PERKUJTIM

durimdhenamaz

Si ta ngjallim zemren

MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

Allahu njerëzimit ia ligjësoi Islamin si fe dhe ligj. Me Islam njeriut ia garantoi përmirësimin e zemrave dhe trupave, ruajtjen e pasurive dhe shoqërive, në çdo kohë e vend, pa marrë parasysh gjuhën dhe racën e tyre. Për këtë shkak zbriti dispozita dhe caktoi dënime, e qartësoi të mirën dhe të keqen. Pasi që këto dispozita binin ndesh me epshet dhe dyshimet e disa njerëzve, këta të fundit i pranuan këto dispozita me mëdyshje duke i mohuar në tërësi ose duke i devijuar dhe komentuar disa prej citateve sipas epsheve dhe dyshimeve të tyre. Kjo metodologji e pranimit të citateve padyshim se është shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Prandaj më së miri për një musliman është që të paralajmërohet prej kësaj dukurie negative dhe ta mëson veten në pranimin e dispozitave pa mëdyshje dhe skepticizëm.

 Për ta madhëruar dhe lavdëruar Allahun e domosdoshme është madhërimi i dispozitave dhe respektimi i kufijve të Tij. Shenja e dashurisë së çiltër është nënshtrimi ndaj të dashurit. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej gradave të para të madhërimit të Allahut është madhërimi i urdhrit të Tij dhe e ndalesës që e ndaloi Ai. Kjo, për shkak se besimtari e njeh Zotin e tij nëpërmjet mesazhit që e dërgoi me të të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, deri tek njerëzimi. Përmbajtja e atij mesazhi është: “Nënshtrim i plotë i urdhrit të Tij dhe largimi prej ndalesës që e ndaloi Ai”. Kjo arrihet vetëm me madhërimin e urdhrit të Allahut dhe pasimit të tij dhe me madhërimin e ndalesës së Tij dhe largimit prej saj. Madhërimi i urdhrit të Allahut dhe i ndalesës së Tij prej anës së besimtarit është argument për madhërimin e tij të Allahut dhe me këtë do t’i mundësohet atij që të jetë prej punëdrejtëve që dëshmohet me to besimi i drejtë dhe i pastër dhe shërimi prej hipokrizisë së madhe”.

O ju robërit e Allahut,

 Pasi që kriter i domosdoshëm i madhërimit të Allahut është madhërimi i dispozitave të Tij, atëherë detyrohet që çdo musliman të nxiton në realizimin e tij, ta edukon veten në të derisa të drejtohet dhe të vazhdon më tutje.

 Madhërimi i dispozitave të Allahut ka shenja që aludojnë në të dhe prej atyre shenjave mundemi t’i cekim:

 – Mospasja e të drejtës për të zgjedhur në pranimin e dispozitës së Allahut.

 Muslimani nuk ka të drejtë zgjedhjeje në pranimin e dispozitave të Allahut, por  detyrohet që t’i nënshtrohet plotësisht dhe tërësisht dispozitave të Allahut pa mëdyshje apo hamendje: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. Ahzab 36.

 Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet është i përgjithshëm dhe vlen për të gjitha çështjet. Edhe atë kur gjykon Allahu dhe Profeti i Tij, alejhi salatu ue selam, me diçka nuk i lejohet askujt kundërshtimi i këtij gjykimi, e as nuk ka të drejtë zgjedhjeje, e as dhënie mendimi apo thënie të ndonjë fjale”.

 Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti e sjell një thënie të Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë,  i cili kishte thënë: “Nuk i takon një besimtari e as një besimtareje kur të urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ue selem, me diçka t’i kundërvihen”.

 Po ashtu, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

 – Mosekzistimi i ndjenjës së ngushtimit në gjoks gjatë dëgjimit të citatit sheriatik.

 Muslimani duhet ta edukon veten e tij që t’i pranon citatet dhe të vepron me to me gjoks të hapur dhe me zemër të qetë ashtu siç na mëson edhe Allahu në Kuran: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”. Nisa 65.

 Imami Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Betohet Allahu, azze ue xhel, në veten e Tij Fisnike dhe të Shenjtë se nuk ka besuar asnjëri përderisa ta marrin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, për gjyqtar në të gjitha çështjet dhe se çdo gjykim i tij është i drejtë dhe jemi të detyruar t’i nënshtrohemi këtij gjykimi me zemër dhe me vepra. Prandaj Allahu tha: “e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”, që do të thotë se ti kur gjykon i nënshtrohen asaj që ti gjykon në brendësinë e tyre dhe nuk ndiejnë në vetvete ngushtim në gjoks ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht pa kundërshtime dhe pengesa”.

 Po ashtu, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

 – Hulumtimi i tepërt apo thellimi në kërkimin e urtësisë së ligjësimit të citatit.

 Kjo veti e cungon përsosmërinë e bindjes dhe nënshtrimit, madje mund të ndodhë që vazhdimësia në kërkimin e urtësive të citateve ta çon njeriun deri në mohimin e disa dispozitave fetare. Muslimani duhet ta edukon veten në pranimin e dispozitave me gjoks të gjerë. Nuk ka pengesë në rast se dëshiron ta di urtësinë dhe ta kërkon atë në rast se ka mundësi, mirëpo në rast se nuk mundet ta zbulon urtësinë e ligjësimit atëherë prej etikës dhe moralit të lartë është përmbajtja dhe largimi prej kërkimit të saj: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten”. Enbija 23.

 Imami ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muslimani i nënshtrohet dispozitave të Allahut pa marrë parasysh se a i paraqitet atij urtësia e ligjësimit apo jo. Në rast se i qartësohet urtësia e ligjësimit në urdhrin dhe ndalesën e Tij atëherë ajo duhet të jetë nxitës në rritjen e nënshtrimit dhe bindjes në urdhrin e Allahut dhe nuk duhet që të jetë shkak i largimit të tij prej asaj dispozite apo mohimit të saj në përgjithësi”.

 Imami Ibën Ebil Iz el Hanefij, Allahu e mëshiroftë, komentuesi i librit Akide Tahauije thotë: “Dije se ndërtimi i të qenit rob i Allahut dhe besimi në Allahun, në Librat e Tij dhe në të Dërguarit e Tij bëhet me nënshtrim dhe bindje dhe me mos parashtrimin e pyetjeve rreth shpjegimit të hollësishëm të urtësive në urdhëresat, në ndalesat dhe në ligjësimet. Për këtë shkak Allahu nuk na tregoi në Kuran për ndonjë Umet të ndonjë Profeti i cili i besoi të Dërguarit të tyre dhe mesazhit me çka erdhi ai, e ta kishin pyetur hollësisht për urtësitë e urdhrave, ndalesave dhe ligjeve me të cilat kishte ardhur tek ai Umet. Po të kishin vepruar ashtu nuk do të ishin prej besimtarëve në të Dërguarin e tyre. Ata u nënshtruan, u bindën, çka e ditën prej urtësive e mësuan dhe çka u fsheh prej tyre nuk u bë shkak që ata t’i largohen bindjes dhe nënshtrimit, ndërsa i Dërguari i tyre në sytë e tyre ishte shumë më i madh se sa ta pyesnin për këto çështje”.

Po ashtu prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

  –Zemërimi për hir të Allahut kur cenohet paprekshmëria e ligjeve dhe ndalesave të Tij dhe tentimi i mbrojtjes së tyre sipas mundësive.

 Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdo herë që kishte të drejtë zgjedhjeje mes dy gjërave, e zgjidhte më të lehtën, në rast se ajo vepër nuk përmbante në vete mëkat. Në rast se ishte mëkat atëherë ishte njeriu që më së shumti i largohej atij. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk është hakmarrë për vetveten e tij, mirëpo kur janë shkelur urdhrat e Allahut, asgjë nuk ka mundur të ndalë zemërimin e tij”.

 Robi sa më shumë që është xheloz për fenë e Allahut dhe për shenjtërinë e saj dhe sa më shumë që nxiton në përmirësimin e muslimanëve, aq më shumë është argument për madhërimin e tij të dispozitave dhe përkujdesjen e tij për mos tejkalimin e kufijve të fesë.

 Po ashtu, prej shenjave bazë është edhe:

 – Detyrimi i robit që t’i pranon dispozitat si adhurim me të cilin afrohet nga Allahu e mos t’i pranon për syefaqësi dhe prestigj.

 Muslimani duhet të jetë prej atyre që pikëllohet për hir të Allahut kur i ikën ndonjë e mirë dhe të gëzohet për hir të Allahut kur arrin ta vepron një të mirë. Ebu Jemame, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, të kishte thënë: “Kush do për hir të Allahut dhe urren për hir të Allahut dhe jep për hir të Allahut dhe merr për hir të Allahut, vetëm se e ka plotësuar besimin e tij”.

 Dhe në fund, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është edhe:

 – Përmbajtja prej asaj që nuk ka dituri dhe paralajmërimi prej zhytjes në studime të citateve padituri.

 Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm rreth parimeve të kërkimit të diturisë duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi”. Isra 36, dhe në fjalët e Allahut që ia tha Nuhit, alejhi salatu ue selam, kur kërkoi ky i fundit që Allahu t’ia shpëton djalin prej dënimit: “Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. Hud 46.

 Allahu, azze ue xhel, ithtarëve të Librit u tha: “Mirë ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain dhe Isain), por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë”. Ali Imran 66.

 Allahu në ajetin e parë e edukoi të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, me një edukatë madhështore duke e mësuar që t’i përmbahet asaj që nuk ka dituri, ndërsa në ajetin e dytë Allahu e ndaloi Nuhun, alejhi selam, prej parashtrimit të pyetjeve për atë që nuk e di dhe atë e konsideroi prej paditurisë.

 Sidoqoftë, zhytja në studime rreth kuptimeve të citateve pa dituri apo të folurit për Allahun dhe fenë e Tij pa dituri është mëkat i madh dhe është shkak që sjell dëme të mëdha për veten dhe për të tjerët.

 Muhamed ibën Sirini, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Që të vdes një njeri si i paditur është më mirë për të se sa të flet për Allahun dhe fenë e Tij diçka që nuk e di”.

 O Zot, shtona nënshtrimin ndaj dispozitave të Tua dhe shtona madhërimin Tënd në zemrat e tona, mundësona që ta dallojmë të vërtetën prej të pavërtetës dhe ta pasojmë atë dhe mundësona ta dallojmë të pavërtetën prej të vërtetës dhe t’i largohemi asaj.

 Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NGA DOBITË E NXËNIES PËRMENDËSH TË KURANIT!

1. Mendjes i jep çiltërsi.

 2. Memorien e forcon.

3. Jep qetësi dhe stabilitet shpirtëror.

4. Dhuron lumturi dhe gëzim të pa përshkruar.

5. E largon frikën, pikëllimin dhe depresionin.

6. Mbjell ndjenjën e vetëbesimit dhe e shton imanin.

7. Bie sebep në lehtësimin e sëmundjeve kronike, prej të cilave njeriu ka vështirësi.

8. Ndihmon në shërimin e të belbëzuarit.

9. Ndihmon në zhvillimin e të menduarit, dhe e lehtëson të kuptuarit, dhe të mbajturit mendtë.

10. Çdo njëri që mëson diç nga Kurani dhe vazhdon ta dëgjon atë, ndjen një ndryshim të madh, për të mirë, në jetën e tij!.

Këto janë disa nga dobitë në dynja, kurse ato të ahiretit janë edhe më të  shumta!

Gëzimi me takimin e Allahut, të fituarit e Xhenetit, afërsia me njeriun më të dashur, Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shumë dobi tjera janë nga dobitë e ahiretit!

A ka më mirë se të jesh afër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Ditën e Kiametit!!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

LEXIMI I KURANIT

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe përkujdesuni për librin e Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë”. Fatir 30.

Othman ibën Afani, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Më i miri i nga ju (muslimanët) është ai që e mëson Kuranin vetë dhe ua mëson atë edhe të tjerëve”.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:  “Ai që lexon Kuran bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Lexojeni Kuranin, ngase ai do të ndërmjetëson Ditën e Kiametit për ata që e lexojnë”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveçse i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai”.

Këto citate nga Kurani dhe Syneti, të gjitha ju nxisin në mësimin e Kuranit, dhe të vepruarit me të, dhe leximin e tij, ngase Kurani është burimi i lumturisë së juaj, shpëtues nga sprovat, në të janë lajmet e të parëve, dhe njoftim për atë që do të ndodh më vonë. Kurani është gjykues në mesin e juaj, kush e braktis nga kryelartësia Allahu ia thyen qafën, dhe kush kërkon udhëzim jashtë Kuranit, Allahu e devijon. Kurani është litari i Allahut i fortë, rruga e drejtë, shpirtrat e ligë s’kanë mundësi ta ndryshojnë, dhe dijetarët nuk ngopen nga ai. Është përplot mrekullira, kush flet me të e thotë të vërtetën, kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të është i drejtë, kush thërret në të udhëzohet në rrugë të drejtë. Për këto arsye mësojeni dhe lexoni dhe përsiatni ajetet e tij. Mësojani fëmijëve të juaj, dhe rritni me leximin e tij, dhe bëjani të dashur librin e Allahut, derisa të lidhen për të dhe tua përmison moralin e tyre, dhe pastron shpirtrat e tyre, dhe të bëhen nga bartësit e Kuranit dhe lexuesit e tij, sepse fëmija kur e mëson Kuranin në fëmijëri, më vonë do ta dinë se çka lexon në namazin e tij. Mësimi i Kuranit në fëmijëri është shumë më i mirë, se sa të mësohet kur të rritet, sepse më shumë përforcohet në mendje dhe mësimin e tij përmendësh e ka më të fortë.

Shumica e njerëzve në këto ditë janë larguar nga mësimi i Kuranit. Të mëdhenjtë janë preokupuar me dynja, të vegjlit janë preokupuar me mësimet shkollore, kurse kohën e lirë e kalojnë nëpër rrugë duke lozur. Kjo i bëri që të largohen nga Kurani dhe mos ta njohin, madje të ketë edhe nga ata që e kryen edhe fakultetin, dhe nuk e din ta lexon një ajet si duhet. Madje ajo më e çuditshmja është se plot nga xhamitë nuk kanë imam, ngase njerëzit nuk donë tu lexohet Kuran tepër në namaz dhe imami ta zgjat namazin. Sebepi i gjithë këtij problemi qëndron në papërgjegjësinë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre dhe pakujdesia e tyre për sa i përket Kuranit. Kjo bëri që Kurani të braktiset nga shumë musliman, dhe nga kjo u ankua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur tha: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”. Furkan 30.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga shpërfillja e Kuranit është braktisja e meditimit të tij dhe të kuptimit të tij, dhe lënia e të vepruarit me të. Poashtu dëgjimi i poezive, apo muzikës, apo thënieve, apo marrja me dëfrime, duke e zëvendësuar Kuranin me to, është nga shpërfillja e tij”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpërfillja e Kuranit është shumë llojesh:

E para: Braktisja e dëgjimit të tij dhe besimit në të.

E dyta: Braktisja e punës me të, edhe nëse e lexon dhe i beson atij.

E treta: Braktisja e gjykimit me të në bazat e fesë dhe në degët e tij.

E katërta: Braktisja e meditimit të tij dhe kuptimit të tij dhe atë që ka dashur Allahu të na e dërgon si mesazh në të.

E pesta: Braktisja e kërkimit të shërimit me të dhe kurimi me të.

Këto të gjitha hyn në ajetin: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”. Furkan 30.

Kurse përcillet në një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Kam frikë se do të vijnë kohëra kur prej Islamit do të mbetet vetëm emri, e prej Kuranit vetëm shkronjat”.

E domosdoshme është të mësohet Kurani, dhe ai të merret nga mësues të mirë që e njohin leximin e tij. Nuk mjafton të lexohet apo të mësohet vet, po më së miri është të lexohet dhe të nxihet përmendësh duke e përsëritur para tjetrit. Pra patjetër për atë që dëshiron ta mëson Kuranin dhe tua mëson fëmijëve të tij, të zgjedh një lexues të mirë, dhe të mëson tek ai, duke e mësuar leximin dhe rregullat e tij. Përkujdesja për Kuran duhet të jetë prioriteti kryesor i muslimanit.

Kush e mëson Kuranin, le të përkujdeset për të, le ta lexon më tepër dhe le të tenton ta kupton qëllimin e ajeteve, duke qenë i përulur dhe me  frikë respekt. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një harf – shkronjë, por, ‘Elif’ është harf, ‘Lam’ është harf dhe ‘Mim’ është harf”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Meditoje mesazhin e Kuranit dhe do të gjesh se ka Sundues të tij. Sundues ku i tërë sundimi është i Tij, i tërë falënderimi  i takon vetëm se Atij, dhe të gjitha çështjet janë në dorën e Tij. Allahu në Kuran i këshillon robërit e Tij dhe i drejton kah ajo që ua jep lumturinë dhe shpëtimin, dhe i nxit në të, dhe i paralajmëron nga ajo që i shkatërron. Ua mëson atyre emrat dhe cilësitë e Tij, dhe ua bën të dashur begatitë e Tij, dhe ua rikujton begatitë e Tij mbi ta, dhe i urdhëron që t’i nënshtrohen urdhrave të Tij, dhe ua rikujton begatitë që i presin nëse i nënshtrohen, dhe ua rikujton dënimin që i pret nëse i bëjnë gjynah dhe nuk i nënshtrohen. I lajmëron për atë se çka vepron me miqtë dhe armiqtë e Tij, se si do të jetë përfundimi i dyja palëve, dhe sjell shembuj, dhe argumentet i sjell të llojllojshme, thërret për në Xhenet, dhe i përmend bukuritë e saj dhe cilësitë e saj. Paralajmëron nga Xhehenemi, dhe ua rikujton dënimin e rreptë dhe dhembjet në të. E përmend nevojën e robërve për Të, dhe se ata nuk munden pa Allahun, as sa mbyll e hapë sytë. Kurani është libër që ta rikujton Allahun, dhe për këtë arsye muslimani duhet të përkujdeset ta mëson dhe të shpeshton leximin e tij, ngase Kurani është dritë, shërim, mëshirë, shpirt, udhëzim, dallues i të kotës dhe të vërtetës, dhe argument, dhe gjykues. (shkurtimisht dhe me kuptim).

Nga muslimani kërkohet ta lexon Kuranin sipas gjendjes së tij, në kufi të mundësive të veta. Nëse din të lexon mirë, kjo është edhe më e mirë dhe më e përsosur. E nëse nuk din mirë të lexon, e lexon sipas mundësive të veta. Ka ardhur në një hadith: “Ai që lexon Kuran bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar”.

Për këtë arsye muslimani duhet të bën përpjekje që ta përmison leximin e tij para atij që din më mirë se ai vet të lexon. Nuk duhet ta merr si argument faktin se nuk di të lexon mirë dhe ta braktis leximin, ngase atëherë humb shumë mirësi dhe shpërblime. Le të lexon ashtu si ka mundësi dhe sa ka mundësi të lexon, e nëse e lexon krejt Kuranin, atëherë kjo është më e mira dhe më e dashura.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

DISA NGA CILËSITË E BESIMTARËVE NË KURAN

O ju njerëz frikojuni Allahut dhe meditoni rreth asaj që e përmendi Allahu nga cilësitë e besimtarëve në Kuran me qëllim që të merrni mësime dhe shembuj nga to. Allahu në Kuran cilësitë e besimtarëve i ceki në shumë ajete e ndër to janë edhe ato cilësi që i ceki në fillim të sures Muminun: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”.  Muminun 1-11.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rëndësinë e këtyre ajeteve e qartësoi në një hadith të cilin e përcjell imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mua më zbritën dhjetë ajete dhe kush punon me to hyn në xhenet”, e pastaj i lexoi ajetet e para të sures Muminun.

Gjithashtu imam Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith nga Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila kur u pyet për moralin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, tha se morali i tij ishte Kurani dhe i lexoi ajetet: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët” e deri te “ dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. Muminun 1-9, dhe tha: “Kështu ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam“.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, dëshiroi të na njofton se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vepronte me këto ajete dhe u përshkruante me këto cilësi të cilat i përmbajnë këto ajete nga cilësitë e mira.

Allahu i Madhëruar na bëri me dije se besimtarët që pajisen me këto cilësi, ata janë fitimtarët, të lumturit dhe të shpëtuarit, kurse ata që nuk pajisen me këto cilësi janë të humburit ashtu siç tha edhe vet i Madhëruari. “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira: ata do të kenë shpërblime të pandërprera”. Tin 4-6. Dhe poashtu tha: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. Asr 1-3.

Allahu i Madhëruar në këto ajete na tregoi se çdo njeri është në humbje përveç atij që përshkruhet me besim dhe me vepër të mirë dhe thirr në të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe bën durim në atë që sprovohet.

Thënia e Allahut: “të cilët janë të përulur në namazin e tyre“. Muminun 2,  na bën me dije rëndësinë e faljes së namazit dhe pozitën e tij në Islam dhe se është një prej cilësive të besimtarëve për arsye se namazi është shtyllë e fesë dhe shkak që të mbron nga e shëmtuara dhe të largon nga e liga dhe ta lehtëson veprimin e punëve të mira ashtu siç thotë edhe Allahu: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz”. Bekare 45.

Përkujdesja për namazin duhet të jetë primare për muslimanin për arsye se gjëja e parë që do të japë llogari robi Ditën e Kiametit do të jetë namazi. Të përulur në namaz do të thotë që zemra jote të jetë prezente në namaz e nënshtruar para Allahut dhe gjymtyrët e tua të jenë të qeta, pa lëvizje të panevojshme. Përulja në namaz është shpirti i tij dhe ajo që kërkohet në të dhe robi nuk merr nga namazi i tij vetëm se aq sa ka qenë prezentë shpirti i tij. Preokupimi i zemrës në namaz me gjëra të kota që nuk kanë lidhje me namazin dhe bërja e lëvizjeve të tepërta të panevojshme është sjellje dhe moral i keq me Allahun. Kthimi i fytyrës në të majtë apo në të djathtë është largim i fytyrës nga Allahu dhe mashtrim i shejtanit i cili tenton që t’i vjedh robit nga namazi i tij dhe kjo është argument i shkujdesjes së zemrës së tij nga namazi.

Thënia e Allahut: “të cilët shmangen nga fjalët e kota”. Muminun 3, e ka për qëllim largimin nga çdo e kotë dhe këtu përfshihet edhe shirku dhe të gjitha llojet e mëkateve dhe poashtu e përfshin atë që nuk ka dobi prej saj nga thëniet dhe veprat.

Prej cilësive të besimtarëve është se ata i shmangen të gjitha llojeve të kotës dhe janë të preokupuar vetëm se me të vërtetën dhe të dobishmen për ta. Ata nuk i dëgjojnë përgojimet dhe bartjet e fjalëve, muzikën dhe instrumentet muzikore, nuk shikojnë në të kotën që u prezantohet nëpërmjet filmave dhe serialeve të ndryshme, nuk ulen nëpër mexhlise e dëfrimit ku në flitet e kota dhe veprohen mëkate e gjynahe dhe nuk i përgjigjen ftesave të atyre që e shpërndajnë të kotën nëpër tokë.

Thënia e Allahut: “të cilët japin zeqatin”. Muminun 4, e ka për qëllim ata që e pastrojnë veten duke vepruar vepra të mira (fjala zeqatë në aspekt gjuhësor do të thotë pastrim dhe shtim) dhe duke iu larguar ndalesave dhe duke e dhënë zeqatin e pasurisë së tyre.   

Thënia e Allahut: “të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)“. Muminun 5-7, e ka për qëllim ata që e ruajnë nderin e tyre duke mos rënë në imoralitet dhe homoseksualizëm dhe poashtu iu larguan çdo mjeti i cili të çon deri në shthurje morale. Për këtë ata iu larguan shikimit  të ndaluar, e stolisën veten me petkun e devotshmërisë dhe i larguan gratë nga përzierja me burra të huaj dhe nga udhëtimi pa mahrem dhe u larguan nga shikimet e filmave të degjeneruar dhe pamjeve të ndaluara. Pastaj Allahu i Madhëruar e qartësoi se atij që nuk i mjafton ajo që ia lejoi Allahu nga kënaqësitë me gratë e veta dhe i tejkalon kufijtë duke i bërë mëkat Allahut, ai do të jetë meritor i ndëshkimit dhe dënimit të Allahut.

Thënia e Allahut: “të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra“. Muminun 8, e ka për qëllim ata që i marrin amanetet duke filluar nga detyrimet fetare, të drejtat në pasuri, fshehtësive, pastaj mjeteve dhe sendeve të ndryshme, janë të detyruar që amanetin ta dërgojnë deri në vend dhe të përkujdesen për të ashtu siç e meriton ai amanet të përkujdeset. Poashtu punëtorët dhe udhëheqësit janë të detyruar që amanetet e tyre që i kanë marrë tua japin hakun dhe mos t’i bëjnë padrejtësi njerëzve dhe tua kthejnë amanetet atyre që u përkasin: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin”. Nisa 58.

Marrja e amanetit do të thotë përkujdesja për të dhe të kthyerit e tij deri tek pronari në gjendje të mirë ashtu edhe siç e ke marrë për arsye se kjo është besëlidhje dhe besëlidhja duhet që të respektohet dhe mos të thyhet: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete”. Nahl 91.

Thënia e Allahut: “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. Muminun 10, na qartëson vlerën dhe rëndësinë e namazit për arsye se Allahu fillon në fillim të sures me cekjen e faljes së namazit dhe i përfundon këto ajete me përmendjen e namazit dhe nxitjes që ai të falet rregullisht. Përkujdesja për namaz do të thotë falja e tij në kohë duke marrë abdes si duhet dhe duke i plotësuar kushtet, shtyllat, detyrimet dhe duke e falur në kohët e veta dhe në vendet ku ka urdhëruar Allahu që të falet  e ato janë xhamitë edhe atë së bashku me xhemat. Kush len diçka nga këto dispozita pa asnjë arsye fetare nuk bën pjesë në ata që përkujdesen për namazin, madje ai konsiderohet nga ata që e neglizhojnë atë dhe për të cilët Allahu thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh”. Merjem 59. Dhe poashtu nga ata që Allahu për ta thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. Maunë 4-5.

Allahu i Madhëruar në fund të këtyre ajeteve e cek shpërblimin e atyre që pajisen me këto cilësi të cekura në ajete dhe thotë: “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”.  Muminun 11.

Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kështu, kur të kërkoni prej Allahut (ndonjë gjë), kërkoni Firdeusin, i cili është pjesa e më e mirë dhe më e lartë e Xhenetit Përmbi të (Firdeusin) është Arshi i të Gjithëmëshirshmit (Allahut) dhe prej andej vërshojnë lumenjtë e Xhenetit”.

Pastaj Allahu i Madhëruar e mbaron ajetin ku e cek se qëndrimi i tyre në Firdeus do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të kenë nevojë për frikë se kjo do tu humb apo do të kalojë tek të tjerët dhe se ata do të nxirren nga ai.

E lus Allahun që me mëshirën dhe begatinë e Tij të na bën prej banorëve të Firdeusit.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box
  • vtem news box

 iggö

bik

 bfi

 kmsh

   lhsh

   qendra qsi 

Videot e fundit nga kanali jonë në Youtube

Vizitoni edhe

 facebook1                       YouTube

Si mund të na gjeni

Xhamia Bujarialogoinfo

Wiener Str. 288

4030, Linz

Austria

+43 (0) 676 55 21 259

Top