është ta adhurosh Allahun në atë kohë.

Teprimi në ngrënie dhe pirje      

Gjë e cila rezulton në përtaci dhe apati, që e godet gjithë familjen, e i vonon ata nga përgatitjet e detyrimeve jetësore, i dështon atyre namazi i teravisë dhe adhurimeve të tjera për të cilat ata duhet të përgatiten për në Ramazan.

Lutja e iftarit

Shumica e familjeve kaplohet nga gjendja e zhurmës para iftarit, njëra vjen me pijet, tjetra i vërtit enët në zjarr, ky kërkon ujë, ndërsa harrojnë se erdhi koha për lutje në iftar, lutje e cila nuk refuzohet.

Falja e namazit të akshamit me xhemat

Shumica e burrave nuk e falin namazin e akshamit me xhemat, sepse i tërheq tryeza e iftarit me shumëllojshmërinë e saj me programe tërheqëse gjatë iftarit nga shkuarja në xhami, këtu duhesh së pari ta pakësosh tryezën në disa hurma e një gotë me ujë, e më pas përgatitjen e tryezës pas kthimit të burrit dhe fëmijëve nga namazi. Do të shohësh se kjo gjë është më e mirë po ashtu edhe nga aspekti shëndetësor.

Vizitat

Disa gra preferojnë të kalojnë netët e Ramazanit me vizitat e të afërmve. Nëse kjo ndodh si shkas për lidhjet farefisnore, atëherë s’ka gjë, por të mos e zgjasim vizitën e të tejkalojmë te përgojimi, bartja e fjalëve në atë ndejë etj.

Lënia e syfyrit

Disa familje e lënë syfyrin përkundër dobive, të cilat i ka cekur i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem“Bëni syfyr, ngaqë në syfyr gjendet bereqeti”, për këtë duhet të kujdesesh për këtë ushqim dhe të kujdesesh në zgjimin e mbledhjen e familjes në tryezën e syfyrit.

Cikli mujor (hajzi) dhe lehonia (nifasi)

Disa gra dhe të reja bëhen pasive nga adhurimi gjatë hajzit dhe nifasit, e kjo gjë është gabim, se nëna duhet patjetër të kuptojë bijën e saj se hajzi ndalon nga agjërimi dhe namazi, mirëpo nuk e ndalon atë nga përmendja e Allahut, lutja, lëmosha, nga leximi i Kuranit, por duke mos e prekur mus’hafin.

“Ende jeni të vegjël”

Disa nëna i ndalojnë fëmijët e tyre nga agjërimi, duke u argumentuar se ata janë ende të vegjël dhe nuk kanë mundësi fizike për ta bërë një gjë të tillë, këtu duhet që nëna të mos e injoron këtë dhe mbikëqyrjen e saj në kryerjen e agjërimit, kur fëmija të arrijë vitin e obligueshmërisë e më pas përkujtimin për kryerjen e asaj që i ka mbetur nga ditët e agjërimit pasi të kalojë Ramazani.

Dhjetëshi i fundit në treg

Shumica e familjeve muslimane e humbasin dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit në treg, bëhen turma nëpër tregje në ditët ku afrohet dita e Bajramit për të blerë gjërat e nevojshme për Bajram, si rroba, ëmbëlsira, mjete për gostitje etj., nëna i merr fëmijët e saj në treg që të zgjedhin e të masin rrobat, po ashtu kërkon nga burri i saj ta shoqërojë atë, e me këtë e gjithë familja e humbet shansin për adhurim. Ky shans nuk përsëritet përveçse një herë në vit, dhe kur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, arrinte dhjetë ditët e fundit e shtrëngonte izarin, e gjallëronte natën, i zgjonte familjarët duke kërkuar natën e Kadrit, për këtë ai edhe bënte itikaf në këto net të fundit.

Vonimi i sadakatu fitrit

Prej gabimeve në të cilat bien disa familje është edhe vonimi i sadakatu fitrit deri në kalimin e kohës. Ki kujdes që t’ia përkujtosh burrit tënd ta japë atë para namazit të Bajramit.

Namazi i Bajramit

Disa gra e neglizhojnë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për namazin e Bajramit, pavarësisht se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka nxitur gratë e burrat të jenë të pranishëm në këtë namaz edhe ato që janë me hajz si dhe ato që janë shumë të reja.

Nga arabishtja: Shpend ZENELI

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top