Njoftim me ramazanin
Fjala صيام – sijam, në shqip nënkupton abstenimin, ndërsa në terminologjinë e sheriatit, agjërimin do ta kishim përkufizuar kështu: Agjërimi është heqja dorë me nijet nga haja, pija, marrëdhëniet intime dhe nga çdo gjë që e prishë agjërimin, nga agimi i dytë deri në perëndim të diellit.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe është detyrim të agjërohet. Argumentet për këtë janë nga Kurani, suneti dhe ixhmaja. Allahu i madhërishëm ka thënë:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat”. (Bekare 183). Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Islami është i ndërtuar mbi pesë: dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhillëku dhe agjërimi i Ramazanit”.
Të gjithë muslimanët janë të pajtimit se agjërimi i Ramazanit është detyrim.
Agjërimi është prej adhurimeve më madhështore, sepse aty praktikojmë sabrin, me të tri llojet e tij:
- sabri në respekt ndaj Allahut,
- sabri nga mëkatet ndaj Allahut dhe
- sabri ndaj caktimeve të Allahut.
Po ashtu ky adhurim është një sekret midis Allahut dhe robit të Tij, prandaj ka premtuar një shpërblim të madh për atë që agjëron Ramazanin me besim të fortë dhe me shpresë në mirësitë e Allahut të madhëruar.
Kur u bë farz agjërimi i muajit Ramazan?
Ibën Kajimi ka thënë: “Agjërimi u bë farz në vitin e dytë nga hixhreti, ndërsa Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ndërroi jetë pasi kishte agjëruar nëntë Ramazane”. Arritja deri në farz kishte tre etapa:
- agjërimi i ditës së Ashurasë. Këtë e mësojmë nga fjalët e nënë Ajshes, radijallahu anha: “Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ishte urdhëruar të agjërojë ditën e Ashurasë, por, kur u bë farz Ramazani atëherë mbeti që kush do, mund ta agjërojë (ditën e Ashurasë) e kush do, mund të hajë”. (Buhariu)
- etapa e zgjedhjes midis agjërimit dhe shpagimit. Këtë e mësojmë nga ajeti:
“…ndërsa ata që munden, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, nëse agjëroni është edhe më mirë për ju...” (Bekare 184). Pra, pjesa e fundit e ajetit i la besimtarët që të zgjedhin mes agjërimit dhe shpagimit, por i udhëzoi se agjërimi është më mirë.
- etapa kur u bë farz për të gjithë. Këtë e mësojmë nga ajeti:
“… Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!...”. Këtu pra, erdhi urdhri i prerë nga Allahu që të gjithë të agjërojnë.
Urtësia e ligjësimit të këtij adhurimi është që të arrijmë devotshmërinë dhe të fitojmë fuqinë për tu mbrojtur nga mëkatet. Allahu, subhanehu ue teala, thotë:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat”. (Bekare 183).
Që agjërimi të jetë farz për një njeri, duhet plotësuar këto kushte:
1. Të jetë mysliman. Pra, agjërimi i jomyslimanit është i pavlefshëm dhe argument për këtë është ajeti:
“O ju që keni besuar, ju është urdhëruar agjërimi”. Me këto fjalë pra, i drejtohet besimtarëve dhe e dyta: jomuslimani nuk është në atë gjendje që të mundet të bëjë një ibadet për Allahun.
2. Të jetë në pubertet dhe i mençur. Aliju, radijallahu anhu, na rrëfen se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Lapsi nuk shkruan për tre vetë: për atë që është në gjumë derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të rritet dhe për atë që ka humbur vetëdijen derisa të vetëdijesohet”. (Ebu Davudi).
3. Të jetë i aftë për të agjëruar. Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive që ka dhe nëse një njeri nuk ka mundësi të agjërojë, atëherë nuk është i detyruar të agjërojë.
Paaftësia për të agjëruar është dy lloj:
- paaftësi e përkohshme që ka shpresë të largohet. Në kësi raste, ai duhet të hajë por më vonë do t’i kompensojë ditët që nuk i ka agjëruar. Allahu, subhanehu ue teala, ka thënë:
“Kush prej juve është i sëmurë apo është në udhëtim, le t’i agjërojë ato ditë më vonë”.
- paaftësi e përhershme që nuk ka shpresë se do të largohet. Në kësi raste, ai duhet të hajë dhe të shpaguajë për ato ditë që nuk ka agjëruar.
Pse u quajt Ramadan?
Disa thonë: Sepse në këtë muaj digjen mëkatet, meqë fjala Ramadan vjen nga fjala ‘Ramdaë’ që nënkupton të nxehtin e madh.
Të tjerë thonë: Sepse agjërimi i parë kishte qëlluar në verë, pra, në nxehtin më të madh.
Omer BERISHA
(pjesë nga libri në përgatitje e sipër: Komenti i Umdetul Ahkam)