PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

PERSONAT QË LIROHEN NGA AGJËRIMI DHE MËNYRAT E KOMPENSIMIT

Është më se e ditur se agjërimi i Ramazanit jo vetëm që konsiderohet detyrim (farz) islam, të cilin duhet ta kryejë muslimani, por ai është një nga shtyllat më thelbësore të fesë, domosdoshmëria e të cilit vjen menjëherë pas dëshmisë (shehadetit) dhe faljes së namazit. Megjithatë Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik gjatë përligjjes së kësaj dispozite na e bën me dije se duhet të kihen parasysh rrethanat, kushtet dhe gjendja e besimtarit, i cili e përjeton këtë muaj dhe dëshiron ta agjërojë atë. Për këtë vërtetohet se i sëmuri, i cili nuk ka mundësi ta përballojë agjërimin, ose udhëtari që merr një rrugë të gjatë dhe personat e ngjashëm me këta lirohen nga ky detyrim. Lirimi nga agjërimi i njerëzve të këtillë, provon faktin se me detyrimin e agjërimit nuk synohet vështirësimi ndaj besimtarëve, por kalitja e tyre, arritja e devotshmërisë dhe manifestimi i nënshtrimit ndaj Krijuesit të tyre.

Allahu i Lartësuar në fund të ajeteve në të cilat përligjet agjërimi na e bën me dije këtë, duke na thënë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë”.

Në vazhdim lexuesi do të ketë rast të njoftohet me personat të cilët lirohen nga agjërimi dhe me çfarë ngarkohen ata, për ta plotësuar atë mangësi. Mirëpo, meqë rrethanat e njerëzve të cilëve u lejohet lënia e Ramazanit nuk është e njëjtë dhe rrjedhimisht dispozitat e tyre dallojnë, varësisht prej gjendjes së tyre, atëherë do të flasim rreth kësaj problematike duke i klasifikuar ata në tri kategori:

1-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk detyrohen me kompensim.

2-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe detyrohen me kompensim (kaza).

3-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk kanë mundësi ta kompensojnë atë me agjërim. 

1-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk detyrohen me kompensim.

a)            Gjendja e jobesimtarit: 

Nuk ka dyshim se agjërimi është adhurim specifik, i cili bëhet vetëm për hir të Allahut të Madhërishëm, prandaj për të qenë i pranuar ky adhurim duhet patjetër që njeriu të jetë musliman, i cili e ka pranuar Allahun për Zot të tij dhe Muhamedin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për të dërguar të Allahut. Duke u nisur nga ky fakt themi se nëse një jobesimtar e pranon Islamin dhe –kuptohet – ai gjatë jetës së tij para se të ishte musliman nuk ka agjëruar, atëherë një personi i tillë nuk detyrohet t’i kompensojë ato muaj të Ramazanit, të cilat nuk i ka agjëruar më herët, meqë njeriu që e pranon Islamin i shlyhen të gjitha mëkatet, të cilat i ka bërë para Islamit. Kjo vërtetohet me fjalën e Zotit të Madhërishëm në të cilën thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara…”Gjithashtu kjo vërtetohet edhe me hadithin e saktë në të cilin i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Islami anulon të gjitha mëkatet e mëparshme”.

b)           Fëmija i mitur: 

Nga personat që lirohen nga agjërimi është fëmija, i cili nuk ka arritur moshën e pjekurisë. Çdo dispozitë detyruese në Islam hyn në fuqi për njeriun me arritjen e moshës madhore. Prandaj nuk detyrohet me namaz, agjërim, haxh dhe detyrime të tjera fëmija deri në momentin që arrin moshën e pjekurisë. Gjithashtu me pajtim të të gjithë dijetarëve të umetit (ixhma), nga ai nuk kërkohet që t’i bëjë kaza ato ditë të Ramazanit, të cilat nuk i ka agjëruar gjatë kohës kur ishte i mitur. Argument për këtë është hadithi: “Lapsi është i ngritur nga tre persona: nga personi që është në gjumë, derisa të zgjohet, nga fëmija, derisa të hyjë në moshën madhore, dhe nga i çmenduri, derisa të kthjellohet (të bëhet i aftë mendërisht)”. Mirëpo ky fakt nuk duhet t`i bëjë prindërit të qetë dhe të mos interesohen për mësimin e fëmijëve e tyre me agjërim para moshës madhore. Gjatë fëmijërisë, posaçërisht nëse fëmija është i shëndetshëm dhe ka mundësi ta përballojë agjërimin, atëherë preferohet që prindi ta kalitë fëmijën e tij me agjërim qoftë edhe pak ditë të Ramazanit.

c)            Njeriu, i cili nuk ka mendje (i çmenduri):

Personi, i cili nuk ka mendje të shëndoshë dhe nuk është i vetëdijshëm lirohet nga agjërimi, meqë kusht për të qenë agjërimi detyrim është që personi të ketë mendje dhe të jetë i aftë në dallimin e gjërave. Argument për këtë është hadithi i lartpërmendur në të cilin thuhet, se lapsi ngrihet edhe nga i çmenduri derisa të bëhet i aftë mendërisht. Gjithashtu, një person i këtillë nuk detyrohet t’i kompensojë ato ditë të pa-agjëruara, nëse pas një farë kohe i rikthehet mendja dhe aftësohet.

2-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe detyrohen me kompensim (kaza).

Personat që arsyetohen me lënien e agjërimit të Ramazanit dhe që më pas detyrohen t’i kompensojnë ato ditë janë:

a)            I sëmuri:

Personi, i cili është i sëmurë lejohet ta prishë agjërimin gjatë Ramazanit dhe ai në këtë rast nuk ka mëkat. Argument për këtë është ajeti: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë”. Megjithëse ekzistojnë shqyrtime të ndryshme te juristët muslimanë, se cila sëmundje e arsyeton mos-agjërimin e Ramazanit, ne pa hyrë në elaborimet e tyre themi se jo çdo sëmundje e liron njeriun nga agjërimi. Me fjalë të tjera sëmundja për agjëruesin mund të jetë dy llojesh:

–                      Sëmundje, e cila nuk ndikohet nga agjërimi, sikurse ftohjet e thjeshta (gripi), dhimbjet e lehta të kokës, dhimbja e dhëmbit, e gishtit dhe sëmundjet e tjera të vogla, të cilat nuk përkeqësohen me agjërim. Në këtë rast nuk lejohet prishja e agjërimit, edhe pse disa fukaha kanë thënë se lejohet prishja.

–                      Sëmundje, e cila ndikohet nga agjërimi dhe kështu çdo agjërim që ia shton të sëmurit sëmundjen, e pamundëson shërimin ose ia vonon kurimin, nuk lejohet ta agjërojë. Ndërsa nëse agjërimi për të sëmurin nuk shkakton dëm, por vetëm vështirësi, atëherë në këtë rast atij i preferohet prishja.

b)           Udhëtari:

Nga njerëzit të cilët arsyetohen me mos-agjërim të Ramazanit është edhe personi, i cili ndërmerr ndonjë udhëtim të gjatë në këtë muaj. Argument se udhëtari është i lejuar ta prishë agjërimin është po i njëjti citat i përmendur tek i sëmuri, meqë në atë ajet gjatë përjashtimit të personave, të cilët lirohen nga agjërimi, i sëmuri dhe udhëtari përmenden së bashku.

Cila është më e preferuar për udhëtarin agjërimi apo prishja e agjërimit?

Udhëtarit i lejohet prishja e agjërimit, për shkak të udhëtimit edhe nëse nuk has në vështirësi. Nëse has në vështirësi, atëherë vërtetohet prishja e agjërimit. Ndërsa më e mira për të është të veprojë atë që është më e përshtatshme për të. Nëse edhe sikur të agjërojë apo mos të agjërojë është njësoj për të, atëherë më e mirë për të është të agjërojë, për shkak se ai me këtë e liron veten duke e kryer agjërimin dhe më e lehtë për të është të agjërojë me njerëzit. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve. Kur është pyetur Enes Ibën Maliku rreth agjërimit të udhëtarit ka thënë: “Kemi udhëtuar së bashku me të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, në Ramazan dhe nuk i bënte vërejtje ai që agjëronte atij që nuk agjëronte, ashtu si nuk i bënte vërejtje ai që nuk agjëronte atij që agjëronte”. Gjithashtu tregohet se Hamza Eslemi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam forcë të agjëroj edhe kur jam udhëtar. A bëj gabim po të veproj kështu?” Profeti iu përgjigj: “Ky është një lehtësim nga ana e Allahut. Kush e shfrytëzon, vepron drejt dhe kush do të agjërojë, nuk ka ndonjë vërejtje për të”.

c)            Gruaja gjatë menstruacioneve dhe lehona:

Gruaja, e cila është me menstruacione (hajz) dhe lehoni (nifas) nuk i lejohet të agjërojë, për shkak të gjendjes së saj. Nëse fillon të rrjedhë gjaku (i menstruacioneve) gjatë ditës së Ramazanit, qoftë edhe pak kohë para perëndimit të diellit, agjërimi i saj prishet. Ndërsa nëse gruaja pastrohet nga menstruacionet apo lehonia gjatë ditës së Ramazanit, nuk detyrohet ajo të agjërojë pjesën tjetër të ditës, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Argument se gruaja me të përmuajshmet dhe lehona nuk lejohet të agjërojnë është ixhmaja (pajtimi i të gjithë ulemave të Umetit), e cila bazohet në hadithin e Aishes në të cilin kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Nga ky hadith nënkuptohet se gratë gjatë kohës së Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur ishin me të përmuajshme nuk agjëronin.

d)           Gruaja shtatzënë dhe gji-dhënësja:

Mëshira e madhe e Allahut të Madhëruar ndaj njerëzve manifestohet në çdo aspekt dhe në këtë kontekst gratë shtatzëna dhe gji-dhënëse lirohen nga agjërimi. Gruaja shtatzënë apo ajo që e ka fëmijën në gji, nëse frikësohet për shëndetin e saj, ose për fëmijën e saj, ose për të dyja; fëmijën dhe shëndetin e saj, asaj pra, i lejohet prishja e agjërimit. Përndryshe nëse agjërimi nuk i shkakton ndonjë të keqe asaj ose fëmijës së saj, atëherë ajo agjëron. Enes ibën Maliku tregon se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka shkurtuar namazin përgjysmë për udhëtarin dhe e ka larguar barrën e të agjëruarit nga udhëtari, gruaja shtatzëne dhe gji-dhënësja”.

Kompensimi i ditëve të pa-agjëruara:

Plotësimi ose kompensimi i ditëve të lënë pa agjëruar nga Ramazani është detyrim për të sëmurinudhëtaringruan me menstruacione e lehonë dhe për shtatzënën e gji-dhënësen. Nëse një ditë nga Ramazani është lënë pa agjëruar, atëherë duhet të agjërohet vetëm një ditë për ta plotësuar atë dhe nuk ka ndonjë shtesë tjetër. Nëse dikush plotëson ditët e pa-agjëruara, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë duke agjëruar rresht. Allahu i Lartësuar në Kuran thotëSa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Kjo do të thotë se kushdo që është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin duhet të agjërojë të njëjtin numër ditësh pavarësisht nëse e bën këtë rresht apo me ndërprerje.

Për kompensimin e ditëve të pa-agjëruara nga gruaja me të përmuajshme dhe lehonë është sqarimi i Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të, e cila tregon se Gruaja me të përmuajshme e kompenson agjërimin e lënë, ndërsa nuk e kompenson namazin e lënë dhe në këtë ka konsensus (ixhma).

Ndërsa gruaja shtatzënë dhe gji-dhënësja, që nuk kanë agjëruar ditët e Ramazanit ka mendime te dijetarët, se si bëhet kazaja e atyre ditëve. Pa u zgjeruar në këtë çështje themi se e sakta është se pavarësisht arsyes pse e kanë prishur agjërimin ato; a për shkak të foshnjës, apo për shkak të shëndetit të tyre, ato janë në të njëjtën gjendje sikurse i sëmuri, prandaj mjaftohet t’i kompensojnë ato ditë të lëna dhe nuk ka nevojë për ndonjë veprim tjetër shtesë, sikurse ushqimi i të varfërve.

Vonimi i kompensimit deri në Ramazanin e ardhshëm:

Personat e lartpërmendur, të cilët arsyetohen me mos-agjërimin e Ramazanit kërkohet prej tyre t’i kompensojnë ato ditë të pa-agjëruara pasi të kryhet muaji i Ramazanit dhe pasi të lirohen nga rrethanat, të cilat i kanë penguar për agjërimin, sikurse fjala vjen, i sëmuri të shërohet, udhëtari ta përfundojë udhëtimin etj.  Nuk është e detyruar që bërja kaza e atyre ditëve të fillojë menjëherë, pasi koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë dhe kjo shkon deri në Ramazanin e ardhshëm. Na tregohet se Aishja i plotësonte ditët e pa-agjëruara të Ramazanit pak para hyrjes së Ramazanit, më saktë në muajin Shaban, dhe ky është muaji, i cili i paraprin muajit Ramazan. Prandaj atij që i kanë mbetur pa-agjëruar nga ditët e Ramazanit dhe e vonon këtë, afati i fundit i kompensimit të tij është fillimi i muajit Ramazan i vitit të ardhshëm, kjo nëse nuk ka arsye, por nëse e vonon me arsye edhe pas Ramazanit të ardhshëm nuk ka mëkat. Ndërsa kush e vonon pa arsye agjërimin (kaza) e atyre ditëve, që nuk i ka agjëruar, derisa të vijë Ramazani i ardhshëm, nga ai kërkohet të pendohet (për këtë vonesë) dhe ta agjërojë Ramazanin, pastaj t’i plotësojë ditët e lëna pa agjëruar. Edhe pse transmetohet nga tre sahabë, se nga ata kërkohet krahas plotësimit, edhe të ushqejnë nga një të varfër për secilën ditë, nga citatet kuranore që flasin për këtë çështje kuptohet se kërkohet vetëm plotësimi dhe pendimi për vonimin dhe jo ndonjë vepër tjetër më shumë. Kjo është edhe zgjedhja e Hanefive, Ibrahim Nehaiut, Imam Buhariut dhe disa dijetarëve të tjerë.

3-            Personat që lirohen nga agjërimi dhe nuk kanë mundësi ta plotësojnë atë me agjërim. 

Personat, të cilët lirohen nga agjërimi i Ramazanit dhe nuk kanë mundësi t’i kompensojnë ato ditë me agjërim janë:

a)            Pleqëria e thellë:

Plaku dhe plaka shumë të vjetër dhe të thyer në moshë, të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë, për shkak të dobësisë së tyre dhe ballafaqimit me vështirësi të papërballueshme; këta persona lirohen nga agjërimi. Gjithashtu është e qartë se gjendja shëndetësore e këtyre pleqve nuk ka mundësi të përmirësohet, prandaj nga ata nuk pritet se kanë mundësi t’i plotësojnë ato ditë të Ramazanit dikur.

b)           Sëmundjet kronike:

Personat, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike të pashërueshme që pamundësojnë agjërimin, lirohen nga agjërimi i Ramazanit. Gjithashtu këta persona, meqë vuajnë nga sëmundje të pashërueshme ata nuk kanë mundësi t’i kompensojnë ato ditë pas Ramazanit. Si shembull i sëmundjeve kronike janë: disa lloje të rënda të sëmundjes së sheqerit, sëmundjet ekstreme të zemrës, tensioni i lartë etj.

Mënyra e kompensimit të ditëve të pa agjëruara për këta njerëz:

E sqaruam më lart, se plaku dhe plaka në moshë të thyer dhe i sëmuri me sëmundje kronike, nuk kanë mundësi t’i plotësojnë ditët e pa-agjëruara të Ramazanit. Prandaj ata nuk detyrohen me kaza të atyre ditëve, por nga ata kërkohet që për çdo ditë të Ramazanit të pa-agjëruar të ushqejnë një të varfër. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”. Ibën Abasi gjatë komentimit të këtij ajeti ka thënë: “Ajeti nuk është i anuluar, por ka të bëjë me plakun dhe plakën, të cilët nuk mund të agjërojnë, ndërsa ata për çdo ditë duhet të ushqejnë një të varfër”.

Për sasinë e ushqimit që duhet dhënë në këtë rast dijetarët kanë mendime të ndryshme dhe themi se ajo që duhet të jetë e mjaftueshme është përgatitja e një shujte ushqimi për një të varfër për çdo ditë të pa-agjëruar të Ramazanit. Nëse mjaftohemi edhe me një kilogram e gjysmë ose dy miell, oriz, makarona etj. bën, edhe pse përgatitja e shujtës është më primare.



 Bekare, 185.

 Enfal, 38.

 Muslimi.

 Ebu Davudi dhe Albani e cilëson të saktë.

 Bekare, 185.

 Hashijetu Ibën Abidin vëll. II, fq. 116; Esh-Sherhul Mumti, vëll. VI, fq. 341.

 Muslimi.

 Muslimi.

 Buhariu dhe Muslimi.

 Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Albani e cilëson të saktë.

 Bekare, 185.

 Fikhu Sune, vëll. I, fq. 311.

 Muslimi dhe Tirmidhiu

 Esh-Sherhul Mumti, vëll. VI, fq. 348-350.

 Buhariu dhe Muslimi.

 El-hidaje Sherhu Bidaje, vëll. I, fq. 127.

 Fet`hul Bari, vëll. 4, fq. 188; Esh-Sherhul Mumti, vëll. 6, fq. 445.

 Bekare, 184.

 Shënon Buhariu.

PARA MUAJIT RAMAZAN

– Kërkoj falje nga tri gjëra:

1. Nëse e zemërova dikë.
2. Nëse e dëmtova dikë.
3. Nëse e ngushtova dikë.

– I falënderoj tre njerëz:

1. Atë që tek ai kam respekt.
2. Atë që kishte durim me mua.
3. Atë që bën dua për mua kur jam larg tij.

– Ua fali tre personave:

1. Atë që më përgojoi kur nuk isha prezent.
2. Atë që më ofendoi.
3. Atë që më bëri padrejtësi.

– O Zot mundësona ta presim muajin e Ramazanit me gjynahe të falura dhe me vepra të pranuara!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

VEÇORITË E MUAJIT RAMAZAN

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë. Dijeni se prej urtësisë së madhe të Tij është ta veçon kë të donë nga krijesat e Tij dhe ta dallon njërën krijesë nga tjetra. Disa nga njerëzit i bëri të dallohen nga të tjerët dhe disa vende i bëri të dallohen nga vendet tjera dhe poashtu disa periudha i bëri të dallohen nga periudhat tjera dhe Allahu nga ato e veçoi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë dhe në Kuran tha: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)“. Bekare 185.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i qartësoi edhe më gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan me një hadith të cilin na e përcjell Selman el Farisij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, na ligjëroi në ditët e fundit të muajit Shaban dhe tha: “O ju njerëz, po afrohet një muaj i madh dhe i bekuar. Në këtë muaj është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Ai që e kryen një punë të mirë vullnetare gjatë këtij muaji, është si të ketë kryer një punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ai që kryen një vepër të detyrueshme është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ky është muaji i durimit dhe shpërblimi i durimit është xheneti. Ky është muaji i barazisë dhe bujarisë dhe bamirësisë. Në këtë muaj furnizimi i besimtarit rritet. Kushdo që i jep ushqim një agjëruesi këtë muaj, kjo do të bëhet shkak që atij t’i falen mëkatet, do të shpëtojë nga zjarri dhe ai do ketë shpërblimin e tij pa i hequr personit që ushqehet asnjë pjesë të shpërblimit të tij”.

Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, nuk mundet çdokush prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues”. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u përgjigj: “Allahu e shpërblen atë që ushqen një agjërues me hurmë, ujë ose qumësht. Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi falje kurse fundi shpëtim nga zjarri. Atë që jep nga pasuria e vet, Allahu e mëshiron dhe e shpëton nga zjarri. Shtoni në këtë muaj katër gjëra: me dy fitoni pëlqimin e Allahut kurse me dy tjera jeni të detyruar. Dy të parat janë: dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe kërkimi për faljen e mëkateve, kurse dy të fundit janë: kërkoni prej Allahut xhenetin dhe mbështetuni në mbrojtjen e Tij nga zjarri. Kush i jep ujë agjëruesit, Allahu i jep atij prej lumit tim dhe nuk ndien etje derisa të hyjë në xhenetin e Allahut”.

O ju robërit e Allahut, në këtë hadith janë të qartësuara gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka përshkruajtur këtë muaj si të madh dhe të bekuar. Këto dy cilësi i japin një veçori të posaçme muajit Ramazan kundruall muajve tjerë. Çdo çast i këtij muaji përshkruhet se është i madh dhe i bekuar. I bekuar në kohë, i bekuar në vepër dhe i bekuar në shpërblim. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, lajmëroi se në të është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Ajo natë është nata e Kadrit dhe muaji Ramazan veçohet me të për arsye se ajo natë nuk gjendet në muajt e tjerë. Ajo natë është më e mirë se çdo natë tjetër dhe në Kuran përshkruhet me cilësi të mëdha.

Ajo është nata kur zbriti Kurani: Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit”. Kadër 1. Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, e cek se Kurani ka zbritur i kompletuar në qiellin e parë të dynjasë, i cili njihet me emrin Bejtul Iz’zeh, dhe kjo ka ndodhur natën e Kadrit. Ajo natë është nata e bekuar ashtu siç e përshkruan Allahu në Kuran: Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar”. Duhan 3. Ajo është nata kur zbresin melekët me mirësi: “Melekët dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë”. Kadër 4. Ajo është nata kur vendoset përcaktimi vjetor: “Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë”. Duhan 4. Ajo natë e tëra është paqe: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”. Kadër 5. Ajo natë e madhe me begatitë dhe mirësitë e saj është një nga veçoritë e muajit Ramazan.

Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Agjërimi gjatë ditës në këtë muaj është një prej shtyllave të Islamit dhe me përfshirjen e një prej shtyllave të Islamit gjatë këtij muaji ky muaj veçohet prej muajve tjetër. Poashtu veçohet edhe me faljen e teravive, i cili është një prej namazeve të lavdërueshme, dhe falja e tij nuk ligjësohet jashtë këtij muajit.

Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se shtohen sevapet në këtë muaj. Puna vullnetare në sevap është si sevapi i një pune të detyrueshme në çdo kohë tjetër dhe puna e detyrueshme në sevap është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Nuk dihet se sevapet shtohen në një muaj tjetër si në muajin e Ramazanit dhe kjo veçori e bën këtë muaj të veçohet prej muajve tjerë.

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i durimit. Muslimani bën durim nga largimi i epsheve dhe bën durim në vështirësitë e adhurimeve. Durimi është një nga nënshtrimet më të rënda për shpirtrat dhe për këtë arsye shpërblimi i tij është xheneti: Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë“. Zumer 10.

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i bujarisë. Bujaria e Allahut në këtë muaj shfaqet me faljen e robërve të Tij dhe lirimin e tyre prej zjarri të xhehenemit. Kurse bujaria mes robërve shfaqet me barazinë mes tyre, ushqimin e të varfërve, ushqimin e agjëruesve dhe me butësinë mes tyre.

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i mëshirës mes njerëzve dhe muaj i zbritjes së mëshirës prej Mëshiruesit. Pasaniku e mëshiron të varfrin, i forti e mëshiron të dobëtin, sunduesi e mëshiron atë që është nën pushtetin e tij, kurse ata që mëshirojnë Allahu i mëshiron.

Poashtu prej veçorive të këtij muaji është shumëllojshmëria e mirësive në të. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje kurse fundi i tij lirim prej zjarri.

O ju robërit e Allahut, është e pamundur që një muaj t’i posedon këto cilësi dhe veçori dhe njeriu mos të gëzohet me ardhjen e tij. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e luste Allahun që t’ia mundëson ta arrin muajin Ramazan dhe kur hynte muaji Rexheb thonte: “O Zot, bekona në muajin Rexheb dhe Shaban dhe mundësona ta arrijmë muajin Ramazan”. Kurse të parët tanë e lusnin Allahun gjashtë muaj që t’ua mundëson që ta arrijnë muajin Ramazan, e pasi që e arrinin e lusnin edhe gjashtë të tjera që tua pranon muajin Ramazan. Shkaku i kësaj lutjeje ishin adhurimet e shumta dhe mirësitë e shumëllojshme që i jepte ky muaj.

Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është I sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë. Bekare 183-185.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

Falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri muajin e Ramazanit zotëri të gjithë muajve dhe dyfishues të mirësive dhe veprave. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahut dhe robin e Allahut.

Të nderuar vëllezër muslimanë,

Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtet dhe dijeni se Ai ju mbikëqyr kudo që të jeni në fshehtësi apo haptazi.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”Bekare183.

Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, muajin e mëshirës dhe Kuranit.  Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara, dhe veprat e mira të dyfishuara. Prandaj ju o vëllezër të Islamit, ju përgëzoj me zotërinë e muajve i cili na vjen pas një mungese të gjatë, ashtu si i përgëzonte Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, shokët e tij dhe u thoshte: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”

Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjerë.

Sot disa prej muslimanëve Ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kuran ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të lozin dhe argëtohen dhe ta luftojnë Allahun me mëkate.

Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” Lukman 34.

Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t’ia hapim dyert e shtëpisë, dhe me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

Prandaj, ti i cili i bën mëkat Allahut pendohu me sinqeritet që zemra jote të përmirësohet dhe gjendja jote të drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. Tehrim 8.

O ju muslimanë,

Ky muaj është muaj i mëshirës dhe i faljes mes njerëzve. Muaj i largimit prej urrejtjeve dhe armiqësive, shkaqe që Umetin e përçanë dhe e dobësuan. Atë që Ramazani e takon si mos respektues i prindërve, këputës i lidhjeve familjare, braktisës i vëllezërve të Islamit, përgojues dhe shpifës në nderin e myslimanëve, u lexojmë ajetet:“Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë” Enfal 1, dhe “Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” Earaf 42-43.

Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe lëmoshës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëvepron me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t’i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobëtëve. E ndjen në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me lëmoshë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t’ia dyfishon: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” Bekare 261.

Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave. Lutjet nuk pranohen, ëndrrat dhe shpresat nuk realizohen dhe dyert e qiejve nuk hapen. Pritja e Ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit dhe bërjen e duave të sinqerta janë shpresa e muslimanit në dynja dhe ahiret: “Kur robërit e Mi (besimtarë)të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” Bekare 186.

Shiko në veten tënde, hulumto në shtëpinë tënde, fute dorën në xhepin tënd, pastroje pasurinë prej çdo harami që të dalësh para Allahut me zemër të frikësuar, pasuri të pastruar dhe lutje të sinqerta të cilave u hapen dyert e qiejve.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha.”

Ata të cilët e kuptojnë Ramazanin si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata janë që përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjëruesit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, ata janë të cilëve u hapen dyert e xhenetit dhe u mbyllen dyert e xhehenemit, dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata janë të cilët ndahen prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Amër ibën Asit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit.Agjërimi thotë: “O Zot ai është ndalur nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të”. Dhe thotë Kurani: “O Zoti im ai është ndalur nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të dhe u jepet leja për ndërmjetësim.”

Sad ibën Sehël, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vërtet në xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën Ditën e Kiametit do të hynë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit. Pasi që të hynë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”

Të parët tanë të mirë e kuptuan urtësinë e Ramazanit. Ditët e tyre ishin angazhim, prodhim dhe përsosmëri. Netët e tyre ishin asketizëm, namaz dhe Kuran. I tërë muaji për to ishte adhurim, mësim dhe bamirësi. Gjuhët e tyre agjëruese nuk përgojonin, sytë e tyre agjëruese haram nuk shikonin dhe zemrat e tyre agjëruese kah asnjë mëkat dhe gjynah nuk mëtonin.

Sot disa prej muslimanëve i morën të parët si model dhe e morën Ramazanin si sezon i adhurimeve dhe dyfishim i shpërblimeve. Ditën e agjëruan me përkushtim dhe natën u falën me përkushtim. Ndërsa disave prej tyre Ramazani nuk u bëri aspak dobi. Ditën e morën për gjumë, natën për argëtim, ngrënie dhe dëfrim. Allahu e bëri largim prej ushqimeve dhe epsheve dhe ndihmë të varfërve, ata e bënë bollëk të ushqimeve dhe pijeve duke u lavdëruar para njerëzve se unë jam i pasur.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”

“Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”

“Kush e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij fytyrën prej zjarrit të xhehenemit shtatëdhjetë pranvera.”

E lus Allahun, azze ue xhel, që në këtë muaj të na falë dhe mëshirojë, adhurimet të na i shtojë, duatë dhe lutjet të na i pranojë, neve të gjithëve dhe prindërit tanë dhe familjet  e tona prej Zjarri të na liron.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top