Programi i agjeruesit ne ramazan
Të nderuar vëllezër musliman,
Ky program nuk është detyrues për askënd, por është një ide se si ta shfrytëzon një musliman një ditë prej ditëve të muajit të Ramazanit në adhurim të Allahut të Madhëruar.
Para agimit – imsakut
– Muslimani është e pëlqyer të falë namaz nate edhe në rast se ato janë vetëm dy rekate.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij” Zumer 9.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Ai i cili zgjohet natën për të falur namaz dhe e zgjon familjen e tij dhe të gjithë i falin nga dy rekate namaz, Allahu i shënon ata dhe ato prej atyre që e përmendin Allahun shumë.”
– Ngrënia e syfyrit duke e synuar adhurimin e Allahut dhe pasimin e Sunnetit.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Ngrihuni (të hani) syfyrin ngaqë në syfyr ka bereqet”.
– Kërkimi i faljes dhe mëshirës dhe lutjet e ndryshme deri në ezanin e sabahut.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” Dharijat 18.
Pas imsakut deri në lindjen e diellit:
– Falja e dy rekateve ( sunet ) pas përgjigjes së myezinit.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Dy rekate synet të sabahut, janë më mirë (për besimtarin ) se e tërë bota dhe çka në të”.
– Nisja e hershme për namazin e sabahut.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në namazin e jacisë dhe sabahut, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”
– Preokupimi me dua, me dhikër dhe me lexim të Kuranit deri në thirrjen e ikametit.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Lutja e cila bëhet në mes të ezanit dhe ikametit nuk kthehet prapa”
– Qëndrimi në xhami pas namazit për dhikrin e mëngjesit. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, pasi falte namazin e mëngjesit (sabahut) qëndronte në faltoren e tij (duke përmendur Allahun) derisa lindte dielli.
– Falja e dy rekateve pas lindjes së diellit.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat e pastaj qëndron në xhami, duke e përmendur Allahun deri në lindjen e diellit, e më pas ngrihet dhe fal namaz dy rekatësh, e ka shpërblimin e haxhit dhe umres së plotë, së plotë, së plotë.”
– Bërja e gjumit duke shpresuar në shpërblimin e Allahut.
Muadhi, radijallahu anhu, thonte: “Unë llogarisë në gjumin tim ashtu siç llogarisë në namazin tim gjatë natës”.
– Preokupimi me përmendjen e Allahut, azze ue xhel, gjatë tërë ditës.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Banorët e xhenetit nuk pendohen për asgjë më shumë, se sa për kohën që u ka kaluar pa e përmendur Allahun e Lartësuar”.
Pas dreke:
-Përgjigja e myezinit dhe falja e namazit të drekës në kohën e caktuar me xhemat.
Ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, na mësonte udhëzimin e tij, dhe prej udhëzimit të tij është falja e namazit në atë xhami ku thirrët ezani”.
– Dhënia e lëmoshës.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Lëmosha (Sadakaja) më e vlefshme është ajo që jepet në muajin e Ramazanit.”
– Shfrytëzimi i një pjese të kohës për pushim.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Dhe se ndaj trupit tënd ke hak.”
Pas ikindije:
– Falja e namazit të ikindijës me xhemat duke mos i neglizhuar katër rekate para saj.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Allahu e mëshiroftë atë person që i falë katër rekate para farzit të ikindisë”.
– Dëgjimi i këshillave dhe ligjëratave pas namazit që mbahen në xhami.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Kush shkon në xhami, dhe ketë e bën vetëm për të mësuar hajrin apo për t`ia mësuar këtë dikujt tjetër, si shpërblim për këtë ka sikur ta ketë kryer haxhin e plotë”.
– Qëndrimi në xhami për dhikër dhe leximin e Kuranit.
– Interesimi për nevojat familjare dhe shtëpiake.
– Preokupimi me lutje para thirrjes së ezanit të akshamit.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Tre personave lutja nuk u kthehet prapa dhe prej tyre e përmendi agjëruesin deri sa të bëjë iftar”.
Pas akshami:
-Falja e namazit të akshamit me xhemat në xhami dhe bërja e lutjeve mes ezanit dhe ikametit deri sa të fillon falja e namazit.
– Qëndrimi në xhami për bërjen e dhikrit të mbrëmjes duke mos e harruar faljen e dy rekateve sunet ( më mirë është të falen në shtëpi ).
– Bashkimi me familjen në sofrën e iftarit dhe ngjallja e kënaqësisë në zemrat e fëmijëve duke mos e harruar falënderimin e Allahut, azze ue xhel, për begatit e dhëna dhe për plotësimin e agjërimit të asaj dite me devotshmëri dhe me mirësi.
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Dhe se ndaj bashkëshortes dhe familjes tënde ke hak“.
– Përgatitja për namazin e jacisë dhe teravisë me abdesë dhe me parfumosje.
Pas jacije:
– Falja e namazit të jacisë me xhemat në xhami.
– Falja e namazit të teravisë me imam.
Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush falet bashkë me imamin deri sa ta përfundojë ai (imami) i shkruhet atij sikur të ketë falur namaz të natës”.
– Ndeja familjare dhe vizita e farefisit dhe shokëve, duke u kujdesur që ambientet të jenë imanore dhe të dobishme.
O ti agjërues,
Qëllimi i këtij programi është:
Mënyra dhe forma shembullore për një musliman se si ta shfrytëzon një ditë prej ditëve të muajit Ramazan ashtu siç e meriton me të vërtet ajo ditë. Muslimani duhet ta shfrytëzon çdo orë të asaj dite në nënshtrim, në adhurim, ose duke i bërë dobi të tjerëve dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut.
Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”
Imam Nahaiju, Allahu e mëshiroftë, e përshkruan një ditë të Ramazanit dhe thotë: “Agjërimi i një dite në Ramazan është më i mirë se njëmijë ditë, lartësimi i Allahut në atë ditë është më i mirë se lartësimi i Allahut në njëmijë ditë tjera, dhe një rekat i asaj dite është më i mirë se njëmijë rekate tjera.”
Pra një ditë e Ramazanit konsiderohet shans e përshtatshme dhe mejdan i gjerë për afrim tek Allahu me nënshtrime dhe adhurime të ndryshme, dhe padyshim se shpërblimi i adhurimit të asaj dite do të jetë më i madh.
Prandaj ti o vëlla musliman, në rast se ke mundësi që në këtë muaj askush mos të konkurron në adhurim dhe në afrim kah Allahu, atëherë vepro.
E lus Allahun, azze ue xhel, që ta rrit sinqeritetin në thëniet dhe veprat tona, dhe të na ndihmon në përmendjen dhe adhurimin e Tij.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU