Netet e ramazanit jane tregu i besimtareve

Besimi është diçka shumë dinamike që shtohet dhe pakësohet. Për këtë arsye, në jetën tuaj do të gjeni ditë të mira dhe ditë të këqija. Kur rritet besimi, ju shihni se sa e lehtë është të përballosh dallgët e jetës që kërkojnë të të mbysin. P.sh ju shihni se sa e lehtë është ta falësh gruan, kur ajo bën një gabim, apo për ty motër e dashur, sa e lehtë është ta falësh burrin. Në përgjithësi kur besimi është i lartë, gjërat bëhen më të lehta dhe jeta shumë më e ëmbël.

Besimi është gazi që i jep shtysë besimtarit. Është ajo ndjenjë që na nxit të falim dy rekate namaz më shumë, ta rrisim vlerën e sadakasë, ta ulim shikimin dhe ta falim dikë që na bën padrejtësi. Është hallka që na lidh me trimërinë e Hamzait, me largpamësinë e Ebu Bekrit, me karakterin e lartë të Aishes, me durimin e Umu Selemes, me heroizmin e Salahudinit, me vendosmërinë e Gazaliut, me guximin e Ibn Tejmijes dhe me zotësinë e Malkolmit (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata). Ju e përjetoni se ajo ndjenjë, ai fllad, ajo ngrohtësi në zemrat tuaja, është një ndjenjë që ndahet mes besimtarëve. Ajo ndjenjë nuk njeh as kohë, as vend, as fis e as komb, por është një dhuratë e çmuar, që Allahu e vendos në zemrat e atyre që i nënshtrohen Atij dhe që bëjnë të pamundurën për të qenë njerëz të mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, besimtarët janë vëllezër të njëri-tjetrit”. Prandaj kur një mysliman i ri vendos të heqë dorë nga klubet apo çdo gjë e ndaluar. duke vënë Allahun mbi dëshirat e tij, do ta kuptojë gjendjen e Jusufit (a.s), i cili zgjedh burgun mbi atë që Allahu kishte ndaluar.

Kësisoj, besimi është një marrëdhënie e veçantë që ekziston mes nesh dhe Zotit.

Besimi përbën flatrat, me të cilat fluturojmë dhe mbajtëset me të cilat ecim. Ai përcakton se sa e vërtetë është marrëdhënia jonë me Allahun.

E di që ka disa fjalë të dëgjuara për besimin: iman dhe akide. Megjithatë do të dëshiroja që besimin ta shihnim si një marrëdhënie mes nesh dhe Allahut. Përderisa besimi nuk është konstant, por lëviz, Allahu na ka dhënë një sërë armësh për ta mbrojtur dhe për ta shtuar atë. E gjithë kjo bëhet, ngaqë besimi është gjëja më e çmuar, dhurata më e shtrenjtë që na është dhënë. Një herë profetin (a.s) e pyetën: “Cila është vepra më e mirë?” Ai u përgjigj: “Besimi në Zot”. Në Kuran dhe Sunet gjenden shumë premtime për besimtarët, që çojnë në përfundimin se besimi është gjëja më e vlefshme. Prej tyre mund të përmendim:

1. Suksesi i vërtetë u takon besimtarëve

2. Paqja e zemrës dhe e mendjes

3. Rehatia ne jetën e varrit

4. Lehtësimi në Ditën e Ringjalljes

5. Kalimi i shpejtë mbi urën e Siratit

6. Xheneti

7. Takimi me Profetin a.s dhe pirja e ujit të Keutherit nga duart e tij

8. Shikimi i Allahut në botën tjetër

Një ditë në Egjipt, shkova të vizitoj një muze me familjen time. Meqë ishim atje, vendosa të vizitoj koleksionin e famshëm të mumieve. Uau! Do ta keni parë se çdo të thotë të hysh në atë vend. Duhet të prisni një faturë tjetër të veçantë; ekziston dhe një detektor tjetër metalik për të hyrë dhe për të dalë, si dhe roje pa fund. Pak javë më parë, një vëlla po më tregonte celularin e tij të ri. Ishte vërtetë i bukur, por ajo që më bëri përshtypje ishte se e mbante në këllëf. Ditën tjetër dola nga shtëpia më kompjuter në dorë dhe gruaja më qortoi duke më thënë: “Fute në valixhe”. Përfundimi që dua të nxjerr këtu lidhur më sendet me vlerë, është tepër i qartë. Kur shihet se gjërat janë vërtetë të çmuara, nuk mjafton vetëm t’i kesh, por dhe t’i ruash.

Përderisa kemi pranuar se gjëja më e shtrenjtë për ne është besimi, do të doja t’ju bëja një pyetje: Çfarë ka zgjedhur Allahu për ta mbrojtur atë? Le të mendojmë pak për këtë. Sepse gjëja më e çmuar duhet të vendoset në arkën më të sigurt.

Profeti (a.s) na ka treguar në një hadith: “Zemrat e besimtarëve janë enët e Zotit në tokë”. Prandaj vëlla dhe motër e dashur, ajo që rreh brenda kraharorit tënd është këllëfi, valixhja apo arka më e mirë, ku ruhet besimi. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që t’i mbajmë zemrat e pastra dhe t’i ruajmë ato.

Nga Mëshira e Tij e madhe për ne, Allahu i Lartësuar na urdhëron ta ruajmë besimin, por dhe na ka dhënë disa mjete për ta mbrojtur dhe forcuar atë dhe arkën ku ai qëndron:

1. Namazi- mbrojtje ditore

2. E Xhumaja- mbrojtje javore

3. Po për mbrojtjen vjetore? Mashallah! Është muaji i Ramazanit. Ramazani është parë si koha më ideale për të shtuar besimin, saqë dijetarët e kanë quajtur: “Tregu i besimtarëve”.

Ky muaj mbërriti mes nesh dhe është mëshirë e madhe për ne. Profeti (a.s) na ka thënë se kur vjen Ramazani: “Hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe shejtanet lidhen me zinxhirë”. Ndërsa tek transmetimi i ibn Kuzaimes kemi: “Çdo natë thërret një zë: “O ti që kërkon të mirën, afrohu! O ti që kërkon të keqen, largohu”. Shejh Jusuf Kardvi përmend: “Është sikur Allahu po thotë: “O ti që neglizhon! E ke lënë pas dore shërbimin ndaj Meje për 11 muaj. Ja ku të ka mbërritur muaji i mëshirës. Nëse përfiton prej tij, do të falesh dhe mund të nisësh një faqe të re!”

Katër gjëra që mund të bëjmë në këtë muaj:

Profeti (a.s) ka thënë: “Katër gjëra mund të bëjmë në këtë muaj. Dy sjellin lumturinë e Allahut dhe dy janë për ty, robi i Allahut”.

1. Thuaj sa më shumë la ilahe il Allah.

2. Kërko sa më shumë falje.

3. Lute Allahun të të dhurojë Xhennetin. Jo vetëm kaq, por lute Atë që t’i dhurojë Xhennetin gjithë umetit mysliman. Në mungesë të vëllezërve dhe motrave të tua, melekët do të luten për ty. Nëse e bën këtë dua për 1.3 bilion myslimanë në botë, 1.3 bilion melekë do të luten për ty!

4. Lute Allahun të të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit.

E lusim Allahun të na bekojë e të na ndriçojë. E lusim Allahun të na japë forcë të dalim mbi veten tonë, t’i bekojë të gjithë myslimanët, të na japë mençuri dhe të na bëjë një shembull të mirë për mbarë shoqërinë. E lusim Allahun t’i afrojë bashkëshortët sa më pranë njëri-tjetrit, t’i sjellë fëmijët tek prindërit dhe t’i çojë prindërit tek fëmijët. Kujtoni vëllezër dhe motra se ky është muaji i faljes. Nëse doni që Allahu i Lartësuar të hedhë mëshirën e tij mbi ju, mëshironi dhe ju të tjerët.

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuh

Përktheu: Ermi

Top