Lejohet parashikimi i motit?

Shtyp
Gjykimi fetar në lidhje me parashikimin e motit
Pyetje:  Çfarë gjykimi ka parashikimi i motit? Sepse, disa thonë që parashikimi i motit është i ndaluar ngaqë pretendon gajbin, dijen e fshehtë.
motiPërgjigje:  Parashikimi i motit nuk lidhet me botën metafizike dhe nuk pretendon të shpjegojë ose zbulojë gajbin, dijen e fshehtë për të cilën Allahu thotë në Kuran: “Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di), por Allahu zgjedh kë të dojë nga të dërguarit e Tij.”  Surja Ali Imran 179. E në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet.” Surja en-Neml 67. Parashikimi i motit lidhet me shkencën ndërdisiplinore të meteorologjisë, e cila studion dukuritë atmosferike, siç janë lëvizjet e reve dhe erërave, trysnin e ajrit dhe lagështinë e tij, temperaturën etj. Kjo dije mbështetet në matje shkencore dhe në përvojën që njerëzit kanë krijuar në njohjen dhe kuptimin e fenomeneve të mësipërme, pra e gjitha kjo bazohet në shkencë dhe eksperiencë, ndaj dhe parashikimet për motin mund të jenë të sakta, të përafërta, por edhe të gabuara, për shkak të faktorëve klimaterik të paparashikuar, prandaj dhe meteorologët nuk bëjnë parashikime në distanca të largëta kohore, sepse kjo është e pamundur. Si e tillë meteorologjia nuk ka ngjashmëri me pretendimet e sharlatanëve që pretendojnë me padije se dinë të fshehtën. Dihet që çdo gjë është krijuar nga Allahu, Ai është i Pari dhe Fundit, dhe se pa caktimin dhe vullnetin e Tij asgjë nuk ndodh në botë, mes tyre edhe ndryshimi i motit. Por, ndërkohë shkenca e meteorologjisë nuk bën gjë tjetër vetëm se studion veprën e Zotit dhe bazohet në përvojën e krijuar në këtë fushë, ndaj dhe parashikimet duke u bazuar te kjo dije nuk janë të ndaluara, përderisa mbështeten në përvojën, fakte dhe matje konkrete.
Ajo që është e ndaluar është parashikimi i gjërave dhe të ardhmes kur kjo mbështetet te astrologjia dhe falli, që nuk janë aspak dije, por sharlatanizëm, ku pretendohet të parashikohen ngjarjet ose fatet e njerëzve në të ardhmen, duke u bazuar në vendosjen e yjeve dhe trupave qiellorë. Për këtë mënyrë kemi ndalesë të drejtpërdrejtë nga Profeti (alejhis salatu uesselam). Një herë në një mëngjes në një ditë kur kishte rënë shi, pas faljes së namazit të sabahut Profeti u kthye nga njerëzit dhe tha: “A e dini se çfarë tha Zoti juaj? – “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” – U përgjigjën ata. Profeti (alejhis salatu uesselam) shtoi: “Allahu ka thënë: Këtë sabah disa nga robërit e mi janë gdhirë besimtarë te Unë dhe disa të tjerë jobesimtarë. Kushdo që tha se shiu ishte prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut ai është besimtar dhe përgënjeshtrues i yjeve, ndërsa ai që tha se shiu ra prej këtij apo atij ylli ai është mohuesi i Im dhe besimtar në yje.” (Transmetuan Buhariu & Muslimi).
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH